E gjithë Gjermania si një "hotspot" mbidimensional
16 Mars 2007
Gjithnjë e më shumë lëvizje ka në tregun për përdorimin mobil të internetit. Ofruesit shfrytëzojnë uljen e fuqishme të çmimeve për të joshur sa më shumë klientelën.
Të jesh mobil është gjithçka. Ky parim vazhdon të mbizotërojë në degën e kompjuterave dhe natyrisht që përveç kësaj duhet që të ketë oferta për një akses sa më të shpejtë në internet të aparaturave mobile. Përdoruesi nuk duhet të jetë më i lidhur me kompjuterin në zyrë apo në shtëpi, por ai duhet ta ketë aksesin në të kudo dhe kurdoherë. E kjo po në atë mënyrë ose të paktën në formë të ngjashme sikurse është ambjentuar me aksesin e rrjeteve fikse. Kjo realizohet me komoditetin që ofron aksesi DSL, por pa lidhje fikse, pra përmes të ashtuquajturave "hotspots" apo në rrjetet lokale të "wireless-lan".
Për ta mundësuar këtë në nivel ndërrajonal, ofruesit e telefonisë mobile janë duke punuar, që mundësisht të krijohen kushtet e nevojshme për një rrjet që të mbulojë të gjithë Gjermaninë. Sa i përket telefonisë mobile synohet që për herë të parë të arrihet deri në fund të vitit shndërrimi si të thuash i Gjermanisë në një lloj "hotspot-i" mbidimensional.
Kjo bëhet së pari për arësye fare praktike: zonat rurale deri më tani pothuajse nuk janë të pajisura me UMTS dhe si rjedhojë atje duhet të përdoren sistemet më të ngadalta por më të kushtueshme GPRS. Në vend që të zgjerohen edhe më tej sistemet UMTS-së, tani në telefoninë mobile po preferohet sistemi "EDGE", një teknologji kjo që përkohësisht do të ketë shpejtësinë e ISDN-së por që është shumë më e avancuar se sistemi GPRS. Nëse ky sistem ofron një shpejtësi 50 kilobajt në sekondë, EDGE arrin deri në 220 kilobajt në sekondë.
UMTS-ja natyrisht që nuk është harruar dhe as nuk duhet të mbetet e kufizuar nëpër qytete, mendon Shtefan Heiniger nga T-mobile: "Ne kemi sot një rrjet UMTS në zonat e qyteteve dhe në ato me popullsi të dendur me një kapacitet prej 384 kilobajt dhe këtë e kemi zgjeruar në një sistem të shpejtë UMTS me 1,8 megabajt për sekondë. Tani në panairin CeBIT ne kemi një rrjet me standardin më të lartë, pra me 3,6 megabjat në sekondë, madje e kemi rritur atë në disa raste edhe në 7,2 megabajt. Kjo është njësoj sikur një lidhje DSL 1000, që e njohim prej rrejtit fiks të jetë tejkaluar shtatë fish."
Rritja e shpejtësisë ka bërë që të kapërcehet edhe problemi i interferencave midis sistemit fiks dhe atij mobil duke garantuar kështu një transferim të pastër të të dhënave. Por shtrohet pyetja se kush ka më nevojë për këto sisteme përdoruesi privat, apo në radhë të parë ekonomia dhe klientela e biznesit?
Shtefan Heniger thotë: "Si përdoruesit privatë ashtu edhe ekonomia e klientela e biznesit. Një shërbim të dhënash, duhet të jetë i aftë për tregun masiv. Njerëzit janë gjithnjë e më shumë në lëvizje, përdorimi i të dhënave po rritet me shpejtësi dhe një ndër aplikimet e para është padyshim e-maili mobil. Kjo do të thotë që ndërkohë punohet me e-mailin mobil. Përdoruesit janë edhe privatë e veçanërisht të rinj, të cilët hyjnë shpesh në chatt, që tashmë realizohet edhe mobil."
Mundësitë e përdorimit janë të mëdha, dikush do të hedhë të dhënat në internet, të tjerë duan të regjistrojnë apo të dërgojnë fotografi, ndërsa të tjerë gjatë udhëtimit duan të kenë akses në kompjuterin e firmës apo të shtëpisë për të marrë sa më shpejt informaiconin e duhur. Të gjitha këto do të jenë kurdo dhe kudo të mundshme me aksesin e shpejtë mobil.
Por kjo nuk është "wireless-lan" në mbarë Gjermaninë, mendon Shtefan Heiniger. Një arritje e tillë tani për tani është ende larg, sepse për këtë duhet të zhvillohen teknologjitë.