Edhe larg edhe pranë BE - Theresa May konkretizon Brexit-in
3 Mars 2018Britania e Madhe duhet të marrë vendime të ashpra, tha Theresa May në fjalimin e saj themelor për Brexit. Sipas fjalëve të kryeministres britanike, Theresa May vendi i saj synon marrëdhënie të zgjeruara me BE edhe pas largimit të vendit nga unioni europian. Kjo është edhe në interesin e BE-së, tha May të premten në Londër. Marrëveshja post Brexit duhet të fiksojë bashkëpunimin në shkallë të gjerë si „çdo marrëveshje tjetër tregtare në botë" dhe të përfshijë mjaft sektorë. Britania e Madhe kërkon marrëdhënie të ngushta ekonomike me BE edhe pas Brexit, dhe do mund edhe në të ardhmen të respektojë rregulloret e konkurrencës dhe ato të ndihmave financiare të BE. „Ne nuk duam futjen e doganave apo kufizime", theksoi May. Në të njëjtën kohë Britania e Madhe do që të jetë e lirë të përmbyllë marrëveshje tregtare të vetat me vende të treta. Kryetarja e qeverisë britanike e përjashtoi pjesëmarrjen në unionin doganor. Në të njëjtën kohë ajo synon një marrëveshje doganore me BE, që i bën të pavlefshme kontrollet kufitare. Kjo do të mundësohet nga zgjidhje teknologjike dhe ujdi të bazuara në mirëbesim. Për të mos penguar fluksin e mallrave në kufi, ajo synon marrëveshje të ngushta me BE në sektorët e rregullimit dhe standarteve. Pra May nuk kërkon union doganor, por si edhe më parë tregti që rrjedh pa pengesa. Në BE kjo është quajtur "zgjedhje e stafidheve"
Jo kufi i prerë në Irlandë
Brexit nuk duhet të rrezikojë procesin e paqes në Irlandën e Veriut, theksoi May. Ajo u shpreh se është në përgjegjësinë e BE dhe Britanisë së Madhe që të mos vendoset një kufi i prerë me Irlandën. May bëri të qartë, se çdo rregullore që vendos kufij apo kontrolle doganore mes Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Britanisë së Madhe është e papranueshme. Ajo po ashtu e bëri të qartë, se nuk synon të marrë asnjë nga modelet ekzistuese për partneritetin e ardhshëm me BE pas Brexit. Ajo as nuk është për një marrëveshje tregtare si ajo mes BE dhe Kanadasë, por as për një anëtarësi në tregun e brendshëm europian sipas modelit norvegjez. Sipas vëzhguesve, me këtë May e zhgënjeu sërish Brukselin që pret një pozicion të qartë.
Megjithatë kryenegociatori i BE-së për Brexit, Michel Barnier e përshëndeti fjalimin e Theresa May si një hap drejt një marrëveshjeje të ardhshme. Qartësia për largimin e Britanisë së Madhe nga tregu i brendshëm europian dhe unioni doganor do ta ndihmonte BE për të përpiluar pikat e saj për një marrëveshje të tregtisë së lirë, shkroi Barnier në tëitter. Britania e Madhe do të largohet nga BE në mars të vitit 2019.
la/(rtr, dpa, afp)