1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Ligj dhe drejtësiFrancë

Francë: Dënohen ish-bashkëshorti dhe 50 përdhunues të tjerë

Anila Shuka redaktore
19 Dhjetor 2024

Për shkak të përdhunimit të rëndë të ish-bashkëshortes së tij, Gisèle, i pandehuri kryesor Dominique Pelicot u shpall fajtor për të gjitha akuzat. Gjykata në Avinjon e dënoi atë me 20 vite burg.

Dominique Pelicot duke folur në gjyq, ndërsa në sfond shfaqen të akuzuar të tjerë. Skicë nga salla e gjyqit
Dominique Pelicot, i cili kishte droguar dhe përdhunuar të shoqen për vite me radhë, e kishte pranuar fajin.Fotografi: ZZIIGG/REUTERS

72-vjeçari Dominique Pelicot nga Avinjoni i Francës, u shpall fajtor për të gjitha akuzat kundër tij. Për gati dhjetë vite, ai e kishte droguar ish-bashkëshorten e tij, Gisèle Pelicot, kishte abuzuar me të seksualisht dhe ua kishte dhënë për abuzime burrave të tjerë. Për këto krime, ai u dënua me 20 vite burg, dënimi maksimal i kërkuar nga prokuroria. Pas përfundimit të dënimit, gjykata do të vendosë nëse ai do të mbahet në masa të sigurisë së lartë. Ky ishte një nga gjyqet më të bujshme të vitit, duke sjellë në vëmendje dhunën seksuale dhe rëndësinë e drejtësisë.

Krimet e tmerrshme të Dominique Pelicot 

Përveç veprave të dhunës seksuale, Dominique Pelicot kishte regjistruar fshehurazi video dhe foto të ish-bashkëshortes, të bijës dhe grave të tjera të afërme, duke i shpërndarë ato në internet. Ish-bashkëshortja e tij nuk ishte e vetëdijshme për abuzimin, pasi ai i hidhte ilaçe të forta në ushqim. Krimet dolën në dritë vetëm në shtator 2020, kur Pelicot u arrestua duke filmuar fshehurazi nga poshtë një grua në supermarket. Hetuesit zbuluan mbi 20,000 video dhe foto që dokumentonin abuzimet e tij. 

50 burra të përshirë në skandal 

Gjykata dënoi gjithashtu 50 burra të përshirë në këtë rast me dënime që variojnë nga tre deri në 15 vite burg. Dy prej tyre e shmangën burgun përmes dënimit me kusht. Disa nga të akuzuarit e mohuan përfshirjen, ndërsa të tjerë pranuan se kishin abuzuar seksualisht me viktimën, por pretenduan se kishin marrë "pëlqimin" e bashkëshortit të saj, një justifikim i cili u hodh poshtë nga gjykata. 

Gisèle Pelicot: "Ne nuk kemi përse të kemi turp." 72-vjeçarja u bë ikonë e luftës kundër dhunës seksuale, pasi kërkoi që gjyqi i saj të ishte i hapur. Fotografi: Manon Cruz/REUTERS

Avokati i Gisèle Pelicot, Antoine Camus, theksoi se çdo person i përshirë ka kontribuar në këtë monstruozitet. Ai shtoi: "Të gjithë, më së vonmi kur kanë dalë nga kjo shtëpi horrori, e kanë kuptuar se të tjerë kishin ardhur para tyre dhe të tjerë do të pasonin." Sipas tij, e drejta penale nuk mund ta përmbajë plotësisht peshën e këtyre veprave, por dënimi maksimal ishte një hap drejt drejtësisë. 

Një rast që tronditi Francën 

Ky rast ka shkaktuar indinjatë të thellë në Francë. Gisèle Pelicot u vlerësua nga shumë gra për guximin e saj në bërjen publike të kësaj çështjeje dhe nxitjen e grave të tjera për të ngritur zërin kundër dhunës ndaj grave. Aktivistja feministe Blandine Deverlanges e quajti vendimin "ekzemplar" dhe theksoi se nuk duhet të ketë asnjë justifikim për abuzuesit seksualë. Organizatat për të drejtat e grave kërkuan reforma të thella në sistemin e drejtësisë, pasi më shumë se 90% e denoncimeve për përdhunime në Francë nuk ndiqen penalisht. 

Gisèle Pelicot ka marrë mbështetje nga e gjithë shoqëria franceze dhe është kthyer në një simbol të lëvizjes për të drejtat e grave. Ajo ka deklaruar: "Ne nuk duhet të ndjejmë turp. Ata janë ata që duhet të turpërohen."