Edhe në vendet myslimane diskutohet për ndalimin e mbulimit të grave
1 Tetor 2010Përsa u përket perçeve, sirianët ishin më të shpejtë se francezët: dy javë para miratimit të parë të ndalimit të mbulimit të fytyrës në publik nga Asambleja Kombëtare franceze korrikun e kaluar, regjimi i Damaskut kishte marrë masa të rrepta: 1200 mësuese që mbanin perçe u transferuan pa e zgjatur në vende, ku ato nuk kishin kontakt me fëmijët. Pak pas kësaj, ministria e Arsimit i dëboi dy studente të mbuluara krejtësisht nga auditoret e universiteteve siriane:
"Në shkollat fillore ka pasur probleme me mësueset e mbuluara plotësisht. Ka pasur vështirësi komunikimi midis mësuesve dhe nxënësve. Prandaj, nga ana e ministrisë së Arsimit u mor vendimi që mësueset e mbuluara krejtësisht me çarçaf të largohen krejtësisht nga shërbimi në shkolla..."
...i shpjegon masat e qeverisë në Damask avokatja dhe veprimtarja e grave, Dad Musa.
"Dhe pas kësaj u tha se edhe në universitete ekzistojnë të njëjtat probleme komunikimi - për shkak të numrit të lartë të studenteve me perçe."
Një masë që të tërheq vëmendjen. Sepse në Siri - si në shumicën e vendeve të botës arabe - numri i grave të mbuluara nëpër rrugë vitet e fundit është shtuar shumë, edhe nëse shumica e sirianeve nuk mbulohen krejtësisht. Por regjimi i Bashar Al-Assadit vetë, megjithë lidhjet e tij të ngushta me Hamasët, Hisbollatë dhe Iranin - është regjim laik, i cili shtyp krahas grupeve opozitare demokratike, edhe grupet fetare.
Problem komunikimi apo islamizimi politik?
Atë që Musa e quan "problem komunikimi", ekspertë të tjerë e quajnë masë kundër një islamizimi të fortë politik të vendit.
Edhe në Egjipt, grindja për perçet ka shpërthyer me gjithë fuqinë e saj, madje edhe qarqe zyrtare fetare shqiptojnë kritika për mbulim të tepruar. Abd al-Muti al Bayyumi, anëtar i Këshillit të Lartë të Klerikëve në universitetin Azhar, e mbështeti madje në mes të shtatorit publikisht ndalimin e mbulimit të grave, të shqiptuar nga Asambleja Franceze. Ai tha se mbulimi i fytyrës nuk ka asnjë bazë në fenë islame. Në intervistë me Deutsche Wellen ai shtoi:
"Nganjëherë, një mbulim i plotë i femrës paraqet kërcënim për ambientin. Nuk e di, nëse nën mbulim ndodhet një burrë, apo një grua, nëse dikush ka fshehur armë apo objekte kërcënuese. Prandaj më pëlqen ligji francez, sepse e ndalon mbulimin e plotë për shkaqe sigurie."
Megjithatë, Al Bayumi thotë se është në dorën e çdo shoqërie që ta vlerësojë masën e rrezikut dhe të marrë masa kundër tij. Grupe opozitare në Egjipt, si Vëllazëria Myslimane me ndikim janë rreptësisht kundër ndalimit të mbulimit. Për ta me këtë shkelen ndjenjat fetare.
Autor: Bachir Amroun/ Auron Dodi
Redaktoi: Esat Ahmeti