Edhe pse në pension vazhdojnë të punojnë
17 Maj 2014
65 vjeç, sportiv, i nxirë nga dielli. Askush nuk e kupton nga pamja se Mike Schale ka punuar 50 vjet me radhë. Në moshën 15-vjeçare ai filloi të mësonte zanatin e mekanikut dhe më pas gjeti punë në komunën e qytetit. Vitin e kaluar ai doli në pension për shkak të moshës. Por atij i mungon puna. Kjo është arsyeja pse ai bëri një lajmërim në gazetë: pensionist, me aftësi të shumta, kërkon punë part-time. "Unë dua ta kem ditën të strukturuar dhe nuk dua që papritur ta shoh veten të ulur në pasdite me një shishe birre në dorë para televizionit," thotë Schale.
Ai ka mjaft para, është i martuar, shtëpinë e ka të blerë dhe punon edhe vullnetarisht në projekte sociale. Megjithatë ai do që të bëjë edhe ndonjë punë, për ta pasur të gjithë javën të mbushur me aktivitet.
Puna të jep kënaqësi dhe të mbron shëndetin
Si Mike Schale ka shumë që pasi dalin në pension vazhdojnë të punojnë. Një gjë të tillë e bëjnë sidomos ata që kanë dalë në pension të parakohshëm për shkak të politikës së sipërmarrjeve për të nxjerrë në pension të parakohshëm punonjësit që kanë vite që punojnë dhe u kushtojnë firmave shumë dhe për t'i zëvendësuar ata me punonjës të rinj.
Axel Bërsch-Supan, sociolog në Institutin Max Planck në Mynih thotë se njerëzit duhet të punojnë sa më gjatë, "sepse kontaktet e ngushta sociale, rrjedha e planifikuar e ditës, sfidat fizike dhe mendore ndikojnë në mënyrë afatgjatë për shëndetin".
Ndryshime në politikën e pensionimeve
Në Gjermani ka mungesë specialistësh, prandaj koncerne të tilla si Deutsche Telekom, e kanë ndryshuar strategjinë e tyre dhe në vend që t'i nxjerrin punonjësit e vjetër në pension të parakohëshëm, i kualifikojnë ata për t'i mbajtur sa më gjatë në punë.
Sipërmarrje të tjera ripunësojnë madje ish-punonjës që kanë dalë në pension, sepse për ta ka nevojë. Edhe pse ata i kushtojnë sipërmarrjes më shumë se kolegët e tyre të rinj, ata e kompensojnë mungesën e fuqisë fizike me përvojën e tyre shumëvjeçare, thotë Bërsch-Supan. Koncerni Bosch, i cili prodhon ndër të tjera pajisje shtëpiake dhe pjesë këmbimi për automjete, vazhdon t'i punësojë ish-punonjësit edhe pas daljes në pension ose në bazë honorari ose me kontrata të përkohshme. Ekspertët e moshuar të Bosch-it trajnojë kolegët e rinj apo kujdesen për sigurimin e cilësisë.
Problemet e të vetëpunësuarve
66-vjeçari Lothar Groß kishte deri para pak vitesh firmën e tij dhe si i vetëpunësuar nuk qe i detyruar që të paguante kontribute në Shoqërinë Shtetërore të Pensioneve. Pas 51 vitesh punë ai merr vetëm 343 euro pension. Me këtë shumë ai nuk paguan dot as qiranë. Prandaj ai punon si lexues i sahatëve të energjisë dhe të ujit për një koncern. Kjo më bën mirë, thotë ai, sepse lëviz dhe jam edhe më mirë me tensionin.
Ai mendon se shumica e të rinjve që janë të vetëpunësuar, nuk janë më në gjendje të kursejnë para për pensionin. Në lidhje me moshën e daljes në pension, ai mendon se kjo duhet të jetë në varësi të profesionit. "Dikush që bën një punë të vështirë fizike, duhet të ketë mundësi të dalë më herët në pension, se sa dikush tjetër", mendon ai. Sipas llogaritjeve të Entit Federal për Statistikat mosha mesatare e daljes në pension në Gjermani është 63.2 vjet.
Zgjidhje fleksibël për daljen në pension
Axel Borsch-Supan nga Instituti Max Planck për legjislacionin social dhe politikat sociale është përkrahës i idesë së heqjes së të gjithë kufijve të detyrueshëm me ligj për moshën e daljes në pension. Ai u referohet punonjësve që duan të punojnë më gjatë vullnetarisht si dhe rritjes së nevojës për punëtorë të kualifikuar. "është e paarsyeshme që këta njerëz të mos i lesh të punojnë për shkak të moshës së daljes në pension që parashikon ligji i ngurtë i punës."
Ky model do të ketë efekte pozitive edhe në sistemin e pensioneve të bazuar tek rezervat e sigurimeve shoqërore. Sepse sipas legjislacionit aktual të rinjve të aftë për punë u duhet të paguajnë kontribute gjithnjë e më të larta për shkak të rritjes të jetëgjatësisë në Gjermani ndërkohë që numri i punëtorëve të rinj është në rënie. Përmes zgjidhjeve fleksibël të moshuarit mund t'i financojnë pensionet e tyre vetë për një kohë më të gjatë.