1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Drojë para hapave të rinj reformues? - Samiti i BE-së në Bruksel

Bernd Riegert/Lindita Arapi18 Tetor 2012

Të enjten e të premten në Bruksel debatohet sërish për euron dhe Europën. Propozimet e ministrit gjerman të Financave, Schäuble për më shumë kompetencë eurokomisionerit nuk priten me entuziazëm në Bruksel.

Fotografi: Reuters

Entuziazmi për dhënien e çmimit Nobel Bashkimit Europian ka rënë shpejt. Që këtë javë krerët e shteteve dhe qeverive europiane duhet të fillojnë sërish të merren me tema tejet kritike si shpëtimi i euros. Në samitin e së enjtes dhe së premtes në tavolinat e tyre nuk do të qëndrojë vetëm plani i reformave të presidentit të Këshillit të BE-së, Hermann Van Rompuy, por edhe një sërë propozimesh nga Berlini. Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka pranuar propozimet e ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schäuble për një komisioner europian me "kompetencë ndërhyrjeje edhe në buxhetet kombëtare" të vendeve të eurozonës. Propozimi konfirmohet nga përfaqësues të lartë të qeverisë gjermane.

"E kemi një komisioner"

Propozimet e ministrit gjerman të Financave, të shprehura pas kthimit të tij nga një udhëtim në Azi, sollën trazira në Bruksel. Zëdhënësja e KE-së, Pia Ahrenkilde, është shprehur se e kemi ndërkohë komisionerin e monedhës, Olli Rehn që kontrollon buxhetin dhe huat e 17 vendeve të eurozonës. "Zëvendëspresidenti Rehn ka një rol shumë të rëndësishëm si zëvendëspresident i Komisionit Europian, përgjegjës për unionin monetar dhe euron. Këtë rol ai e përmbush jo në atë formë që të ngjallë frikë, por respekt", u shpreh Ahrenkilde.
Schäuble ishte shprehur më parë që komisioneri europian do të duhej të ngjallë frikë ashtu si komisioneri për të drejtën e kartelit, aktualisht në BE. Momentalisht Olli Rehn mundet vetëm t'u japë rekomandime ministrave të Financave të shteteve anëtare. Në të ardhmen buxhetet duhet të paraqiten në Bruksel para se të hyjnë në fuqi. Kjo është e vendosur tashmë. Schäuble kërkon që komisioneri europian të ketë të drejtën e anulimit. Por marrja e një kompetence të tillë prek të drejtën buxhetore kombëtare.

Në fillim diskutim më pas vendim

Përfaqësuesit qeveritarë në Berlin, të cilët nuk donin të përmendeshin me emër, po përpiqen t'i relativizojnë disi propozimet e Schäubles. Nuk bëhet fjalë tani të merren vendime të tilla, pra të ndryshohen rishtazi marrëveshjet europiane tejet komplekse. Këtë javë duhet të reflektohet, se cilat reforma janë më të rëndësishme. Në dhjetor do merren vendimet, është shprehur një funksionar i lartë gjerman.

Zëdhënësja e KE-së Pia Ahrenkilde frenoi zërat për një ndryshim të marrëveshjeve europiane. Kjo temë nuk ndodhet tani para vendimmarrjes. Madje nuk është temë kryesore në diskutimet e kësaj jave."Ndryshimet e marrëveshjeve europiane dhe dorëzimi i të drejtave të buxheteve kërkon miratimin unanim në BE dhe ratifikimin në të gjitha shtetet anëtare të saj. Franca ka sinjalizuar se nuk ka ndonjë interes për këtë ndryshim.

Eksperti Janis EmmanouilidisFotografi: Janis Emmanouilidis
Fotografi: Getty Images

"Herët a vonë nëpër këtë rrugë duhet kaluar"

Analisti politik Janis Emmanouilidis nga "Qendra e Politikës Europiane", një qendër studimore në Bruksel i miraton propozimet e ministrit Schäuble. "Mendoj se ky proces është shumë i rëndësishëm. Po qe se synohet të krijohet një union ekonomik dhe fiskal, ku të mënjanohen problemet strukturore, atëherë duhet shkuar një hap më tej se deri tani. Kjo do të thotë, kush do një union fiskal dhe bankar, ka këtu rrugën e duhur," tha Emmanouilidis për Deutsche Welle-n.

Në ditët e samitit (18-19.10) presidenti i Këshillit të BE-së. Hermann van Rompuy paraqet një listë reformash të përpiluara së bashku me Bankën Qendrore Europiane, presidentin e Komisionit Europian, Barroso dhe eurogrupin. Në të këtë listë shfaqen sërish eurobondet, të cilat kancelarja Merkel sigurisht do t'i refuzojë. Diplomatët e Brukselit spekulojnë se qeveria gjermane ka hedhur propozime të reja në tavolinë, me qëllim që të relativizojë listën e reformave.

Eksperti Janis Emmanouilidis mendon se debati për instrumentet e duhura në të ardhmen për krijimin e një unioni bankar dhe ekonomik është i drejtë. "Tregjet, veçse ashtu si qytetarët presin që të ecet përpara me reformat. Edhe po qe se zgjat, efekti pozitiv shfaqet që tani. Herët a vonë nëpër këtë rrugë duhet kaluar. Ndryshimi i marrëveshjeve europiane do të jetë e vështirë, madje edhe me rreziqe. Por ai nuk ka për t'u anashkaluar dot."