1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edhe Rusia ka për çështjen e Qipros një Plan B

Autor: Christina Nagel / Auron Dodi22 Mars 2013

Medvedjevi propozon themelimin e një zone offshore. Por rusët nuk besojnë më në një fund të lumtur për Qipron. Koha e Qipros si parajsë e mospagimit të taksave duket se ka marrë fund.

Fotografi: ALEXANDER NEMENOV/AFP/Getty Images

Kryeministri i Rusisë nuk e fshihte dot pas fjalimit të tij një buzëqeshje të kënaqur. Ai, njeriu që normalisht ndihet kompetent për tone të lëmuara dhe fine, ua tregoi si duhet vendin evropianëve. Plani i shpëtimit të BE për Qipron është absurd, tha ai. Jo konsekuent dhe jo i menduar mirë.

Që para takimit me delegacionin me nivel të lartë të Komisionit të BE-së kishte nisur t'i lante hesapet Medvedjevi. Shtypit ndërkombëtar ai i bëri të ditur: "Ajo që kanë bërë deri tani BE, Komisioni i BE dhe qeveria qipriote, për ta zgjidhur problemin e borxheve na kujton për fat të keq sjelljen e një elefanti në dyqanin e porcelanit."

Taksa e posaçme për kursimet atij i kujton shpronësimet e kohës sovjetike. Kjo sjell me vete rrezikun që besimi i kursimtarëve në sistemin bankar të lëkundet - me pasoja të pallogaritshme për ekonominë botërore."Dëshiroj të kujtoj se FMN, por edhe organizata të tjera ndërkombëtare kanë përsëritur disa herë se pikërisht mungesa e besimit është një rrezik për rendin e sotëm financiar ndërkombëtar. "

Bankat në Qipro qëndrojnë të mbylluraFotografi: Reuters

Qiproja oaz i shmangies së tatimeve për investorët rusë

Angazhimi i vendosur i Rusisë për kursimet qipriote nuk bëhet kot. Qiproja konsiderohet në Rusi, si për bankat dhe sipërmarrjet, ashtu edhe për investorët privatë si oaz i mospagimit të taksave. Sa para ndodhen në Qipro, për këtë u spekullua së fundi shumë. Para së gjithash është një shifër që qarkullon në medie, i deklaroi eksperti i ekonomisë, Sergej Aleksashenko radios ruse - 20 miliardë euro."Unë kam ndjesinë se kjo shifër është shumë e zvogëluar. Vlerësimi është se atje ka shumë më tepër para ruse se sa 20 miliardat. Mund të jenë 30/35 miliarda."

Para, të cilat qeveria ruse do të preferonte t'i kishte nën kontrollin e saj. Prandaj kryeministri Medvedjev paraqiti një Plan rus B."E gjithë bota diskuton për Qipron. Zonë Offshore, jo Zonë Offshore...Kur kjo temë zgjon pasione të tilla, ia vlen me siguri që të vrasësh mendjen dhe të krijosh diku një Zonë Offshore, për shembull në Lindjen e Largët. Vend atje kemi sa të duash, rajoni është i bukur. Sakalini, Kurilet janë ato ku të vete mendja. Kështu një pjesë e parave tona mund të kthehen në Rusi."

Por qeveria e Moskës do që të tërheqë në vend edhe pjesën ilegale të parave. Ndihmë do të jepte qeveria qipriote, duke zbuluar emrat dhe të dhënat.

Ndërmjetësit qipriotë në Moskë ndërkohë kërkojnë më kot ndihma të reja financiare. Ata përpiqen t'i tërheqin investorët me bashkëpunime në fushën e gazit dhe të naftës. Por banka e dytë për nga madhësia e Rusisë, VTB, deklaroi se nuk do të japë mbështetje. Bankat qipriote janë raste që kërkojnë rehabilitim, u tha. Në Rusi nuk presin një fund të lumtur në Qipro, meqenëse qeveria qipriote për një kohë të gjatë nuk ka ndërmarrë asgjë. Koha e Qipros si parajsë për taksat ka marrë fund, mendojnë në Rusi. Kapitali do të marrë arratinë, sapo të jetë e mundur.