1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edhe librat heshtin? Përballja me të shkuarën e afërt në Serbi

19 Mars 2011

Në libraritë e Beogradit rrallë gjenden autorë që trajtojnë temat nga e kaluara e afërt e Serbisë. Autorët në rajon ka kohë që kanë filluar të merren me tema që trajtojnë këtë çështje. Përse nuk është kështu në Serbi?

Libra në panairin e BeograditFotografi: DW

Një prej shkrimtarëve i cili është marrë me temat që trajtojnë krimet e luftës është Sreten Ugriçiqi, romancier dhe drejtor i Bibliotekës Popullore të Serbisë. "Nganjëherë më paraqesin edhe si astronom për shkak se kam shkruar librin "Hyrje në astronomi". Bëhet fjalë për qëndrimin tim ironik ndaj atyre që ende besojnë që serbët janë popull hyjnor. Natyrisht, kushdo që merret me këtë popull automatikisht bëhet astronom."

Sreten Ugriçiq bën pjesë tek autorët që me vite lufton kundër shoqërisë, e cila nuk pranon të përballet me krimet e luftës. Në romanin e tij të ri "Heroi i panjohur", një lolo i oborrit mbretëror thotë se serbëve gjithçka iu bie ndërmend vetëm për të mos ndryshuar qëndrimin e tyre ndaj të vërtetës

.

Pamje nga BeogradiFotografi: dpa

Ugriçiq: Serbia është humbëse edhe nga ana morale

Megjithatë është fakt se është në rritje numri i autorëve serbë që shkruajnë për të kaluarën e afërt. Këtu bën pjesë edhe Vladimir Bajac dhe Vladimir Pishtalo, të cilët me lexuesin komunikojnë përmes alegorisë dhe metaforës. "Është paradoks se krijohet përshtypja që trauma jonë është më e thellë se ajo e kroatëve, e boshnjakëve apo e shqiptarëve të Kosovës. Përse? Për shkak se ne kemi pësuar një humbje morale. Ne kemi mundur vetveten. Pasi që të tjerët nuk e kanë pasur këtë problem kanë mundur më herët të fillojnë të merren me të kaluarën e afërt edhe në fushën e letërsisë. Por ky nuk është justifikim. Përkundrazi. Pikërisht për shkak të faktit se kemi të bëjmë me një humbje kaq të thellë ne e kemi për detyrë që ballafaqimin me këtë temë ta vendosim në plan të parë", thotë Ugriçiq.

Me këtë temë zakonisht merren autorët e rinj dhe atë në rrafshin poetik, politik dhe provokues. Dragana Mladenoviq është poetesha e parë që ka botuar një përmbledhje poezish që trajton krimet e luftës. "Mendoj se është diçka e vjetëruar të shkruash për raportet ndërnjerëzore. Unë e kam përjetuar personalisht se si një kriminel lufte kishte gjetur strehim tek një familje që e njihja. Atëherë e kam kuptuar se njerëz të tillë ka kudo. Ky kriminel i luftës në poezitë e mia është përfaqësues i të gjithë atyre", thotë Dragana Mladenoviq. Libri me poezi "Të Afërmit" i Dragana Mladenoviqit me ballafaqimin e saj të guximshëm me të kaluarën e afërt shënon një risi në letërsinë serbe.

Autor: Mirko Shvanic / Zheljka Bashiq Saviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi