1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekspertët këshillojnë: FMN-ja duhet ta ndihmojë Greqinë

16 Shkurt 2010

Kriza e huave të Greqisë po e detyron eurozonën të ndërmarrë aksionin e parë të shpëtimit për një vend anëtar. Ndërkaq po shtohen zërat, që e këshillojnë Greqinë të kërkojë ndihmë tek Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Pamje simbolike: Euro dhe kriza financiare e Greqisë
Fotografi: picture alliance / dpa / DWMontage

Vendet e euros u shprehën të gatshme në samitin e jashtëzakonshëm të BE-së të enjten në Bruksel, që ta mbështesin vendin për të ruajtur qëndrueshmërisë së euros. Megjithatë, premtime financiare konkrete nuk u dhanë. Rrethanat shpjeguese të krizës:

Tre kërkues të Institutit të Ekonomisë Gjermane, me qëndrim të afërt me punëdhënësit, kanë hulumtuar në gati 100 faqe se sa i madh është rreziku i falimentimit shtetëror për Greqinë. Normat e interesit prej rreth 7 për qind për obligacionet shtetërore greke janë ende më të ulta sesa në fillim të viteve nëntëdhjetë, thotë Jürgen Matthes, njëri prej autorëve të studimit.

Pamje simbol e kurbës së normës së interesitFotografi: bilderbox.com

"Megjithatë, ekziston rreziku që tregjet financiare të bëhen nervoze, t'i ngrenë normat e interesit edhe më lart, dhe që në këtë mënyrë dikur të bëhet e vështirë për Greqinë, që të rifinancohet në tregun monetar. Vjen afati i shlyerjes së huave, ato duhen të rifinancohen me hyrje të re në hua dhe në rast se kjo nuk është më e mundur për Greqinë, atëherë ndodh pamundësia e pagesës për shtetin dhe kemi problemin e një falimentimi të mundshëm shtetëror."

Disiplina buxhetore strikte ka gjithashtu efekte të padëshirueshme

Jürgen Matthes i Institutit të Ekonomisë Gjermane në Këln.Fotografi: Jürgen Matthes

Natyrisht, një mbingarkesë e mundshme me borxhe synohet t'i dilet përpara duke përqafuar një disiplinë buxhetore strikte, pra një kurs të ashpër kursimi. Por atëherë kërcënon një spirale që shkon tëposhtë: Më pak shpenzime shtetërore, më pak punësim, më pak konsum, më pak të ardhura nga taksat, gjë që shpie në më pak investime publike, e kështu me radhë. Perspektiva jo të mira pra. "Në rast se Greqia falimenton, kjo në radhë të parë është katastrofë e madhe për politikën ekonomike greke dhe për barrën e përshtatjes, që do të lindë. Kësaj i shtohet mundësia që të tërhiqen edhe shtete të tjera brenda eurozonës," thotë kërkuesi Matthes.

Spanja burim edhe më i madh rreziku

Gurët e dominosë janë ngritur tashmë: Ata quhen Spanjë, Itali, Irlandë dhe Portugali, dhe ata mund të rrëzohen në këtë renditje. "Vatra e mirëfilltë e zjarrit nuk është Greqia, por Spanja", shkruan për shembull fituesi i çmimit Nobel në ekonomi Paul Kugman në blog-un e tij për gazetën New York Times. Arsyeja: Me 11,4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto Spanja nuk është aq e zhytur në borxhe sa Greqia me 12,7 për qind të saj, por ekonomia e Spanjës është 4,5 herë më e madhe sesa ajo greke dhe përkatësisht i madh është rreziku. Për këtë arsye kërkuesit e Institutit të Ekonomisë Gjermane e këshillojnë Greqinë që të marrë një ilaç shumë të hidhur, të kërkojë ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Autor: Rolf Wenkel / Elert Ajazaj

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë