Dy të vdekur në një incident me automjet në Trier
1 Dhjetor 2020Të paktën dy persona vdiqën dhe dhjetë të tjerë u plagosën në një zonë këmbësorësh në qytetin perëndimor gjerman të Trier, pasi u goditën nga një automjet të martën, bëri të ditur policia lokale.
Në një konferencë shtypi, autoritetet konfirmuan e arrestimin e drejtuesit 51 vjeçar të automjetit. Policia e landit të Rajnland-Pfalcit njoftoi se personi i arrestuar ishte nga rrethi Trier-Saarburg.
"Kemi disa persona të plagosur në zonën e këmbësorëve, të cilët u goditën nga një automjet. Automjeti është siguruar, drejtuesi i i automjetit u ndalua," pati bërë të ditur më parë policia.
Policia konfirmoi vdekjen e dy këmbësorëve, duke shtuar se të paktën 10 persona janë plagosur në incident.
Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të zonës të shmangin vendin e ngjarjes, ndërsa shërbimet e urgjencës kanë reaguar dhe kanë nisur hetimet e tyre.
Sipas raporteve të ndryshme, makina thuhet se ka lëvizur nga Porta Nigra përmes zonës së këmbësorëve drejt tregut kryesor të qytetit. Një konferencë për shtyp është njoftuar për pasdite.
Një reporter i gazetës së përditshme "Trierischer Volksfreund" njoftoi se drejtuesi i automjetit të tipit SUV kishte lënë gjurmë shkatërrimesh në tregun kryesor pranë Porta Nigra, siç shihet në tezgat e tregut. Dy helikopterë qarkuan mbi qendrën e qytetit. Shkollat në qendër të qytetit me sa duket u informuan menjëherë për incidentin.
Zyra Federale për Mbrojtjen Civile dhe Ndihmën për Fatkeqësitë publikoi një njoftim zyrtar për rrezikun. Në të thuhet se në Trier ekziston një "situatë e veçantë", zona e prekur duhet të shmanget.
Kryeministrja e landit të Rajnland-Pfalcit, Malu Dreyer shprehu tmerrin e saj për incidentin fatal në Trier dhe numrin e viktimave.
Policia e landit gjithashtu i kërkoi publikut të shmangë përhapjen e thashethemeve rreth incidentit.
"Ju lutemi mos përhapni spekulime. Informacion i besueshëm mund të merret nga stafi i @PolizeiTrier," shkroi departamenti i policisë në Twitter.
Policia e Trier gjithashtu u ka kërkuar dëshmitarëve dhe të tjerëve që të mos shpërndajnë videot që ata mund të kenë kapur në vendin e ngjarjes në mediat sociale, duke i nxitur ata që t'i dërgojnë ato drejtpërdrejt te autoritetet në vend.
Ky informacion përditësohet në vazhdimësi.
aud (dpa, rtr)