1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekonomia gjermane e shqetësuar pas zgjedhjeve të fundit

3 Shtator 2024

Suksesi i pritshëm, por tronditës i AfD në Saksoni dhe Tyringi mund të ndikojë edhe në ekonominë gjermane. Ekspertët janë të shqetësuar.

Edhe para zgjedhjeve në Saksoni dhe Tyringi, shumë përfaqësues të sindikatave dhe bizneseve kishin paralajmëruan për pasojat e suksesit të Alternativës për Gjermaninë (AfD). Por tani ata shprehen se ky sukses i arritur mund të pengojë investitorët. Kështu, Olaf Cahert, i cili investon në kompanitë për t'i shpëtuar nga falimentimi, thotë për DW se "kapitali është si një drenushe e frikësuar" dhe shton se njerëzve nuk u pëlqen të investojnë "aty ku nuk ndihen të mirëpritur".

Pas zgjedhjeve në këto lande, presidenti i Shoqatës së Punëdhënësve Gjermanë (BDA), Rainer Dulger, theksoi se një ekonomi e mirë është e rëndësishme për një politikë të qëndrueshme - dhe anasjelltas. E këto rezultate zgjedhore, thotë ai, treguan "pasigurinë e madhe të popullit dhe mungesën e besimit se vendi ynë po zhvillohet në drejtimin e duhur”.

Presidenti i Shoqatës së Punëdhënësve Gjermanë (BDA), Rainer DulgerFotografi: Soeren Stache/picture alliance/dpa

Ai fajëson koalicionin e Socialdemokratëve (SPD), të Gjelbërve dhe Liberalëve (FDP) në nivel federal për rritjen e mbështetjes për AfD-në dhe i bën thirrje për veprim: "Rezultatet janë një shenjë e qartë paralajmëruese për politikanët e qeverisë federale gjermane, sepse çdo qeveri duhet të "kujdeset për vendet e punës, dhe rrjedhimisht për gjendjen sociale".

Eksod i kompanive?

Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, shumë biznesmenë paralajmërojnë se problemi me mungesën e punëtorëve të kualifikuar do të përkeqësohet. Ata besojnë se mund të ketë një eksod të kompanive që punojnë në Saksoni dhe Turingi.

Për kompanitë nga këto dy lande, të cilat përballen edhe me konkurrencë globale, problemi i mungesës së fuqisë punëtore mund të përkeqësohet më tej, thotë ekonomistja Monika Schnitzer. Përveç kësaj, shton ajo, "funksionimi i kompanive do të ishte i vështirë dhe kjo mund të çonte në mbylljen e kompanisë”.

Institucionet shtetërore, si dhe sistemi arsimor në Saksoni dhe Tyringi, tashmë po vuajnë nga mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, ndaj janë të detyruara të reduktojnë fushën e shërbimeve të tyre. Disa rajone në këto lande ndoshta do të humbasin 20 deri në 30 për qind të punëtorëve në vitet e ardhshme.

"Mungesa e punëtorëve të kualifikuar që tashmë ekziston do të bëhet edhe më e keqe," pret Schnitzer. Ndërsa në lidhje me qëndrimin e AfD-së ndaj emigracionit, ajo vlerëson: "Refuzimi prej tyre i të huajve të kualifikuar dërgon sinjal të gabuar, pasi do të pengojë punëtorët e kualifikuar që t'i shohin këto shtete gjermane si një opsion për emigracionin”.

Demonstrata të AfD-së kundër qeverisëFotografi: Fabian Sommer/dpa/picture alliance

Të rinjtë do të vazhdojnë të largohen

Marcel Fratzccher, president i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW), pret po ashtu humbje të vendeve të punës dhe ikje të kapitalit të huaj. Ai kujton se AfD është për proteksionizëm dhe largim nga BE-ja, për më pak ardhje të punëtorëve të kualifikuar dhe më pak hapje dhe diversitet. Kjo, beson ai, me shumë gjasa do të çojë në një eksod të kompanive dhe punëtorëve të kualifikuar.

"Para së gjithash, njerëzit e rinj, të kualifikuar dhe të motivuar do të largohen nga këto dy lande gjermane dhe do të shkojnë atje ku do të kenë më shumë hapje dhe respekt. Kjo ndoshta do të rezultojë në një rritje të numrit të falimentimeve dhe eksodit të kompanive”, thotë Fratzscher.

Marcel Fratzccher, president i Institutit Gjerman për Kërkime EkonomikeFotografi: IMAGO/Political-Moments

I shqetësuar është edhe Instituti Gjerman i Biznesit, i cili është pranë punëdhënësve. "Kjo nuk mund të jetë e mirë për ekonominë, sepse ka nevojë për parashikueshmëri politike, stabilitet institucional dhe kushte kornizë të besueshme”, thotë drejtori i institutit, Mihael Hiter.

Një rrezik për fabrikat

"Rezultatet e zgjedhjeve në Saksoni dhe Tyringi janë gjithashtu një sinjal paralajmërues për ekonominë digjitale”, paralajmëron presidenti i shoqatës "Bitkom”, Ralf Wintergerst dhe thekson se "Gjermania duhet të mbetet një vend që qëndron për kozmopolitizmin dhe risi, e AfD nuk i përfaqëson këto vlera."

Wintergest tregon një shembull specifik. "Pa punëtorë të kualifikuar nga jashtë, ne nuk do të jemi në gjendje të menaxhojmë fabrikat e planifikuara të çipave në Saksoni. E menaxherë të tillë të lartë kanë lirinë të zgjedhin se ku do të punojnë."

Vetëm e përkohshme?

Edhe ekonomistët e huaj komentojnë rezultatet e zgjedhjeve në Saksoni dhe Tyringi. Kështu, Franciska Palmers, ekonomiste e lartë për Evropën në Institutin Capital Economics me qendër në Londër, vlerëson se rezultatet e zgjedhjeve në këto lande nuk duhet të kopjohen në të gjithë Gjermaninë. Disa nga kërkesat dhe idetë e AfD-së sigurisht që do të pasqyrohen në programet zgjedhore dhe Gjermania do të vazhdojë "të bëjë pak për deindustrializimin e saj dhe do të vazhdojë t'i përmbahet politikës së saj të rreptë shtrënguese në Gjermani dhe Evropë".

Për departamentin e hulumtimeve të Deutsche Bank (DBR), rezultatet e zgjedhjeve nuk janë një "pasqyrim i zgjedhjeve federale" të mbajtura vitin e ardhshëm. Ato tregojnë se kushtet në Tyringi dhe Saksoni janë shumë të veçanta për t'u zbatuar në të gjithë vendin.

Kur shikojnë të ardhmen, ekonomistët janë relativisht të qetë. Të dhënat aktuale tregojnë se "kompanitë kanë frikë vetëm nga rreziqet e përkohshme ekonomike", që do të ndikonte kryesisht në kërkimin e punëtorëve të kualifikuar.

Përveç kësaj, ekonomistët e DBR nuk presin që politika ekonomike gjermane të ndryshojë rrënjësisht. Ata besojnë se asnjë koalicion në nivel federal "nuk do të zbatojë politika të kota".

 

 

bc/ag