1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Drejtori i CIA-s William Burns qëndroi edhe në Kosovë

23 Gusht 2024

Drejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Zbulimit (CIA), William Burns vizitoi Prishtinën, pas qëndrimit në Beograd, por nuk ka pasur asnjë njoftim për këto vizita.

Kosovo | Treffen US-Geheimdienstes CIA William Burns mit Albin Kurti
Kryeministri, Kurti takon kreun e CIA-s, William BurnsFotografi: Büro des kosovarischen Premierministers

Drejtori i Agjencisë Qendrore Amerikane të Zbulimit (CIA), William Burns, pa ndonjë njoftim paraprak, mbrëmjen e së enjtes qëndroi në Prishtinë. Ai u takua me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Takimi rreth një orë u zhvillua me dyer të mbyllura dhe asnjëra palë nuk dha ndonjë informatë mbi temën e bisedimeve. Paraditen e së premtes, kreu i CIA-s u takua edhe me kryeministrin, Albin Kurti.

Drejtori i Agjencisë Qendrore Amerikane të Zbulimit (CIA), William Burns qëndroi në Prishtinë në kuadër të një vizite në rajon, gjatë së cilës qëndroi edhe në Sarajevë dhe në Beograd. Edhe për vizitën në Beograd, nuk kishte njoftim paraprak, sikundër, nuk kishte asnjë informatë  mbi bisedimet e Burns me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

William BurnsFotografi: Büro des kosovarischen Premierministers

Vizita pa informacione konkrete nxit komente të shumta

Vizita e shefit të CIA-as në Bosnje e Hercegovinë, në Serbi dhe së fundi në Kosovë, po komentohet në forma të ndryshme nga njohës të zhvillimeve rajonale. Analisti Shenoll Muharremi, shkroi në profilin e tij, se vizita e Burns në rajon, "është shumë me rëndësi që para zgjedhjeve në SHBA, të mos ketë kriza të reja të sigurisë”. "Ndoshta saktësisht ky ka qenë qëllimi i vizitës në Bosnje, Serbi dhe Kosovë. Kjo tregon që në këto vende ka potencial për kriza të sigurisë dhe zotëriu ka ardhë me u siguru që, së paku disa muajt e ardhshëm, mos me kriju probleme për zgjedhjet amerikane atje me ndonjë veprim lokal të sigurisë. Ndoshta edhe hapja e Urës së Ibrit mund të kuptohet në këtë kontest. Nëse ka sadopak potencial për një 'trazirë' sado e vogël, mund të mos jetë e mirëseardhur hapja në këtë periudhë. Ndoshta për atë edhe ambasadori amerikan përdori gjuhë tepër serioze 'rrezikohen jetërat e ushtarëve amerikanë', shkroi Muharremi.

William Burns dhe presidentja, Vjosa OsmaniFotografi: Büro des kosovarischen Premierministers

Vizita e shefit të CIA-s  William Burns në rajon dhe së fundi edhe në Kosovë u zhvillua në kohën, kur administrata amerikane dhe shtete të fuqishme evropiane të QUINT-tit, kundërshtojnë veprimet e fundit të qeverisë së Kosovës që mbylli zyrat e Postës së Serbisë në veri të vendit dhe synon hapjen e urës mbi Lumin Ibër.

Hovenier: Rrezik real për sigurinë e ushtarëve të NATO-s

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha ditë më parë "se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë”.

"Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori Hovenier. Ai shtoi se "shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t'i marrë parasysh këto shqetësime”.

Por Qeveria e Kosovës thotë se, "hapja e urës do të ishte simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndëretnike”, duke mos hequr dorë nga synimi për hapjen e saj. Bashkimi Evropian ndërkaq, ka paralajmëruar se mund të shtojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, nëse autoritetet e Prishtinës vazhdojnë me veprime të njëanshme e të pa koordinuara në veri të vendit që banohet me shumicë serbe. 

 

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë