180811 Studentenleben Wohnen
19 Gusht 2011
Sidomos këtë vit mund të ketë më shumë vështirësi, sepse universitetet gjermane presin këtë semestër një dyndje studentësh. Dy lande gjermane për shkak të shkurtimit të kohës së gjimnazit nxjerrin njëherësh dy gjenerata maturantësh.
Por ku dhe si jetojnë studentët në qytetin studentor të Këlnit?
Tijana Milunoviç është studente Serbia. Ajo e ka gjetur dhomën përmes qendrës studentore. 25 vjeçarja nuk ka pasur shumë fat me dhomën, sepse ka zbarkuar në një dhomë të tipit kazermë, një tip i vjetër konviktesh ky në Gjermani. Ajo përshkruan kështu dhomën e saj, nr.23. "Këtu është një raft, në anën tjetër kemi lavamanin, këtu është një dollap për rrobat, krevatin tek, pak i vogël për shijen time. Pastaj edhe një tavolinë të madhe pune, një dhomë 10 apo 11 metërkatrorë, asgjë më shumë."
Zëdhënësja e Qendrës studentore të Këlnit, Cornelia Gerecke shpjegon se shumë studentë sot kanë kushte më komfortable se më parë, dy tre ose maksimumi katër vetë ndajnë një aparment në konvikt. Gerecke: "Tek ne ka kuzhina të kompletuara, dy banja, ballkone për të gjithë dhe dhomat duhet të jenë të paktën 17 metërkatrorë. Qiraja rreht 231 euro, ku janë përfshirë edhe uji dhe dritat. Kaq lirë nuk mund të gjesh asnjë banesë në tregun imobiliar."
Në qendrën e informimit studentor pak para fillimit të semestrit dimëror ka radhë. Aty ndahen vendet e konvikteve. Disa studentë thonë se është mundësia më e mirë që mund të gjejë një student, sepse konviktet janë të lira dhe gjen shoqëri.
Kush nuk gjen konvikt e ka më të vështirë
Sipas qendrës studentore rreth 12% e studentëve jetojnë në konvikte. Kush nuk gjen vend në konvikt duhet të kërkojë një çati mbi kokë diku tjuetër. Rreth 37% jetojnë së bashku me partnerë, dhe rreth 25% ndajnë apartamentë privatë bashkë me studentë të tjerë, apo jetojnë bashkë me prindërit. Studenti i mjekësisë, Harold Steguweit pas një semestri jashtë Gjermanisë, është kthyer të banojë tek nëna.
Haroldi: "U bë nga nevoja. Kjo është edhe një çështje pagese për një student." Banesa e tij është shumë afër universitetit dhe Haroldi nuk ka nevojë të paguajë qira. E megjithatë ai ankohet. "Hëm, mbetesh gjithmonë fëmijë. Duhet gjithmonë të përshtatesh me familjen. Fillon kështu: Po pse nuk erdhe para orës 24:00 në shtëpi? deri tek pastroje edhe njëherë dhomën!"
Ai ka kohë që kërkon apartament për vete, por në Këlnin metropolitan nuk është aq e lehtë të gjesh një të përshtatshëm. 64.000 studentë jetojnë në Këln, konkurrenca është e madhe. Haroldi: "Apartamentet e vogla janë shumë të shtrenjta, krahasuar me atë çfarë offrojnë. Problemi është që shumica e qiradhënësve nuk kanë shumë dëshirë të fusin studentë, kështu që një që sapo ka zënë vend pune prefererohet më shumë."
Studenti i gjeografisë, Vitali ia ka dalë të gjejë një garzoniere. Por kjo ka kërkuar kohë. "Kam kërkuar gjithkund. Tre muaj duhen llogaritur patjetër, shpejt nuk gjen gjë, unë banoj së bashku me të dashurën, kështu kursejmë qira."
Konviktet kanë atmosferën e botës
Ndërsa Tijana Milunoviçit as nuk i shkon ndërmen të marrë një apartament më vete. Është shumë shtrenjtë për të. Për të nuk është problem që në konvikt të gjithë duhet të pastrojnë. Ka një plan pastrimi dhe shërbim kuzhine. Debate ka herë pas here, sepse jo çdokush i respekton ato. Kur ka konflikte atëherë ndërhyn edhe qendra studentore, me një ndërmjetësues. Për studentët e huaj ka një shërbim të posaçëm, thotë zëdhënësja, Cornelia Gerecke.
Gerecke: "Kemi një person përgjegjës për këtë në sektorin e konvikteve që kujdeset për studentët e huaj. Rreth 37% e studentëve në konvikte janë të huaj. Por ne përpiqemi edhe në konvikte të kemi përzierjen e duhur, që të mos kemi geto."
Tijana ndjehet shumë mirë me bashkëbanues nga e gjitha bota: "Kam njohur njerëz të mrekullueshëm. Këtu jam e huaj dhe kam nevojë për miq të rinj- në një qytet të ri. Kemi një atmosferë multi-kulti këtu, në paqe, tolerancë dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, - e sikur e gjithë bota të ishte kështu, atëherë do të ishte një vend i mrekullueshëm."
Autor: Suzanne Cords/Lindita Arapi
Redaktoi: Esat Ahmeti