1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edhe më shumë kompetenca Brukselit?

Reinhard Kleber / Eliana Xhani26 Qershor 2012

Me deklaratat e tij për të kaluar më shumë kompetenca kombëtare në Bruksel, ministri gjerman i Financave Schäuble ka shkaktuar një debat të ashpër. Politikanë dhe konstitucionalistë thonë se për këtë mungon baza ligjore.

Fotografi: Fotolia/Xuejun li

Sa më shumë afrohen samiti i BE-së në Bruksel dhe votimet në Bundestag dhe Këshillin e Landeve për paktin fiskal evropian, aq më i gjallë bëhet diskutimi i politikanëve dhe konstitucionalistëve në Gjermani për çështje me rëndësi themelore. Sa zhvendosje kompetencash në Bruksel lejon kushtetuta gjermane? A duhet të votojë popullsia për një zhvendosje të tillë kompetencash?

Kryetari i komisionit parlamentar për politikën e brendshme, Wolfgang Bosbach (CDU) ka pozicion të qartë: "Unë jam kundër zhvendosjes në Bruksel të atyre kompetencave të Federatës që reduktojnë në mënyrë masive thelbin e mundsisë vepruese të politikës në Gjermani." Për gazetën "Frankfurter Rundschau" Bosbach tha se transferimi i kompetencave që tani ka arritur kufirin e asaj që lejon kushtetuta. "Nëse ne i kalojmë institucioneve evropiane të drejtën themelore të parlamentit, të drejtën për buxhetin, atëherë prekim thelbin e ligjit tonë themelor. Për këtë nuk mund të vendosin vetëm Bundestagu dhe Këshilli i Landeve (Bundesrat). Kjo gjë nuk mund të bëhet pa miratimin e popullsisë." Në të njëjtën kohë ai paralajmëroi se një hap i tillë "ka të ngjarë të jetë i pakthyeshëm".

Në foto, Wolfgang BosbachFotografi: picture-alliance/dpa

Schäuble hedh topin në fushë

Më parë kolegu i tij në parti, ministri i Financave Wolfgang Schäuble, ishte shprehur se një referendum vitet e ardhshme nuk përjashtohet më. Në një intervistë për "Spiegel", Schäuble u shpreh se për të ishte realiste që populli gjerman të vendosë në një referendum nëse shtetet anëtare të BE-së duhet t'i kalojnë më shumë kompetenca Bashkimi Evropian. Duke pasur parasysh domosdoshmërinë e integrimit të mëtejshëm politik të vendeve të BE-së, Schäuble tha se konsideron të mundshme që brenda pak vjetësh të paraqitet një kushtetutë e re, për të cilën duhet votuar në referendum.

Ish gjykatësi i Kushtetueses, Hans-Joachim Jentsch, shkon madje më larg: ai konsideron të pashmangshëm referendumin për kalim kompetencash thelbësore. "Pa dyshim, nëse e transformojmë Bashkimin Evropian në një shtet federal kjo në Gjermani nuk është e mundur me kushtetutën aktuale", tha Jentsch për gazetën "Mitteldeutsche Zeitung". Sipas Jentsch: "Ne, populli gjerman, duhet të kemi një kushtetutë të re që e lejon këtë."

Në foto, ish gjykatësi i Kushtetueses, Hans-Joachim JentschFotografi: dpa

Ngjashëm shprehet edhe konstitucionalisti Christian Kirchberg. "Nëse dorëzohen në masë të madhe të drejta sovraniteti tek instancat mbikombëtare, kjo nuk mund të bëhet me ligjin aktual themelor", tha ai për "Stuttgarter Nachrichten".

Gjithnjë e më shumë politikanë përkrahin idenë e referendumit

Edhe ish ministri gjerman i Financave, socialdemokrati Peer Steinbrück, pret që integrimi i mëtejshëm evropian të sjellë një referendum. E majta gjithashtu e konsideron të domosdoshme një votë popullore nëse Gjermania i dorëzon gjithnjë e më shumë kompetenca Brukselit. Por kancelarja Angela Merkel nuk dëshiron të forcojë me një referendum të parakohshëm në Gjermani kompetencat në rritje të BE-së.

Në samitin e BE-së në Bruksel kryetarët e shteteve dhe qeverive të enjten dhe të premten zhvillojnë konsultime për krizën evropiane të borxheve dhe politikën buxhetore evropiane. Të premten në dhomën e ulët dhe të lartë të parlamentit gjerman, Bundestag dhe Bundesrat, votohet për ratifikimin e paktit fiskal evropian për më shumë disiplinë buxhetore si dhe për fondin e ri për shpëtimin e euros ESM.

Pamje simbolikeFotografi: AP

Shumica e nevojshme prej dy të tretash për paktin fiskal konsiderohet e sigurt në të dyja dhomat. Merkel synon një shumicë të tillë edhe për miratimin e ESM-në në Bundestag, për të përjashtuar rreziqe të mundshme kushtetuese. Sidoqoftë fjalën e fundit do ta ketë Gjykata Kushtetuese. Ndër të tjera partia "E Majta" ka ngritur padi pranë kësaj gjykate për paktin fiskal. Bëhet fjalë për një "ndërhyrje në të drejtën tonë sovrane për buxhetin", tha shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Gregor Gysi për kanalin televiziv Phoenix.