Ekspertët e BE-së vëzhgojnë kontrollet kufitare të Danimarkës
16 Korrik 2011Ata kishin ardhur për të parë dhe për të krijuar vet një ide për kontrollet kufitare, por në të vërtetë nuk panë asgjë. Megjithatë e ngarkuara përgjegjëse e BE-së Belinda Pyke u shpreh e kënaqur: "Ne duam të sigurohemi se kontrollet kufitare daneze nuk bien ndesh me Marrëveshjen e Shengenit. Natyrisht që ne jemi në fillim të këtyre kontrolleve. Por, është mirë që ne qysh tani flasim me njëri-tjetrin. Është edhe më mirë që ne e kemi mundësinë që të jemi këtu në vendin e ngjarjes."
Belinda Pyke përkujdeset në Komisionin e BE-së për migracionin dhe çështjet kufitare në Evropë. Ajo dhe grupi i saj i ekspertëve qëndruan të enjten dhe premten në urën Öresund, që ndodhet mes Danimarkës dhe Suedisë si dhe në Fröslev, në kufi me landin e Shleswig-Holesteinit në Gjermani. "Ne duam të shohim se sa shpesh kontrollohet, si dhe ku zhvillohen saktësisht kontrollet. Ne duam të sigurohemi që ato të mos kthehen në një lloj kontrolli sistematik kufiri. Ne duam ta dimë saktë se mbi çfarë baze kryhen këto kontrolle, sa shpesh dhe ku ndodhin ato."
Por në Öresund në fakt nuk kishte asnjë lëvizje të re. Aty nuk mund të takoje asnjë nga nëpunësit e rinj të angazhuar për kontrollet kufitare. Sistemi danez i kontrollimit deri tani është i padukshëm, të paktën nga jashtë. Qeveria daneze ka garantuar rregullisht se masat që do të ndërrmarrë në kufi nuk do bien ndesh me rregullat e Bashkimit Evropian dhe të Marrëveshjes së Shengenit. Ajo planifikon që të kryej vetëm kontrolle të kohëpaskohshme të mallërave, vet pasagjerët nuk do të preken nga këto kontrolle.
Por, pikërisht në këtë dyshon Komisioni Evropian. Posaçërisht kritika të ashpra lidhur me këtë ka pasur nga ana e Gjermanisë. Belinda Pyke tregohet sot shumë më diplomatike: "Siç e dini qeveria daneze na ka siguruar se masat janë të harmoni të plotë me ligjet evropiane. Prandaj Komisioni Evropian dëshiron të punojë në këtë drejtim shumë ngushtë me Danimarkën."
Puna e grupit të ekspertëve nga Brukseli sapo ka filluar. Më vonë kur qendrat e kontrollit, sipas planeve do të dyfishohen dhe do të instalohen pajisjet e para elektronike për vëzhgim, ndoshta ekspertët e Brukselit do të kenë më shumë punë.
Autor: Tim Krohn / Esat Ahmeti
Redaktoi: Aida Cama