1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dronë rusë mbi vende anëtare të NATO-s

9 Shtator 2024

Letonia dhe Rumania akuzojnë Rusinë se ka shkelur hapësirën e tyre ajrore. NATO i quan raste të tilla "të papërgjegjshme dhe potencialisht të rrezikshme".

Estland | NATO-Luftpatrouille an Russlands Grenze
Patrullim ajror i NATO-s në kufirin me letonez pranë RusisëFotografi: DW

Në lindje të anëtarës së BE dhe NATO-s Letonisë duket se ka fluturuar një dron i dyshuar rus përmes Bjellorusisë dhe ka rënë në qytetin Rezekne. Ky incident po hetohet, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes në Riga. Edhe NATO është informuar.

Forcat e armatosura letoneze e zbuluan objektin fluturues pa pilot në kohën që hyri në hapësirën ajrore letoneze dhe e gjurmuan lëvizjen e tij. Më pas u lokalizua vendi i rrëzimit. Mbetet e paqartë se si një dron rus mundi të kalonte pa pengesa përmes Bjellorusisë në Letoni. Hetimet janë në vazhdim.

Më parë Ukraina kishte raportuar për sulme të shumta me dronë nga Rusia dhe se disa objekte fluturuese kishin hyrë në hapësirën ajrore të Bjellorusisë. Bjellorusia gjithashtu kohët e fundit është ankuar vazhdimisht për shkelje të hapësirës ajrore.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius dhe homologu letonez, Andris Spruds takohen në bazën ajrore, Lielvarde, LetoniFotografi: Alexander Welscher/dpa/picture alliance

Letonia: Të forcohet më tej kufiri lindor

"Kjo situatë është konfirmim i asaj, se ne duhet të vazhdojmë punën që kemi filluar për të forcuar kufirin lindor të Letonisë, duke përfshirë zhvillimin e aftësive të mbrojtjes ajrore dhe aftësive të luftës elektronike për të kufizuar aktivitetet e mjeteve ajrore pa pilot të aplikacioneve të ndryshme", tha ministri letonez i Mbrojtjes Andris Spruds. Ministria e Mbrojtjes kujtoi gjithashtu se vendi kishte zgjeruar aftësitë e tij mbrojtëse në vazhdën e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka vazhduar për më shumë se dy vjet e gjysmë. Aleatët e NATO-s gjithashtu kryejnë patrullime të rregullta në hapësirën ajrore letoneze.

Edhe Rumania raporton për dronë rusë

Edhe Ministria e Mbrojtjes në Bukuresht ka bërë të ditur, se një dron rus fluturoi mbi territorin rumun të dielën në mbrëmje përpara se të hynte sërish në hapësirën ajrore të Ukrainës. Në qytetet kufitare Konstancë dhe Tulcea, ushtria dërgoi paralajmërime për popullatën në formën e mesazheve me tekst për telefonat celularë. Dy avionë luftarakë rumunë F-16 u ngritën për të vëzhguar fluturimin e dronit. Ushtria ka nisur kërkimet për mbetje të mundshme të dronëve në zonën e pabanuar të qytetit kufitar të Peripravë.

Selia e NATO-s në BrukselFotografi: Teri Schultz/DW

NATO dënon shkeljet e hapësirës ajrore

Edhe NATO ka reaguar pas njoftimeve për dronë në territorin e NATO-s. Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, rumuni Mirçea Geoana e dënoi incidentin. "Ne nuk kemi ende ndonjë informacion që tregon një sulm të qëllimshëm nga Rusia ndaj aleatëve. Por këto veprime janë të papërgjegjshme dhe potencialisht të rrezikshme," shkroi Geoana në shërbimin e mesazheve të shkurtra X, dikur Twitter.

la/ag