1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ecejake të shpeshta diplomatike në Prishtinë

Bekim Shehu14 Qershor 2007

Tre diplomatë perëndimor, ministri i jashtëm italian, Masimo D'Alema, i ngarkuari amerikan për çështjen e Kosovës, Frank Uisner dhe drejtori për Evropën në ministrinë e jashtme britanike, Antony Smith qëndrojnë sot në Kosovë

Massiomo D'Alema
Massiomo D'AlemaFotografi: AP

Blloku perëndimor përfshirë edhe SHBA-së po zhvillojnë një fushatë intesive diplomatike për të përmbyllur me sukses çështjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës sa më shpejtë që të jetë e mundur. Kështu tha në Prishtinë, drejtori për Evropën në Ministrinë e Jashtme Britanike, Antony Smith. Udhëheqësve politik kosovar ai u ka shprehur qëndrimin se Britania e Madhe, e mbështet pa rezervë planin e Marti Ahtisarit. Ajo angazhohet që ky plan të miratohet në KS-it, përmes një rezolute: "Ajo që duam ne dhe për të cilën po angazhohemi në Nju Jork është që të kemi një rezolutë për statusin e Kosovës që ka për bazë planin e Ahtisarit, e cila do të ketë mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit në mënyrë që mos të ketë bllokada", tha Antoni Smith.

Sipas tij rezoluta do të ishte e dobishme për perspektivën evropiane të Kosovës, sepse menjëherë pas vendimit për statusin, Kosova duhet të fillojë procesin e integrimit në strukturat euroatlantike. Diplomati britanik tha se propozimi i presidentit francez, Nikola Sarkozi, për një shtyrje të zgjidhjes së statusit për gjashtë muaj, është një propozim që po diskutohet nga diplomatët në Nju Jork, mirëpo, nuk tha se çështja e zgjidhjes së statusit do të shtyhet.

Udhëheqësit politik kosovar janë shprehur sot se ata do të vazhdojnë të jetë palë konstruktive me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që procesi i zgjidhjes së statusit të finalizohet në Këshillin e Sigurimit. Kryetari i PDK-së, në opozitë, Hashim Thaqi, anëtar i grupit negociator, thotë se përmbyllja sa më shpejt e zgjidhjes së çështjes së Kosovës do të jetë në interes të stabilitetit rajonal.

Mjaft diplomatë perëndimorë po vizitojnë Kosovën duke përcjellë mesazhin se ata angazhohen që zgjidhja e statusit të përmbyllet nëpërmjet KS-it. Këtë mesazh pritet ta sjellë në Prishtinë në orët e mbrëmjes edhe ministri italian i punëve të jashtme, Masimo D'Alema. Ai është deklaruar se Italia përkrah fuqishëm planin e Marti Ahtisarit.

Në të njetën linjë pritet të jetë edhe i ngakuari amerikan në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Frank Uisner, i cili poashtu në mbrëmje do të arrijë në Prishtinë. Frank Uisner, thuhet se do të kërkojë nga udhëheqësit politik kosovar dhe qytetarët e Kosovës që ta ruajnë qetësinë në këtë kohë të mbetur të zgjidhjes së statusit, ndërsa, në Paris gjatë takimeve me diplomatë evropian, ai ka përsëritur qëndrimin e presidentit Geroge Bush, se Kosova në fund të fundit do të jetë një vend i pavarur.