1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Drejt duelit Trump Biden - Haley tërhiqet nga gara

6 Mars 2024

Pas zgjedhjeve të martën në SHBA, është gjithnjë e më realist një duel mes Trumpit dhe Bidenit në zgjedhjet presidenciale në nëntor. Të dy rivalët iu afruan edhe më shumë kandidaturës, kurse Nikki Haley heq dorë.

USA, Portland | Nikki Haley
Fotografi: Scott Eisen/Getty Images

Me një fitore të qartë në zgjedhjet paraprake tek republikanët në "Super Tuesday", duket se ish-presidenti amerikan, Donald Trump e ka edhe më të sigurtë kandidaturën për president në zgjedhjet presidenciale në nëntor në SHBA. Nikki Haley, ish-ambasadorja e SHBA në OKB, dhe ish-guvernatorja e Karolinës Jugore pas humbjeve në zgjedhjet paraprake, bëri të ditur të mërkurën se largohet nga gara e kandidatëve për president. Pas zgjedhjeve të martën, ajo nuk doli as para shtypit dhe nuk kishte planifikuar takime të mërkurën.

Populisti i djathtë 77 vjeçar  fitoi gati në të gjitha 15 shtetet federale ku pati votime kundrejt kandidates tjetër republikane, Nikki Haley. Me këtë bëhet gjithnjë e më realist një duel i ri Biden-Trump në zgjedhjet presidenciale në nëntor.

52 vjeçarja, Nikki Haley arriti vetëm një sukses me fitoren e saj të papritur në Vermont, megjithatë Trump është fituesi kryesor i "Super Tuesday". Ai fitoi në shtetet federale me popullsi më të madhe si Kalifornia, Teksas dhe shtete të tjera si Alabama, Mein, Karolina Jugore, Tenesi dhe Virxhinia.

Fotografi: ABACA/IMAGO;AP Photo/picture alliance

Kandidatura e Bidenit gati e sigurtë

Edhe Demokratët zhvilluan zgjedhjet paraprake presidencale të martën në SHBA, ku kandidati demokrat, presidenti, Joe Biden vazhdoi serinë e fitoreve. Vetëm në zonën ekstra-amerikane, Samoa fitoi një biznesmen gati i panjohur kundrejt Biden. Megjithatë kandidatura e Bidenit është mjaft e sigurtë, për shkak se nuk ka rivalë të tjerë seriozë brenda partisë.

Në natën zgjedhore, presidenti Biden kishte paralajmëruar se Trump "është i vendosur të shkatërrojë demokracinë tonë". Sipas Biden, populisti i djathtë do të "bëjë çdo gjë ose do të thotë çdo gjë, për t'u ngjitur në pushtet".

Fotografi: TIMOTHY A. CLARY/AFP

Trump brohoret

Ish-presidenti, Donald Trump arriti të sigurojë disa qindra vota të delegatëve, të cilat i nevojiten për zgjedhjen si kandidat për president. Politikani më i kontestuar amerikan i këtyre dekadave në SHBA, Trump pas zgjedhjeve në rezidencën e tij në Mar-a-Lago foli për një "mbrëmje fantastike". "Kjo është e madhe", tha Trump. Ai sulmoi Biden duke theksuar, se po e çon SHBA drejt humnerës.

Në "Super Tuesday" u vendos për më shumë se 850 delegatë, më shumë se një e treta e pjesëmarrësve në kongresin që në fund vendos për kandidaturën e presidentit. Trump që është mjaft popullor në bazën e elektoratit të djathtë mbetet i favorizuari kryesor për këtë kandidaturë. Ai i ka fituar më parë të gjitha zgjedhjet paraprake, veç zgjedhjeve në Uashington.

Për t'u zgjedhur si kandidat për president, një garues ka nevojë për 1215 nga 2429 vota të të deleguarve republikanë. Sipas të dhënave të disa mediave amerikane, Trump i ka më shumë se 900 delegatë të sigurtë. Ai mund të arrijë të marrë numrin e nevojshëm të votave të të delegurave deri më 19 mars, sipas ekipit të tij zgjedhor.

Përsëritja e një dueli si në zgjedhjet e vitit 2020 bëhet një skenar gjithnjë e më realist, por sipas sondazheve ky duel nuk është i preferuar për shumicën e votuesve amerikanë, shkak është mosha e madhe e të dy kandidatëve.

 

 

la/kle/AR (afp, rtr, dpa)