Libyen Internationale Gemeinschaft
23 Shkurt 2011Ne nuk dimë thuajse asgjë për gjendjen në Libi - diktatori Muamar Al-Gadafi ka bërë një punë të tërë: Sa viktima ka pasur prej sulmeve të avionëve luftarakë ndaj demonstruesve? Kush e mbështet ende Gadafin? Kush janë kundërshtarët e qeverisë? Asnjë fotografi, asnjë lajm i sigurt - asnjë emër viktimash. Libia është izoluar prej opinionit publik - dhe qytetarët e saj janë të mbyllur në Republikën Socialiste Islamike Popullore të shpikur prej Gadafit. Turp për qëndrimin e BE-së dhe regimet e saj pas debatesh për orë të tëra nuk pati as sanksione!
BE e di se me kë ka të bëjë: me një despot, i cili i konsideron si shembuj politikë Maon, Stalinin dhe Hitlerin, një mbrojtës të terrorizimit ndërkombëtar, i cili është përgjegjës për sulmet ndaj diskotekës së Berlinit La Belle dhe në Lockerbie. Për vite të tëra "Mbreti i mbretëve afrikanë" siç e quan ai veten, zhvilloi luftëra në Afrikë duke ndihmuar me armë dhe para grupime të ndryshme. Ai konsiderohet si shkaktar i destabilizimit që vazhdon ende edhe sot në pjesë të gjëra të Afrikës Qendrore.
Evropa e di këtë dhe i njeh edhe kërkesat e pamasa të Gadafit, së fundi në takimin afrikano-evropian në Tripoli. Evropa po shikon tani se çdo të thotë të bësh një njeri si Gadafi xhandar të ruajtjes së Evropës prej emigrantëve. Në radhët e refugjatëve afrikanë Libia konsiderohet si shtet policor brutal. Më tepër se dy milionë afrikanët që përpiqen të vijnë çdo vit në BE përmes Libisë mbahen nëpër kampe, të drejtat e njeriut nuk respektohen dhe ata dërgohen sërish me kamionë në vendet nga kanë ardhur. Një politikë çnjerëzore, e cila bie në kundërshtim me të gjitha normat e BE-së, dhe për të cilën BE-ja ka premtuar madje ndihma - një skandal.
Në Bruksel, Berlin, Paris dhe Madrid dëgjohej shpesh të thuhej "Ai na duhet dhe prandaj kooperojme me të". Libia është prodhuesi i katërt nga sasia i naftës në Afrikë, furnizues i rëndësishëm i Gjermanisë. Po kush bën pakt me djallin, nuk duhet të çuditet që vë në lojë kredibiltetin. Në vend të përballejes me problemet komplekse të Afrikës, është më e thjeshtë që vendet fqinjë të BE-së në jug t'i bësh të ndjekin një politikë dëbimi, pavarësisht prej të drejtave të njeriut. Ky është moral me dy fytyra, që e dëmton kredibilitetin e Evropës. BE-ja nuk duhet të mbështesë një stabilitet të rremë që bazohet tek padrejtësia dhe diktatura, si shteti i Gadafit.
Tani duhet të shpresojnë që Këshilli i Sigurimit do të mbajë një qëndrim të qartë - edhe Rusia e ka dënuar rëndë masakrën e fundjavës. Në një farë mënyre Gadafi u ka paraprirë vetë këtyre ngjarjeve me vizionin e tij të një Republike Socialiste Islamike Popullore: "Shteti i masave" që ai skicoi në vitet 70-të po vetëqeveriset dhe nuk ka nevojë për drejtues. Pikërisht për këtë po punojnë libianët. Gadafi duhet të largohet.
Autor: Ute Schaeffer
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora