240111 Rückforderung Nofretete
25 Janar 2011
Prej vitesh tashmë lufton ai për kthimin e Nofretetes në Egjipt dhe ka njoftuar vazhdimisht se do të paraqesë një "kërkesë zyrtare për kthimin". Tani duket se kjo po ndodh: shumë agjenci lajmesh, duke iu referuar këshillit egjiptian për arkeologjinë dhe Ministrisë egjiptiane të Kulturës, njoftojnë se autoriteteve gjermane u është dorëzuar një kërkesë përkatëse, e nënshkruar nga kryeministri egjiptian Ahmed Nazif. Por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Andreas Peschke deklaroi se kjo nuk është e vërtetë:
"Nuk është e vërtetë se është paraqitur një kërkesë zyrtare për kthimin e Nofretetes. Një kërkesë e tillë duhej t'i drejtohej qeverisë gjermane nga qeveria egjiptiane, dhe kjo nuk ka ndodhur. (...) Pozicioni i qeverisë gjermane lidhur me Nofreteten në Berlin është i njohur dhe nuk ka ndryshuar."
Fondacioni gjerman i Pronës Kuturore Prusiane, ka deklaruar se Zahi Havas, në një letër drejtuar presidentit të fondacionit, "kërkon kthimin e bustit të Nofretetes". Por letra nuk është nënshkruar nga kryeministri egjiptian.
Edhe sekretari i shtetit për Kulturën Bernd Neumann, përgënjeshtroi njoftimet mbi një kërkesë zyrtare për kthimin e veprës së artit. Letra mban firmën e arkeologut egjiptian Zahi Havas dhe pra nga shteti egjiptian "nuk ka një kërkesë zyrtare drejtuar Gjermanisë për kthimin e veprës së artit".
Në Berlin janë të një mendjeje: Nofretete, një vepër arti me sfond migracioni, e ka vendin në Gjermani. Dhe jo vetëm kaq: ajo jo vetëm e ka vendin në Gjermani, por edhe i përket Gjermanisë, pretendime ligjore egjiptiane nuk ka.
Busti i Nofretetes u zbulua në vitin 1912 nga Ludwig Borchardt, nga Instituti Perandorak gjerman për Arkeologjinë Egjiptiane. Gërmimet e miratuara nga Egjipti, financoheshin nga sipërmarrësi dhe filantropi berlinez James Simon. Në këmbim të financimit ishte rënë dakord me palën egjiptiane, për një ndarje të barabartë të gjetjeve arkeologjike, e cila do të bëhej nga vetë arkeologët. Dhe kështu dhe kishte ndodhur: të radhitura në lista, të dokumentuara në foto, të gjitha gjetjet arkeologjike gjendeshin në arka të hapura gati për inspektim. Për ndarjen u përpilua një kontratë. Busti është pëftuar në mënyrë legjitime nga shteti prusian, thuhet në Berlin, as që bëhet fjalë fare për mashtrim.
Por pikërisht këtë pretendon arkeologu egjiptian Zahi Havas: në momentin e ndarjes së relikeve të gjetura, busti i Nofretetes ka qenë lyer me baltë, për të mashtruar shërbimin egjiptian të arkeologjisë mbi vlerën e vërtetë të veprës.
Fondacioni për Pronën Kulturore Prusiane bëri të ditur se "ekziston një interes i madh për një bashkëpunim të mirë" me muzetë dhe specialistët egjiptianë të arkeologjisë; idetë e para për një bashkëpunim po përpilohen aktualisht, dhe do të jenë pjesë e përgjigjes drejtuar Zahi Havasit. Nëse atij do t'i mjaftojë kjo përgjigje mbetet të shihet.
Autor: Jürgen König / Eliana Xhani
Redaktoi: Aida Cama