OKB: Rezolutë për të zhdukurit në konfliktet e armatosura
14 Qershor 2019Rezoluta 2474 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e miratuar të martën (11.06.) i bën thirrje palëve në konfliktet e armatosura të marrin masa për të parandaluar zhdukjen e personave, sidomos të fëmijëve. Po ashtu i kërkohet palëve në konflikte, të bëjnë hetime dhe ndjekje penale, të mbledhin të dhëna dhe t’i menaxhojnë mirë ato ato, të kërkojnë personat e humbur dhe të identifikojnë të vdekurit, të kthejnë mbetjet e trupave të pajetë tek familjet dhe të nxjerrin personat që ndodhen në varret masive.
Shifrat e personave të deklaruar të humbur, prej 45 mijë vetëm vitin e kaluar, tregojnë se problemi nuk është minimalizuar. Shifrat e të humburve janë më të mëdha se sa shifrat e të regjistruave. Këshilli i Sigurimit kërkoi mbështetje më të madhe për Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, një nga partnerët kryesorë në kërkim të të zhdukurve. Në Siri (10 mijë), Nigeri (13 mijë), Myanmar, Sudanin Jugor dhe Jemen, Kombet e Bashkuara kanë raportuar për raste të shumta të zhdukjes së personave. Raste ende të pazgjidhura ka në Ballkan, Liban. Nepal dhe Sri Lanka.
Ambasadori i Gjermanisë pranë OKB, Christoph Heusgen, foli për përpjekjet e bëra në Gjermani për të gjetur vendndodhjen e të afërmve të refugjatëve dhe migrantëve nga Afganistani, Siria, Somalia dhe Eritrea. Ai theksoi rëndësinë e mekanizmave ndërkombëtarë për të luftuar krimet kundër njerëzimit.
Kosova dhe Serbia ende në kërkim
Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Guy Allen, i kërkoi Kosovës dhe Serbisë të zgjidhë fatin e 17 mijë personave të humbur në konfliktet e ish-Jugosllavisë.
Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar punon për çështjen e të humburve që prej 1998-1999, duke mbledhur informacione direkt nga familjet e të humburve. “Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka luajtur një rol aktiv në kërkimin e personave të humbur në burgje, spitale, varreza dhe varret masive,” i tha organizata Deutsche Welles. KKKN drejton grupin e punës midis Prishtinës dhe Beogradit, që nga viti 2004.
Organizata ndihmon autoritetet lokale për rritjen e kapaciteteve investiguese dhe ekspertizë në vend, ndihmon familjet e personave të humbur me programe psiko-sociale, ngritjen e organizmave të duhur dhe financimin e aktiviteteve.
Kërkimi informacioneve edhe në arkivat ndërkombëtare
KKKN mbështet kërkimin për gjetjen e personave të humbur në rastet e pazgjidhura, duke kërkuar në arkivat ndërkombëtare, të OKB, BE, KFOR-it. Pjesa më e madhe e personave të zhdukur janë gjetur pas identifikimit të mbetjeve të trupave pa jetë në varret individuale dhe masive në Kosovë dhe Serbi. “Vështirësi ka patur në identifikimin e mbetjeve të trupave pa jetë,” thotë organizata për Deutsche Wellen. Një grup pune me ekspertë hetimor nga Beogradi, Prishtina dhe komuniteti ndërkombëtar është duke punuar me çështjet hetimore.
KKKN i tha Deutsche Welles se: “Kosova ka zgjidhur shumë raste të personave të humbur. 73 përqind e rasteve janë zgjidhur, 27 përqind janë raste të vështira për të gjetur vendin dhe bërë identifikimin.”
“Mungesa e informacioneve për vendet e varreve është arsyeja pse procesi është ngadalësuar,” shpjegon KKKN. Vitin e kaluar ka nisur një projekt 5 vjeçar për mbledhjen e informacioneve tek shtetet përkatëse dhe organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjashtë punonjës janë duke mbledhur informacione në arkivat ndërkombëtare. Mbas marrjes së informacioneve, autoritetet kombëtare duhet të procedojnë me rastet, thotë Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.