Baerbock merr shefen e Greenpeace, Jennifer Morgan në MPJ
9 Shkurt 2022Sipas informacioneve nga qarqet qeveritare drejtuesja e organizatës mjedisore ndërkombëtare Greenpeace, Jennifer Morgan, do të punojë në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Përfaqësues të qeverisë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se ajo do të bëhet përfaqësueja speciale e Gjermanisë për politikën ndërkombëtare për klimën pranë Ministrisë së Jashtme.
Drejtuese e Greenpeace që nga viti 2016
Annalena Baerbock do t’ua prezantojë mikeshën e saj, Jennifer Morgan, mediave gjatë ditës së sotme (09.02). Aktivistja e mjedisit nga SHBA, e cila është eksperte për klimën, ka punuar për dekada për organizata joqeveritare dhe drejton Greenpeace që nga viti 2016.
Në të ardhmen detyra e saj do të jetë kryesisht përfaqësimi i Gjermanisë në konferencat vjetore botërore të klimës. Në qeverinë e re gjermane politika ndërkombëtare për klimën kaloi nga kompetencë e Ministrisë së Mjedisit në atë të Ministrisë së Jashtme.
Post dhe privilegje si nëpunëse civile
Sipas njoftimeve të revistës “Spiegel”, 55-vjeçarja Morgan do të marrë një post si Sekretare Shteti në Ministrinë e Jashtme Gjermane. Por për t'u bërë nëpunëse civile me të drejtat dhe privilegjet përkatëse, p.sh. për pensionin, ajo duhet së pari të marrë nënshtetësinë gjermane. Njoftohet se Jennifer Morgan e ka bërë ndërkohë kërkesën përkatëse për të marrë nënshtetësinë gjermane dhe ajo është duke u përpunuar.Jenifer Morgan dhe ministrja Annalena Baerbock njihen mirë me njëra-tjetrën nga takimet e shumta ndërkombëtare për klimën.