Ekonomia gjermane shënon rritje
20 Prill 2012
Evropa është në recesion. Shumë vende të eurozonës janë goditur rëndë nga pasojat e krizës së borxhit dhe ekonomia e tyre bie. Vetëm ekonomia më e madhe evropiane, duket se nuk do t'ia dijë nga kriza: Gjermania në pranverën 2012 po përjeton një bum të ri. Në këtë rezultat arritën institutet kryesore kërkimore gjermane në raportin e tyre të pranverës.
Koniunktura në rritje, megjithë krizën
Këtë vit Gjermania do të ketë rritje ekonomike prej 0,9%. Në vitin 2013 do të ketë përsëri një rritje prej afro dy për qind. 0.9 për qind nuk është me të vërtetë shumë, por duke patur parasysh krizën e borxhit në Evropë, është më shumë se ç'ishte pritur nga ekonomistët në vjeshtën e vitit 2011. Por që atëherë, thotë Joachim Scheide i Institutit për Ekonomi Botërore në Kiel, zhvillimi koniunkturor ka ndryshuar në mënyrë dramatike.
"Ne ndodheshim atëherë nën ndikimin e të ashtuquajturit shok i pasigurisë, dhe në fakt të gjithë treguesit e opionionit ishin në rënie. Kjo gjendje ishte edhe në tregjet e aksioneve. Ishte krejtësisht e paqartë, se sa kohë do të zgjaste dhe ne supozonim se gjatë dimrit situata do të përmirësohej. Këtu ka ndihmuar edhe fakti se ka ndodhur diçka në nivel evropian. Për shembull u miratua pakti fiskal dhe Banka Qendrore Evropiane ka ndërhyrë në mënyrë masive."
Para gati të falura
Asnjëherë më parë nuk janë marrë para më lirë në tregjet e kapitalit, normat e interesit në shumë vende janë në nivele historikisht të ulëta. Ekonomia gjermane përfiton në mënyrë të veçantë nga politika e normave të interesit të Bankës Qendrore Evropiane. Eshtë përfitim nga reformat, ajo që mbledh tani Gjermania, thotë Kai Carstensen nga Instituti për Kërkime Ekonomike në Mynih, Ifo.
"Ne sigurisht që përfitojmë në kuptimin që ne, po të shikoni normën e interesit për bonot shtetërore gjermane, duhet të paguajmë norma shumë më të ulëta interesi në tregjet e kapitalit. Megjithatë ky nuk është një ligj i natyrës, por rezultat i përpjekjeve të mëparshme dhe është edhe një sinjal shumë i rëndësishëm për qeverinë gjermane që të mos i ndërpresë përpjekjet e saj për konsolidim. Sepse dividenti vjen heret apo vonë."
Sepse politika liberale monetare e Bankës Qendrore Evropiane ka çuar tashmë në ndryshime masive dhe si rrjedhojë në kosto ekonomike në sfera të tjera, thotë Carstensen. Studjuesit ndjekin me shqetësim faktin që Gjermania është bërë huadhënësja më e madhe e Bashkimit Monetar Evropian. Që sot detyrimet e vendeve në krizë si Greqia, Irlanda, Italia, Spanja dhe Portugalia në sistemin e pagesave të bankave qendrore në eurozonë (target 2) do të arrinin 637 miliardë euro.
Kriza mbetet
Dhe Joachim Scheide bën të qartë se nuk është aspak e qartë, nëse situata në vendet e krizës do të ketë stabilitet të qëndrueshëm: "Kjo nuk do të thotë se tani ka një zgjidhje në horizont, apo është bërë më e mundur zgjidhja e problemit të borxhit. Kriza e borxhit është ende e pazgjidhur si dhe më parë dhe mund të shpërthejë kurdoherë sërish. Mund të ndodhë që të zgjasë vetëm disa javë, që një vend për shembull ka vështirësi për vendosjen e bonove shtetërore në treg. Por ky rrezik është gjithmonë ekzistent."
Një rrezik, që mund t'i shkaktonte rënie të shpejtë edhe ekonomisë gjermane. Në këtë kontekst studjuesit mendojnë se është fatale, që vullneti për të kursyer në Gjermani ka rënë. Me më shumë të ardhura dhe më pak shpenzime të kushtëzuara nga koniunktura nuk mund të zëvendësohen rregullimet përshtatjet strukturore, thuhet në raportin e pranverës. Kësaj i shtohet rreziku i inflacionit. Pagat dhe çmimet në Gjermani rriten më shumë se në vendet e tjera. Edhe kjo do të ketë pasoja për buxhetin federal.
Autor: Sabine Kinkartz/Angjelina Verbica
Redaktoi: Esat Ahmeti