E ngopur me dije shoqëria e dijes?
12 Shtator 2012Me "Raportin për Arsimin 2012", Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD) ka futur një indikator të ri, për të matur arsimin dhe për t'i bërë të krahasueshme sistemet arsimore. Ky indikator quhet "fleksibilitet arsimor në breza". Shifra konkrete e bëjnë të qartë se çfarë kanë pasur parasysh me këtë formulim: në Gjermani janë 20 përqind e të rriturve në moshë të re që mbarojnë shkolla më të larta se prindërit e tyre, ndërsa 22 përqind e tyre mbarojnë shkolla të niveleve më të ulëta nga prindërit. Vlerat janë më të dobëta se mesatarja e OECD-së, e cila është 37 e përkatësisht 13 për qind.
Këto shifra, sekretarja e shtetit në Ministrinë Federale të Arsimit, Cornelia Quennet-Thielen nuk dëshiron t'i lërë pa i komentuar. "Raporti Kombëtar i Arsimit jep shifra të tjera", thotë Quennet-Thielen. Në të shkruhet se shifra e atyre që përfundojnë shkolla më të larta se prindërit është 40 për qind, ndërsa shifra e atyre që përfundojnë shkolla më të ulëta se prindërit është 13 për qind. Veç kësaj duhet shtruar pyetja nëse një okulist i kualifikuar është më pak i vlefshëm se një akademik.
Berber- shkollë e lartë?
Përsa i përket kuotës së atyre që nisin studimet në Gjermani në fushën universitare dhe në shkollat e larta profesionale ajo është në nivelin 42 për qind. Mesatarja e OECD-së është 61 për qind. Vendet e para në rang botëror i zënë Australia, Islanda dhe Portugalia. Mosmarrëveshja për kuotën e akademikëve në Gjermani, të kritikuar si të ulët nga OECD-ja, nuk është e re. Quennet-Thielen e kritikoi OECD-në në këtë pikë se nuk e kupton si duhet sistemin dual të arsimit në Gjermani. Nuk janë vetëm matura dhe studimet e larta arsimimi i duhur.´
"Këtë OECD-ja vërtet që e sheh ndryshe, por kritika e saj nuk kthehet në kritikë të drejtë meqë përsëritet vazhdimisht." Kërkesat që i vijnë Gjermanisë për të dhënë këshilla nga Evropa Jugore dhe vendet në ekspansion ekonomik tregojnë qartë se rruga gjermane nuk mund të jetë kaq e gabuar. Veç kësaj, studimet e larta nuk janë të barabarta kudo me studime të larta. Në Britaninë e Madhe mund të bësh studime të larta edhe për berber. A është kjo e krahasueshme me një akademik gjerman, pyeti në formë retorike Quennet-Thielen.
Shifrat e ulëta të papunësisë tek të rinjtë janë një dëshmi tjetër për efektivitetin e lartë të sistemit arsimor gjerman, tha sekretarja e shtetit. Me 7,9 përqind, Gjermania rezultoi në qershor 2012 vendi me papunësinë më të ulët në BE tek nën 25 vjeçarët.
Po, por...
Si përfaqësuese e OECD-së, drejtoresha e arsimit, Barbara Ischinger nguli megjithatë këmbë në kritikën e saj. "Ne jetojmë në një shoqëri të dijes dhe kemi nevojë për shkencëtarë, prandaj Gjermania ka para vetes detyra të mëdha." Natyrisht që toni i përgjithshëm i raportit është pozitiv për Gjermaninë.
"Gjermania ka bërë përpjekje, por në botë ka ndodhur shumë, vende të tjera kanë ecur përpara më shpejt."
Gjermania i ka rritur shpenzimet për arsimin. Por ajo vazhdon të ndodhet nën mesataren e OECD-së. Një renditje të përgjithshme për vendet e ndryshme, drejtorja e OECD-së nuk dëshiron të publikojë. Sepse këtu duhet parë në mënyrë të veçuar secili nga indikatorët.