Dritë jeshile për fabrikën e baterive në Schleswig-Holstein
11 Janar 2024Kompania suedeze Northvolt ka tani lejen të ndërtojë një fabrikë të madhe të baterive të automjeteve elektrike pranë Heides në Schleswig-Holstein, siç ishte planifikuar. Komisioni Evropian e miratoi financimin e planifikuar të qeverisë federale dhe të landit gjerman për këtë projekt prej miliarda eurosh në landin më verior të Gjermanisë. "Kjo masë, në një shumë totale prej 902 milionë eurosh, është ndihma e parë e veçuar që është miratuar për të parandaluar zhvendosjen e një investimi në një vend jashtë Europës”, tha Margrethe Vestager, Komisionerja e BE përgjegjëse për Konkurrencën.
Sipas Komisionit Evropian, bëhet fjalë për subvencione prej gjithsej 902 milionë eurosh. Prej tyre 700 milionë euro janë subvencione dhe 202 milionë garanci. Vestager tha se subvencionet ishin të nevojshme, të përshtatshme dhe gjithashtu të kufizuara. Përndryshe, Northvolt do ta kishte ndërtuar fabrikën në SHBA, ku gjithashtu do të kishte subvencione. Të 27 shtetet e BE përfitojnë nga investimi.
Habecku shprehet i lehtësuar
Ministri Federal i Ekonomisë, Robert Habeck (të Gjelbrit) theksoi: "Jam shumë, shumë i kënaqur për këtë që ndodh sot." Northvolt planifikon të prodhojë bateri për automjete elektrike në një fabrikë në qarkun Dithmarschen nga viti 2026. Prodhimi është planifikuar të arrijë kapacitetin e plotë në vitin 2029. Sipas Komisionit Evropian, fabrika e Heides do të jetë në gjendje të prodhojë bateri për nga 800.000 deri në një milion automjete elektrike në vit. Investimi prej 4.5 miliardë eurosh pritet të krijojë 3000 vende pune. Kompania ka investuar tashmë rreth 100 milionë euro nga fondet e veta në projektin e ndërtimit në Heide, sipas burimeve pranë projektit.
Qeveria federale dhe landi e subvencionojnë projektin me rreth 700 milionë euro. Përveç kësaj, ka garanci edhe për 202 milionë euro të tjera. Nga financimi, rreth 564 milionë euro vijnë nga qeveria federale dhe deri në 137 milionë euro nga landi. Financimi shpërndahet në disa këste vjetore. Në dhjetor, qeveria federale nxorri një vendim financimi. Ky vendim u desh të miratohej nga Komisioni i BE, sipas legjislacionit për ndihmën shtetërore.
Megaprojekt për landin Schleswig-Holstein
Projekti do të jetë projekti më i madh industrial në Schleswig-Holstein në dekada. Northvolt ka theksuar gjithmonë avantazhet e vendndodhjes në brigjet perëndimore amerikane. Aty prodhohet shumë energji ere në tokë dhe në det, për të cilën fabrika ka nevojë në sasi të mëdha.
Edhe Northvolt u shpreh i kënaqur: "Vendimi pozitiv i Komisionit Evropian për ndihmën shtetërore nuk është vetëm udhërrëfyes për projektin e fabrikës Northvolt në Heide, por për të gjithë industrinë evropiane të baterive në tërësi," tha një zëdhënës i kompanisë. "Tani jemi në pritje të vendimeve komunale në kuadër të procesit aktual të planifikimit të territorit”.
Peter Carlsson, Drejtori Ekzekutiv i Northvolt-it, kishte sinjalizuar ndërkohë se ndërtimi i fabrikës në Heide mund të vonohej. Ai përmendi si arsye çmimet relativisht të larta të energjisë elektrike në Gjermani dhe subvencionet më të larta në Shtetet e Bashkuara të Amerilës. Ai kishte paralajmëruar se për këtë shkak, kompania mund të zgjidhte fillimisht ta ngrinte atje fabrikën.
aud (dpa, rtr, afp)