1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dyshime të forta pas tragjedisë së refugjatëve në Greqi

26 Qershor 2023

Raportime të të mbijetuarve të tragjedisë para brigjeve të Kalamatës greke ngrenë dyshime mbi variantin e paraqitur nga roja bregdetare greke. Organizatat për të drejtat e njeriut kërkojnë hetim të pavarur.

Të mbijetuar duke shkuar në autobus për t'u larguar në Athinë...
Të mbijetuar duke shkuar në autobus për t'u larguar në Athinë...Fotografi: John Liakos/InTime News/AP Photo/picture alliance

Gati është boshatisur ndërtesa e administratës së portit në Kalamata. Pas tragjedisë së rëndë para brigjeve të qytetit në jugun grek para rreth një jave qindra vetë erdhën nga shumë vende të Europës për të kërkuar për anëtarët e familjes dhe miqtë. Por ndërkohë që kërkimet për gjetjen e kufomave vazhdojnë, shpresa për të mbijetuar është shuar prej ditësh.

Në një kafe në krah të ndërtesës së portit qëndron një sirian rreth 40-vjeç, me një çantë me dokumente pranë. Prej vitesh jetoj në Gjermani, thotë ai me theks bavarez, po nuk do që t'i publikohet emri. Në dorë mban kopjen e kartës së identitetit të nipit 16-vjeçar. "Patëm para tre javësh kontaktin e fundit. E mora vesh në facebook që ka qenë në anije", rrëfen ai, duke shtuar se përditë ka qenë tek autoritetet e portit për të pyetur. Por ai nuk është as në spital, as mes 104 të mbijetuarve që marrin kujdesin mjekësor, as tek ata që janë dërguar në një kamp pranë Athinës.

Foto e ofruar nga Roja Bregdetare Greke, 14.06. tragjedia e anijes me refugjatëFotografi: Hellenic Coast Guard/REUTERS

"Bota vetëm shikon"

Natën e së martës, (20.06.2023) roja bregdetare greke kishte gjetur tre kufoma të tjera në ujë. 81 të mbytur janë gjetur dhe duhet të identifikohen. Autoritetet greke kanë filluar të marrin ndërkohë provat e ADN-së nga të afërmit. Siriani nuk e di, nëse nipi i tij ndodhet mes të mbyturve të gjetur. Motrës në Siri ai nuk mund t'i japë as këtë ditë ndonjë lajm të saktë. Shpejt ai duhet të kthehet në Gjermani të punojë, thotë ai, e me dëshirë do ta kishte ndihmuar edhe nipin për një jetë të re në Gjermani.

Megjithëse Siria në lajmet perëndimore nuk luan më ndonjë rol situata në vend mbetet e vështirë. "Njerëzve u ka ardhur në majtë të hundës lufta dhe kaosi politik. Të rinjtë duan të ikin, të fillojnë diçka me jetën e tyre." Lidhur me pyetjen, se kush mban përgjegjësi për tragjedinë, ai thotë, se "jemi të gjithë përgjegjës". Prej kaq vitesh nuk ka zgjidhje për sirianët dhe për shumë të tjerë që kërkojnë mbrojtje në Europë. "Kaq shumë të vdekur dhe bota vetëm shikon."

Policia greke arreston 9 kontrabandistë egjiptianë që akuzohen si përgjegjës për kontrabandimin e anijes që u mbyt në KalamataFotografi: Stelios Misinas/REUTERS

Pas gardhit me gjemba

Një gjysmë ore larg në veri të Athinës gjendet kampi Malasaka 2, nje qendër për regjistrimin e identifikimin e azilkërkuesve me financimin e BE. Pas gardhit me gjemba gjenden të strehuar shumë të mbijetuar të katastrofës së përmbytjes. Gazetarët qëndrojnë pas rripit të sigurisë e shpresojnë të flasin me të mbijetuarit. Procesi i regjistrimit po ecën, bën të ditur Ministria e Migracionit. Deri të mërkurën (21.06.2023) janë regjistruar 41 vetë që mund të largoheshin nga kampi. Me gazetarët nuk do të flasë njeri. "Ne i kemi këshilluar të mos flasin me gazetarët", thotë Manos Logothetis nga Ministria e Migracionit, kjo bëhet për mbrojtjen e tyre, por vendimin e marrin në fund ata vetë. Në terren të krijohet një përshtypje tjetër. Nga bisedat e shkurtra me refugjatët del se ata kanë frikë nga kontakti me gazetarët, për shkak mos e ndikojnë negativisht procesin e azilkërkimit.

Migrantët e shpëtuar në portin e Kalamatas, 15.06.Fotografi: Angelos Tzortzinis/REUTERS

Me gjasë të mbijetuar të anijes janë vendosur edhe nën presion, sipas një videoje që qarkulloi në mediat sociale, ku dy pakistanezë shikojnë përmes gardhit në kamera dhe ngrenë akuza të rënda kundër rojes bregdetare greke. Ajo ishte përpjekur të merrte nën kontroll anijen e paaftë për manovrim. Vetëm pas kësaj anija u fundos. Videoja shkaktoi debat të madh në opinionin publik. Një i mbijetuar nga kampi, me ndihmën e një përkthyesi u kontaktua përmes telefonit nga DW. Ai konfirmon variantin e dy pakistanezëve. "Ne jemi tërhequr nga një anije tjetër dhe pastaj u përmbysëm", thotë ky person në gjuhën kurde. Ai nuk e di se çfarë lloj anijeje ishte.

Roja bregdetare greke i hedh poshtë akuzat. Ka pasur përpjekje për të ndihmuar dhe për ta lidhur anijen për shpëtim me litar, gjë që u hodh në ujë nga njerëzit, ky është varianti zyrtar i rojes greke. Ministria e Marinës e ka refuzuar intervistën dhe i referohet njoftimeve për shtyp.

Akuzat kundër rojes bregdetare greke

Të dielën e kaluar (18.06.23) BBC publikoi një investigim që ngre shumë pyetje. Sipas të dhënave të një portali, që ndjek lëvizjet e anijeve, autorët janë të mendimit, se anija me refugjatë në shtatë orët para katastrofës gati nuk ka lëvizuar. Roja bregdetare e Greqisë kishte dhënë si njoftim që anija ishte në kurs të vazhdueshëm drejt Italisë. Pyetja që shtrohet është pse nuk ka një video-dokumentim të rastit, megjithëse roja bregdetare greke është e pajisur me kamera.

Roja bregdetare greke rregullisht përballet me akuzat se i bën qëllimisht të pamanovrueshme anijet me refugjatë. Me këtë pengohen njerëzit që të kërkojnë azil në BE. Shumë raste të tilla janë dokumentuar, por Athina këmbëngul se ka respektuar ligjet edhe në rastin e tragjedisë javën e kaluar. Për Chloe Powers nga organizata "Border Violence Monitoring Network" nuk mjafton që prokuroria greke ka nisur hetimet. Prej vitesh organizatat joqeveritare mbledhin e dokumentojnë të dhëna për shkeljet e të drejtave të njeriut në kufijtë e jashtëm të BE, në Greqi. Por hetimet e deritanishme, që Athina i ka kryer vetë, kanë konkluduar gjithmonë në favor të autoriteteve greke.

Një i mbijetuar takon vëllanë e ardhur nga HolandaFotografi: Stelios Misinas/REUTERS

Powers shikon edhe në rastin e tragjedisë në Kalamata pak interes ana e qeverisë për të zbardhur ngjarjen. Akuzën e autoriteteve greke për 9 egjiptianët që ndodheshin në anije dhe tani në Kalamata janë në paraburgim, Powers e quan të gabuar. Me këtë kriminalizohet migracioni i gjithi, thekson ajo. Në të vërtetë fatkeqësia e anijes është pasojë e politikës së frikësimit që do BE për të mbajtur larg azilkërkuesitm thotë Powers. "Për të pasur transparencë, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe dalë kundër dhunës sistemore në kufi, nevojiten mekanizma të pavarur hetimorë, edhe duke përfshirë aktorët e shoqërisë civile." Vetëm kështu mund të provohet, se sa janë të përfshirë institucione shtetërore brenda BE në shkeljen e të drejtave të njeriut.