1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"E majta", partia e re e Gjermanisë

Marcel Fuerstenau16 Qershor 2007

Më parë Partia e Socializmit Demokratik (PDS) dhe Alternativa zgjedhore për Drejtësi Sociale ishin së bashku vetëm në parlament. Që nga e shtuna, ato janë një parti e vetme "E Majta" por me dy krerë: Lothar Bisky dhe Oskar Lafontaine

Oskar Lafontaine dhe Lothar Bisky
Oskar Lafontaine dhe Lothar BiskyFotografi: AP
16 qershor 2007 ora 16:36. Në një hotel në Berlin shpallet një rezultat historik: "Kush është kundër? Një! Kush abstenon? Dy abstenime! Kështu, partia 'E majta" u themelua!" Pastaj fillon muzika e s'ka më frena. Atmosfera është si në stadium mbas ndeshjes finale. Qindra tullumbace të kuqe me emrin e partisë së re fluturojnë në sallë. 700 delegatëtfestojnë rezultatin dhe përshëndesin me brohoritje prijësit. Njëri prej tyre është Lothar Bisky, i cili pak më vonë me gati 84 për qind të votave zgjidhet njëri nga dy kryetarët e barabartë. Në parlamentin gjerman ekziston që prej gati dy vjetësh fraksioni i dy partive të bashkuara. Prandaj edhe Bisky thotë se qysh në vitin 2005 ekziston një parti e majtë, pesha politike e së cilës, sa vete e rritet. Qëllim i saj është që të ndryshojë raportet e pushtetit politik në Gjermani dhe Evropë: "SPD (socialdemokratët) dhe CDU (unionistët) po dërgojnë gjithmonë e më shumë ushtarë nëpër vendet ku ka konflikte. Nevoja e ministrisë së brendshme për siguri po përdor disa metoda, që janë shumë të çuditshme: po mblidhen prova aromash, po përgjohen telefonata, po kontrollohen fshehurazi kompjuterat dhe po kufizohet liria e protestës, nganjëherë edhe ajo e shtypit. Ne do të jemi gjithmonë kundër këtyre. Dhe ne vazhdojmë të jemi të mendimit: Politika e koalicionit të madh është politikë e zvogëlimit të sistemeve sociale dhe demokracisë", thotë Bisky. "E Majta" synon ndryshimin e sistemit mbi bazën e ligjit themeltar, deklarton kryetari i grupit parlamentar të "Së Majtës" në Bundestag, Gregor Gysi, dhe i vërsulet SPD-së: „Ajo ka thënë se është për dhurata tatimore për koncernet, për dhurata tatimore për të pasurit, për dhurata tatimore për ata që fitojnë më mirë. Ajo është për luftëra që shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë ajo kthehet dhe u thotë pensionisteve dhe pensionistëve, të papunëve dhe të sëmurëve, se për ta fatkeqësisht nuk ka para". Për mangësi të rënda në demokraci ankohet ish-shefi i SPD-së, Oskar Lafontaine, të cilin të deleguarit e zgjodhën për kryetar të partisë krahas Lothar Bisky-t me afro 88 për qind të votave: „Gabimi i sistemeve paardhëse ishte që ata instaluan shumë pak kontroll mbi pushtetin. Kjo nuk vlen vetëm për lindjen, kjo vlen po ashtu edh epër perëndimin. Kjo vlen për shumë vende sot në botë. Kontrolli mbi pushtetin është kriteri i demokracisë", tha Laftontaine. Synimi i të majtëve është një socializëm demokratik. Gregor Gysi është i bindur që për këtë ka shumë mbështetje në Gjermani: „A t'ju dhem diçka? Ne po bëhemi më të rëndësishëm? E çë pastaj?" Por këtë do ta tregojnë zgjedhjet e ardhshme.