170111 Elmer Wikileaks
18 Janar 2011Në Konferencën e shtypit të zhvilluar në Klubin Frontline të Londrës të mbushur plot, bankieri zviceran Rudolph Elmer, e zhënjeu masën e njerëzve kur refuzoi të jepte emrat e individëve dhe firmave që bënin pjesë në listën e tij. Avokati i tij, eksperti amerikan i larjes së parave Jack Blum, tregoi arsyen: "Këto emra do t`i shkojnë autoriteteve kompetente në mënyrë që ato të kenë mundësinë të ndërmarrin veprimet e duhura ligjore."
Elmer nuk dëshiron të përmendë emra, por Julian Assange premton të bëjë zbulimin e plotë të tyre në faqen e tij të internetit, sapo të bëhet shqyrtimi i materialit, i cili mund të zgjasë disa javë. Dhe ai tha se Wikileaks ofron gazetari rigoroze dhe të besueshme, gjë që nuk mund ta bëjnë mediat e tjera. "Ne kemi zhvilluar ekspertizën në filozofinë e shkencës së gazetarisë, duke i vënë dokumentat e dorës së parë në dispozicion të publikut për të respektuar ndershmërinë e shtypit, sepse gazetarët e mirë do të shkruanin, por ne të gjithë e dimë se ata janë oportunistë, se i shtrembërojnë dhe interpretojnë materialet duke shtrembëruar momentin historik në të cilin merren vendimet politike."
Elmer do vetëm publikimin e së vërtetës për sistemin bankar zviceran
Rudolf Elmer tha se i është mirënjohës Wikileaks-it për mbështetjen në misionin e tij për zbulimin e të vërtetave pas sekretit bankar zviceran. Dhe ai mohon se ka synuar të nxjerrë përfitime duke u përpjekur që të shesë materialet që ka mbledhur gjatë viteve të punës si bankier. Ai tha se është përpjekur që t`ia ofrojë informacionet e tij qeverive të ndryshme, por ato nuk kanë pranuar. "Të jepja informacionin falas për qeveritë. Unë i shkruajta një letër, të nënshkruar edhe nga ime shoqe, Peer Steinbrück-ut, ministrit gjerman të Financave ku thonim se dëshironim t`i ofronim të dhënat falas. Ne nuk morëm përgjigje."
Megjithëse nuk donte të përmendte detaje për llojet e informacioneve, ai i tregoi gazetës Observer listën që përmban njerëzit e biznesit multinacionalë dhe artistë. Ai tha se ishte duke e dhënë materialin në mënyrë që të edukojë shoqërinë, dhe të luftojë një sistem, për të cilin ai beson se është i korruptuar, por siç tha atij i është ushtruar presion në Zvicër, madje edhe nga shtypi. “Unë jam akuzuar, ose është shkruar për mua se jam njeri paranojak, i sëmurë mendërisht. Shumica e tyre thonë se unë jam tradhëtar, njeri i sëmurë."
Dy kundër botës? Assange krah Elmerit
Julian Assange tha se ai mbështet Rudolph Elmer-in, dhe pranoi ta takonte që herën e parë. Ai nuk donte të komentonte proceset e tij ligjore, as nëse sulmi mbi sistemin bankar zviceran do të mund të ndikojë në kërkesën për të marrë azil në Zicër.
Për avokatin e Rudolf Elmer-it, çështja kryesore është sa miliardë dollarë i janë marrë ekonomisë për të përfunduar në xhepat e të pasurve, larg nga nevojat e të varfërve. "Duke fshehur paratë e taksave që nuk janë paguar, duke fshehur paratë e vjedhura, dhe duke fshehur para që janë nxjerrë me mënyra të ndryshme kriminale." Rudolf Elmer do të dalë në gjygj ditën e mërkurë në Zvicër. Ai refuzon të dojë të mbrojë veten nëpërmjet Wikileaks-it. E gjitha çka kërkon të thotë është e vërteta për sistemin zviceran bankar.
Autor: Nina-Maria Potts/Aida Cama
Redaktoi: Lindita Arapi