Egjipti në udhëkryq pas zgjedhjeve
18 Qershor 2012Pas zgjedhjeve presidenciale në Egjipt, hyn në një raund të ri lufta për pushtet mes ushtrisë dhe islamistëve. Vëllazëria Myslimane feston kandidatin e saj, Mohamed Mursi si fituesin e zgjedhjeve, megjithëse rezultatet nuk kanë dalë ende. Mijëra përkrahës të Mursiut dolën të Hënën në sheshin Tahrir, në qendër të Kajros për të festuar idolin e tyre.
Sipas llogaritjeve jozyrtare, Mursi ka një avantazh të vogël ndaj ish-kryeministrit Ahmed Shafik. Ai ka marrrë rreth 52 për qind të votave në garën me kandidatin e regjimit të vjetër të ish-presidentit Hosni Mubarak, Ahmed Schafik, i cili ka fituar rreth 48 për qind të votave. Ndërkohë përkrahësit e Schafik-ut i hedhin poshtë këto të dhëna. Zyrtarisht rezultatet pritet të publikohen ditën e Enjte (21.06). Numërimi i votave është bërë në 98 për qind të qendrave të votimit.
Europa vlerëson zgjedhjet si "hap të rëndësishëm"
Këshilli Ushtarak qeverisës, i cili mori në dorë fatet e Egjiptit pas largimit të Mubarakut, kundërpërgjigjet me një ndryshim kushtetues. Përmes një deklarate kushtutuese ai kufizon dukshëm pushtetin e presidentit. Në të njëjtën kohë ajo i kaloi kompetencat e parlamentit të shpërndarë në duart e udhëheqjes ushtarake. Të Enjten e kaluar, Gjykata Kushtetuese papritur shpërndau parlamentin e parë të zgjedhur para katër muajsh që nga koha e rrrëzimit të ish-pushtetmbajtësit Hozni Mubarak.
Ndërkohë, Maja Kocijancic, zëdhënësja e së ngarkuarës së BE-së, për politikën e Jashtme, Catherine Ashton i vlerësoi të Hënën zgjedhjet në Egjipt, si "një hap të rëndësishëm në rrugën e tranzicionit demokratik të Egjiptit". Për herë të parë egjiptianët dolën në zgjedhje të vërteta për presidentin e tyre. Bashkimi Europian mbështet luftën paqësore të egjiptianëve për të drejtat e tyre dhe përpjekjet për demokraci. "Një gjë është e qartë: Tranzicioni demokratik nuk duhet të vihet në pikëpyetje".
Autor: dpa/Arapi
Redaktoi: Pandeli Pani