1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet e parakohshme në Gjermani mbahen në 23 shkurt

12 Nëntor 2024

Grupet parlamentare të socialdemokratëve, SPD me CDU/CSU kanë rënë dakord për këtë datë. Datën e zgjedhjeve parlamentare pritet ta konfirmojë Presidenti i Gjermanisë.

Deutschland Berlin 2024 | Bundestag debattiert über 35 Jahre Mauerfall und mögliche Neuwahlen
Fotografi: Christoph Soeder/dpa/picture alliance

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Gjermani pritet të mbahen mbahen më 23 shkurt. Për këtë kanë rënë dakord grupi parlamentar i SPD dhe CDU/CSU, u bë e ditur të martën nga burime parlamentare të partive. 

Kancelari  Olaf Scholz (SPD) kishte propozuar fillimisht, pas shpërbërjes së koalicionit tripartiak, një datë të re zgjedhjesh jo më vonë se fundi i marsit, ndërsa kreu i CDU-së Friedrich Merz donte që zgjedhjet të mbaheshin në janar.

Kancelari Olaf Scholz Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Tani drejtuesit e CDU/CSU, SPD, të Gjelbrit dhe FDP kanë rënë dakord t'i propozojnë 23 shkurtin 2025 Presidentit Federal Frank-Walter Steinmeier, si datë të re për zgjedhjet. Merz tha se do t'ia propozojë këtë datë, së bashku me kryetarin e grupit parlamentar të SPD, Rolf Mützenich, pasdite Presidentit të Gjermanisë. Presidenti Federal nuk pritet ta kundërshtojë këtë propozim. Steinmeier është shprehur në mbështetje të zgjedhjeve të parakohshme. Ai ka zhvilluar bisedime me të gjitha palët ditët e fundit.

Kryetari i CDU-së, Friedrich Merz e konfirmoi planin e dakorduar me SPD për t'i mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare në 23 shkurt. Kjo datë "është një zgjidhje e mirë", tha Merz para një mbledhjeje të grupit parlamentar të CDU/CSU.

Dakordimi mes socialdemokratëve dhe partive unioniste

Baza e dakordimit ishte si duket një marrëveshje midis SPD dhe CDU/CSU, pasi kreu i CDU-së Friedrich Merz hoqi dorë të hënën nga kërkesa e tij, që zgjedhjet të mbahen në 19 janar.

Friedrich MerzFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Kancelari Olaf Scholz (SPD) nga ana e tij kishte braktisur propozimin e tij fillestar për të organizuar zgjedhje të reja jo para marsit. Sipas burimeve të brendshme, këtë propozim e mbështesin edhe FDP dhe të Gjelbrit.

Kjo sjell qartësi për një nga datat pas shpërbërjes së koalicionit trepartiak. Mbetet për t'u parë se kur do të kërkojë kancelari Olaf Scholz votëbesimin në Bundestag. Sipas burimeve të ARD, Scholz pritet ta kërkojë votëbesimin në 16 dhjetor. Humbja e pritshme e votëbesimit hap rrugën për zgjedhjet e reja të parakohshme. CDU/CSU i kishte kërkuar Scholz-it ta kërkonte të mërkurën (13.11.) votëbesimin, gjë që ai refuzoi ta bënte. Nesër kancelari Scholz do të mbajë një deklaratë të posaçme qeveritare. 

Zgjedhjet në shkurt - të realizueshme nga ana organizative

Zgjedhjet në shkurt ofrojnë hapësirë të mjaftueshme kohore për organizimin e tyre. Kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve, Ruth Brand tha sot (12.11.) në një seancë të posaçme të komisionit të shqyrtimit të zgjedhjeve të Bundestagut se i konsideronte datat e shkurtit si "shumë të realizueshme për sa i përket sigurisë ligjore". Sipas saj, mbajtja e zgjedhjeve ishte “e menaxhueshme”. Ajo më parë kishte shprehur me një letër publike rezerva për datën e janarit.

Këto zgjedhje të reja mbahen pas shpërbërjes së koalicionit tripartiak mes SPD të Gjelbërve dhe FDP-së javën e kaluar (06.11.). Kancelari Olaf Scholz liroi nga detyra ministrin e Financave, Christian Lindner (FDP), duke i dalë përpara braktisjes së koalicionit prej liberalëve të FDP. Pas kësaj, FDP u largua nga koalicioni që e qeveris Gjermaninë që prej dhjetorit 2021.