1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Drejtësi selektive në Gjeorgji?

Roman Goncharenko/Auron Dodi30 Maj 2013

Korrupsion dhe shpërdorim posti - këto janë akuzat kundër ish-anëtarëve të qeverisë gjeorgjiane. Ata flasin për hakmarrje të kundërshtarit politik. Vëzhguesit paralajmërojnë që të mos nxirren gjykime para kohe.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Në Gjeorgji, ish-kryeministrin dhe anëtarë të tjerë të qeverisë i kërcënojnë procese gjyqësore. Uwe Halbach nga Fondacioni Berlinez i Shkencës dhe Politikës (SWP) paralajmëron megjithatë që të mos nxirren përfundime të parakohshme nga mënyra e veprimit të drejtësisë."Mbetet të shihet se si do të kalojnë proceset, nëse do të jenë me të vërtetë transparente, nëse ato do të respektojnë me të vërtetë rregullat e shtetit juridik dhe nëse është i saktë dyshimi për drejtësi selektive dhe kritika për hakmarrje ndaj kundërshtarit politik", i tha ai DW.

Ish-kryeministri i Gjeorgjisë, Wano Merabischwili, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë "Lëvizja Nacionale e Bashkuar"dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit që po largohet nga posti, Michail Saakaschwili, u arrestua më 21 maj. Autoritetet e akuzojnë atë për korrupsion, shpërdorim të fondeve publike dhe shpërdorim posti. Në këtë kuadër u arrestua edhe ish-Ministri i Drejtësisë, Punës dhe Çështjeve Sociale, Zurab Çiaberaschwili. Pas një depozite garancie që pagoi, Çiaberaschwili ndodhet sërish i lirë. Por si Merabischwili, ashtu edhe ish-ministri i Mbrojtjes vazhdojnë të ndodhen në burgim hetimor.

BE tregohet i shqetësuar

Catherine Ashton, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë deklaroi se do t'i ndjekë me vëmendje proceset gjyqësore kundër ish-anëtarëve të qeverisë gjeorgjiane. Ajo pret që të respektohen normat e shtetit juridik. Më parë, presidenti i Gjeorgjisë, Michail Saakaschwili i quajti proceset kundër ish-të besuarve të tij dhe arrestimin e tyre si "procese kundër demokracisë". Ai e krahasoi situatën në Gjeorgji me atë në Ukrainë.

Kryeministri Bidzina IvanishviliFotografi: picture-alliance/dpa

Nëse në proceset kundër ish-anëtarëve të qeverisë së Gjeorgjisë bëhet fjalë për drejtësi selektive apo nëse do të kemi procese të rregullta gjyqësore, sipas mendimit të ekspertit të SWP-së në këto çaste është ende e hapur. Eshtë ende shumë herët, që rasti Merabischwili të krahasohet me ish-kryeministren ukrainase, Julia Timoshenko. Arrestimi në vitin 2011 dhe dënimi që iu bë asaj me shtatë vjet burg, për shkak të shpërdorimit të detyrës, zgjoi kritika të ashpra në Perëndim.

Halbachu konstaton se "arrestimet në Gjeorgji mbështeten nga një shtresë e gjerë e popullit". Këtë e konstatoi në bisedë me DW edhe Julia Bläsius, koordinatore rajonale e Kaukazit Jugor e Fondacionit Friedrich-Ebert. "Në bazë të të gjithave atyre që kam dëgjuar nga organizatat e shoqërisë civile, por edhe nga qytetarë, unë kam më tepër përshtypjen se ata janë të gëzuar që do të japin llogari anëtarë të qeverisë së vjetër," u shpreh Bläsius.

"Dhuratë për zgjedhësit"

Që përndjekja e ish-anëtarëve të qeverisë gjeorgjiane bëhet me motive politike, këtë e beson nga ana tjetër Kacha Gogolaschwili, nga Fondacioni gjeorgjian për Studime Strategjike dhe Ndërkonmbëtare. Ish-kryeministrin Merabaschwili e arrestuan "për të përmbushur kërkesa të zgjedhësve të partisë në pushtet Endrra Gjeorgjiane". Fushata elektorale e kryeministrit aktual Bidsnia Iwanischwili, i cili i fitoi zgjedhjet parlamentare në vjeshtë 2012 ka nxitur urrejtje kundër partisë së presidentit Saakaschwili, që ka qenë në pushtet. "Zgjedhësit e Iwanischwilit tani morën si shpërblim edhe kokën e ish-kryeministrit," i tha Gogolaschwili DW.

Eksperti gjeorgjian është i bindur se gjykatat e vendit vihen nën presion nga kundërshtarët e regjimit të mëparshëm. Reformat nën presidentin Saakaschwili e frenuan korrupsionin në vend, por ndikimi politik mbi gjykatat mbeti.

Vëmendje të veçantë situata tërheq sepse në tetor do të zgjidhet një president i ri i shtetit. Pas dy periudhave në post, Saakaschwilit nuk i lejohet të kandidojë më. Për shkak të ndryshimit të kushtetutës, pas zgjedhjeve kompetenca të rëndësishme vendimore do t'i kalojnë kryeministrit. Vëzhguesit paralajmërojnë për rrezikun e një pushteti shumë të madh në duart e Iwanischwilis.

Autor: Roman Goncharenko/ Auron Dodi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi