E pushtuar, por jo e mundur
1 Mars 2014Në hendekët në pjesën belge të Flandrës, midis betejave të përgjakshme të Luftës së Parë Botërore bëhej art. Piktura, skulptura, zbukurime, lodra, gdhendje. Të gjitha këto, ekspozita në muzeun e ushtrisë belge i tregon me një pamje të habitshme artistike. "Ushtarët që kalonin javë ose muaj në pozicione kishin kohë dhe shumë mërzi", mendon Elie Barnavi, njëri nga drejtuesit kryesorë të ekspozitës. "Këto pjesë nuk duhet të tërheqin vëmendjen nga tmerret e kasaphanës, por tregojnë një pjesë të përditshmërisë së panjohur", i tha ai Deutsche Welles në hapje të ekspozitës.
Belgjika e imituar
Një pijetore belge, një dyqan me ndihma amerikane, një burg, komandatura gjermane dhe një pjesë e sistemit të hendekëve të mbrojtjes janë pasqyruar me përmasa reale dhe mund të preken nga vizitorët. Urinë, luftën për mbijetesë të popullatës dhe sundimin represiv të gjermanëve prej vitit 1914 deri më 1918 e bën të qartë kjo ekspozitë qendrore belge. "Kjo ndryshon nga ekspozitat e tjera në Belgjikë, sepse tani mësojmë diçka edhe për vendin e pushtuar, jo vetëm për frontin. Kjo është hera e parë", tha Bruno de Hever, historian dhe këshilltar shkencor i muzeut. Për ta bërë të qartë se si mund të vinte puna deri te lufta, Bruno de Wever dhe kolegët e tij tregojnë edhe kohën para verës 2014. Ekspozitën Botërore në Bruksel në vitin 2010 për shembull, në të cilën Evropa e feston veten si sundimtare në perandoritë e përbotshme në fushat e teknikës, ekonomisë dhe artit të ndërtimit.
Përmendet edhe konflikti midis Perandorit gjerman Wilhelm II, i cili zhvillon si të thuash luftë kundër familjes së vet. Sepse monarkët evropianë pak a shumë qenë të gjithë kushërinj me njëri-tjetrin. Edhe Mbreti i belgëve, Albert I ishte kushëri me Wilhelmin II të Hohenzollernve. Marrëdhënia tragjike e dy burrave tregohet edhe në ekspozitë. Në fund, Perandori Wilhelm II detyrohet të abdikojë i mundur. Albert I bëhet hero, sepse e kishte çuar personalisht në front ushtrinë belge dhe organizoi rezistencë nga qoshja e fundit e lirë e Belgjikës.
Përditshmëria në vendin e pushtuar
Fokusi ynë ndodhet në jetë e përditshme dhe në botën e zhdukur për shkak të kësaj lufte. Por bëhet fjalë edhe për botën që lindi pas kësaj lufte", u shpreh historiani nga Tel Avivi, Elie Barnavi. Pas Luftës së Madhe pasuan totalitarizmi dhe një Luftë katastrofale e Dytë Botërore. Por nga këto gërmadha u rritën Evropa e re dhe një epokë e gjatë e papërfytyrueshme paqeje, e cila zgjat deri sot. Ekspozita "Expo 14-18" synon të tregojë se si nacionalizmi i shtuar dhe pamundësia në krye të shtetit çuan në luftë dhe në kasaphanë në Belgjikë.
"Ekspozita 14-18. Është historia jonë!" mund të shihet në muzeun e ushtrisë në Bruksel deri më 26 prill.