1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekonomia shqiptare promovohet në Bavari

23 Mars 2011

Të martën (22.3.11) u zhvillua në Mynih një konferencë ekonomike me pjesëmarrjen e biznesmenëve shqiptarë dhe bavarezë, si dhe të zëvendëskryeministrit të jashtëm Haxhinasto e zëvendësministrit të ekonomisë Eno Bozdo

Konferenca ekonomike u zhvillua në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së MynihutFotografi: Anila Shuka

"Mirardhshi në Shqipëri!" - me këto fjalë ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto e përfundoi fjalën e tij promovuese në konferencën ekonomike të martën në Mynih. "Këtë ftesë e dëgjojmë me kënaqësi", u përgjigj Alexandër Hoegle nënkryetar i dhomës bavareze të tregtisë dhe industrisë, në ambientet e së cilës po zhvillohej konferenca njëditore.

Edmond Haxhinasto u bëri thirrje bavarezëve të investojnë në ShqipëriFotografi: Anila Shuka

Dita ekonomike shqiptare ishte aktiviteti i parë i këtij lloji në Bavari dhe hera e parë që bavarezët patën rastin të njiheshin nga afër me potencialet investuese të vendit. Katja Hessel, sekretare shteti për ekonominë në landin gjermano-jugor u shpreh optimiste se kjo konferencë do ta nxisë njërin apo tjetrin vizitor të mundshëm drejt Shqipërisë.

"Tani që qeveria ka marrë një sërë masash për të lehtësuar investimet dhe duke parë edhe pjesëmarrjen e madhe në këtë konferencë, mendoj se shanset që sipërmarrjet bavareze të investojnë në Shqipëri janë të mëdha", i tha ajo Deutsche Welles. "E rëndësishme është që të përmbushen kushtet e përshtatshme ligjore dhe juridike."

Eno Bozdo, zëvendësministër i ekonomisëFotografi: Anila Shuka

Investime të mbrojtura

Kryetari i dhomës shqiptare të tregtis dhe industrisë, Nikolin Jaka, tha se këto kushte sa vijnë e përmirësohen. Përveç masave të marra që më parë për lehtësimin e procedurave të regjistrimit dhe uljen e taksave në dhjetë përqind, Shqipëria tani ka miratuar edhe ligjin për investimet e huaja në sektorët e saj strategjikë. "Këto janë turizmi, bujqësia, energjetika dhe infrastruktura, për të cilat qeveria ka miratuar një ligj shtesë që u jep imunitet të gjithë investitorëve që investojnë mbi dhjetë milionë euro në këto fusha. Kjo do të thotë se qeveria shqiptare merr përsipër të gjitha konfliktet që dalin sidomos në lidhje me pronësinë", tha Jaka.

Afro 40 biznesmenë shqiptarë dhe po aq bavarezë patën rastin të njiheshin me njëri-tjetrinFotografi: Anila Shuka

Nikolin Jaka pat sjellë me vete rreth 40 biznesmenë të cilët me projektet e tyre kishin ardhur të kërkonin partnerët gjermanë. Shoqata Ekonomike Gjermano-Shqiptare (DAWG) pat zhvilluar edhe vitin e kaluar dy aktivitete të tilla promovuese në Berlin dhe Hamburg, por ato kanë mundur të lëvizin deri tani shumë pak investitorë drejt Shqipërisë.

Gjermanët skeptikë

Anduena Stefan, e cila është këshilltare e pavarur në Tiranë ka një përgjigje për këtë përparim të ngadalshëm: "Investitorët gjermanë janë shumë skeptikë dhe konferenca të tilla janë shumë të rëndësishme, sepse shikojnë që ka interes e mbështetje politike, ka njerëz me të cilët mund të flasin, ka partnerë me të cilët mund të fillojnë kooperimin. Është shumë më e vështirë të sjellësh kaq biznesmenë që erdhën këtu deri në këtë konferencë nga Gjermania në Shqipëri. Domethënë, interesi duhet stimuluar nga pala shqiptare."

Anete Kasten përfaqëson interesat e biznesit gjerman në ShqipëriFotografi: Anila Shuka

Edhe tensionet e vazhdueshme në politikën e brendshme nuk përbëjnë patjetër një nxitje për investitorin e huaj. Trazirat e 21 janarit megjithatë patën një efekt shumë të shkurtër frenues, thotë Anette Kasten, që drejton filialin e Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Tirane: "Shqipëria nuk është se ka ndonjë imazh shumë të mirë, kështu që kur trazirat u shfaqën edhe në televizionin gjerman, pati disa delegacione sipërmarrësish që i shtynë për më vonë udhëtimet e tyre. Por ata tani sërish janë regjistruar," - tha Kasten.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama