1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E tashmja ndëshkon injorimin e historisë! Turqia, Evropa dhe çështja armene

Baha Gynger22 Prill 2005

Para 90-vjetorit të gjenocidit ndaj popullsisë armene në Turqisë e sotme, bundestagu gjerman ka kërkuar nga Ankaraja një rivlerësim të historisë. Debati u ndez pas paraqitjes në parlamentin gjerman të një kërkese të partive opozitare gjermane,CDU, CSU. Në bundestag, të gjitha fraksionet kanë theksuar se nuk duhen harruar 1,5 milionë viktimat e armenëve. Përveç kësaj Turqia duhet të ndeshet me historinë e vet

"Kush flet sot ende për shfarosjen e armenëve?" Në 22 gusht 1939, pak para sulmit ndaj Polonisë, Adolf Hitler justifikoi para oficerëve të rangut të lartë, me këtë fjali cinike strategjinë e tij të shfarosjes. Sot gjermanët flasin sërish për fatin tragjik të armenëve në vitet 1915, 1916 në kohën e rënies së perandorisë osmane. Por sot gjermanëve ju intereson rishkimi i këtij kapitulli të errët të historisë, me qëllim të parandalimit të krimeve të ardhshme kundër njerëzimit. Është e rëndësishme të krijohet kultura e memorjes shoqërore. Madje është e rëndësishme që Turqisë t'i bëhet e qartë përgjegjësia e saj për vështrimin e drejtë historik të çështjes armene. Gjermania gjithashtu ka pjesën e vet të përgjegjësisë për vdekjen e qindra-mijë njerëzve në Anadoll, kjo në kompleksin e kulturës së memorjes. Sepse udhëheqja e atëhershme e Rajhut ka qenë tërësisht e ingranuar në planet e eliminimit, por me vetëdije ruajti distancën. Kujtojmë këtu se edhe komanduesi i lartë osman, Ministri i Brendshëm, Talat Pasha, u vra nga një armen, pikërisht në Berlin.
Kanë kaluar tashmë 90 vjet pas arrestimit të armenëve në Stamboll dhe deportimit të tyre në Anadoll. Deportimi dhe dëbimi atëherë patën pasoja mjaft tronditëse: Shumë armenë nuk i rezistuan dot sfilitjeve të rrugës ose u vranë nga sulmet e turqve dhe kurdëve.

Por edhe në Turqi kanë mbetur të paharruara sulmet e armenëve të armatosur, që patën si pasojë vdekjen e mijëra turqve. Kjo nuk tematizohet në vendet e tjera për arsyen se humbjet e armenëve dhe minoriteteve të tjera të fesë kristiane qenë shumë më të mëdha se ato të turqve.

Po si vepron Gjermania me një temë të tillë? Në kërkesën e partive të Unionit për fatin e armenëve, u mënjanua qëllimisht nocioni i "gjenocidit", i refuzuar kategorikisht nga Ankaraja. Oratorë të fraksioneve të ndryshme theksuan, se Turqia duhet të shohë në sy historinë e saj, por nga ana tjetër ky vend nuk duhet dërguar për këtë në bankën e të akuzuarve. Në rast se kjo inisiativë shërben për të thyer tabutë në Turqi dhe për të nxitur më tej procesin e maturimit të Turqisë drejt Bashkimit Evropian, atëherë ajo duhet parë me respekt. Por ekziston megjithatë dyshimi, se CDU dhe CSU, synojnë të përdorin çështjen armene me qëllim të krijimit të një antifronti për mospranimin e Turqisë në Bashkimin Evropian.

Në debatin për armenët nuk duhet harruar, se edhe këndvështrimet janë tërësisht të ndryshme, se edhe turqit mbajnë mbi vete një lloj traume. Deri në vitet 80-të terroristë armenë kanë vrarë dyzina diplomatësh turq. Mne siguri nuk mund të thuhet, se këta terroristë për vrasjet e tyre kanë pasur një mandat nga populli armen. Por terrori i atëhershme ka vulosur deri më sot opinionin e shumë turqve për armenët, dhe vështirëson kështu rivlerësimin e fatit të tyre tragjik në kohën e Luftës së Parë Botërore.

Megjithatë debatet që janë iniciuar në Gjermani dhe Evropë, kanë pasur efektin e vet. Ato së paku kanë ndikuar në zbutjen e kësaj tabuje. Gazetat turke këto ditë janë mbushur me artikuj të studiuesve, historianëve dhe intellektualëve, të cilët nuk e kursejnë kritikën edhe për palën turke. Tanimë duhet që të ngrihen grupe specialistësh të pavarur, të njohur në shkallë ndërkombëtare, të cilët do t'a ndriçojnë këtë debat nga pikëpamja e fakteve.
Këto ditë Turqia duhet të mësonte, se e tashmja e ndëshkon injorimin e së shkuarës, sepse historia nuk mund të hidhet aq kollaj pas shpine apo të zbukurohet me fjalor të përzgjedhur. Por çështja armene nuk duhet të instrumentalizohet kundër një pranimi të Turqisë në Bashkimin evropian.