E mallkuar për të fituar - ISAF-i zgjeron misionin në Afganistan
1 Gusht 2006Reklamë
Bashkë me çantat e shpinës trupa ISAF, që iu drejtua jugut të Afganistanit mban në shpinë edhe një detyrë të jashtëzakonshme. Hapi që po ndërmerr NATO-ja në këtë zonë është i drejtë, por koha e papërshtatshme. Bashkësia ndërkombëtare la t'i shpëtonte momenti, kur në këtë kënd të botës mund të vinte këmbë ndonjë ushtar i trupës ndërkombëtare bashkë me sigurinë që do të largohej shëndoshë e mirë. Një gjë e tillë ishte e mundur pasi bashkësia ndërkombëtare dëboi në vitin 2001 nga Kabuli talibanët islamikë. Për fat të keq asokohe askush nuk u kujdes për zonat jomikpritëse të Afganistanit, në të cilat bën pjesë pa dyshim edhe jugu i vendit. Tani Afganistani po ecën drejt një të ardhmeje të pasigurt, sepse në të kaluarën janë bërë gabime thelbësore. Madje duket se në vend po kthehet fantazma e së kaluarës, në formln e talebanëve, që preferojnë më mirël të vrasin familje të tëra, sesa t'u lejojnë vajzave të tyre që të shkojnë nëpër shkolla. Talebanët terroristë kanë ngritur sërish krye dhe po pushtojnë fshatra në jug të Afganistanit, ku zhvillojnë për ditë përpjekje me trupat perëndimore. Shkaqet për këtë nuk janë vetëm ushtarake. Në jug të Afganistanit nuk mungonin vetëm ushtarët por edhe masat për rindërtimin. Ndërsa në Kabul po vihen re fillesat e një zhvillimi ekonomik, në jug nuk ka asgjë të tillë. Banorëve të Afganistanit u është thënë vazhdimisht që për rindërtimin e vendit janë derdhur dhe po derdhen qindra miliona dollarë. Por ata vetë nuk po shohin asgjë prej kësaj dhe për këtë nuk të çudit fakti që ata ndjehen të tradhëtuar. Gjithsesi ajo, për të cilën kanë më shumë etje banorët e Afganistanit është siguria, pas tre dekadave luftë që kanë lënë pas vetes. Trupa ndërkombëtare u ka ofruar pikërisht sigurinë dhe në rast se nuk e realizon këtë, ajo do të bëhet e pabesueshme. Tani NATO-ja po mundohet t'i bëjë gjërat më mirë dhe hapi i saj drejt jugut është tepër i madh, por i drejtë. Shpresa të japin dy faktorë: së pari më në fund numri i ushtarëve në Afganistan thuajse do të dyfishohet. Së dyti tani do t'i kushtohet më tepër vëmendje kontaktit me vendasit dhe rindërtimit të vendit. Gjithsesi fillimisht ushtarët e NATO-s do të përpiqen për rivendosur rendin dhe sigurinë. Një detyrë e vështirë kjo, por jo e pamundur. NATO-ja në një farë mënyre është e mallkuar të fitojë, por punon kundër shumë rrymave dhe ka nevojë për frymëmarrje të gjatë. Për fat të keq NATO-ja punon edhe kundër kohës, sepse Afganistani po bëhet gjithnjë e më i paduruar. Në rast se së shpejti nuk do të regjistrohen suksese, atëhere perëndimi mund të humbasë besimin që gëzon në radhët e popullsisë afgane. Pikërisht tani do të vendoset nëse Afganistani do të ketë një shans për të ardhmen, megjithë gabimet e së kaluarës.
Reklamë