Eksperti Dobruna: kriza do të reflektohet në ekonominë e Evropës Juglindore
16 Shtator 2011
DW: Zoti Dobruna, prej vitesh ju ndiqni nga afër zhvillimet ekonomike në Ballkan, veçanërisht në Kosovë. Cili është vlerësimi juaj për krizën aktuale në eurozonë, duke qenë se ju jetoni dhe punoni si biznesmen në Vjenë dhe merreni direkt me investimet e evropianëve atje? A do të ketë ndikim kjo situatë edhe në këto vende?
Dobruna: Kriza nuk është diçka e re. Realisht unë do ta quaja një spirale të krizës që ka filluar në 2007 dhe vazhdon të thellohet edhe më tej me krizën në eurozonë. Dallimi është se në fillim kjo krizë kishte problemet e kreditimit bankar, ndërsa sot kemi probleme të likuiditetit të shteteve. Një numër prej tyre kanë jetuar jashtë mundësive reale që kanë pasur duke hyrë në borxhe të thella të jashtme dhe kështu jo vetëm që kanë rrezikuar qëndrueshmërinë e tyre vetjake, por kanë rrezikuar edhe valutën e përbashkët europiane.
Si rrjedhojë, e tëra kjo nuk do të kalojë pa pasoja edhe për vende të tjera që nuk janë pjesë e eurozonës, por që aspirojnë që një ditë edhe ato t'i bashkangjiten Bashkimit Europian dhe pse jo edhe eurozonës. Konkretisht këtu hyjnë edhe Kosova dhe Shqipëria, si dhe vende të tjera të Ballkanit. Veçanërisht Mali i Zi sikurse edhe Kosova që ka euron si valutë zyrtare në përdorim. Unë mendoj se pavarësisht nga skenaret se si do të jenë në të ardhmen apo si do të zhvillohet kjo krizë financiare, e gjitha kjo do të reflektohet në rajonin e Evropës Juglindore, në Ballkan.
DW: Por ku mund të ndihet më konkretisht influenca e kësaj krize financiare në vendet si Shqipëria dhe Kosova?
Dobruna: Së pari kriza do të ndikojë tek investitorët që planifikojnë të investojnë atje, veçanërisht tek investorët potencialë. Në rast se kriza ashpërsohet dhe praktikisht bankat bëhen edhe më konservatore në financimin e projekteve posaçërisht në Ballkan, atëherë edhe rrjedhja e investimeve të huaja në drejtim të Ballkanit do të ngadalësohet. Gjithashtu edhe investitorët që janë prezent atje rrezikojnë në një mënyrë apo tjetër për shkak të rënies së ciklit të zhvillimeve ekonomike apo të ndonjë krize, që mund të shfaqet më vonë në këto vende ku ata kanë investuar, praktikisht ndonjë krizë e importuar që do të ndikojë në stabilitetin e tyre ekonomik dhe në riinvestimet që ato kanë në plan. Por kriza do të kishte ndikim edhe tek bankat ekzistuese atje, edhe pse janë shumë të shëndosha dhe sipas bankave qëndrore dhe ato ndërkombëtare apo institucionet e huaja japin të dhëna mjaft pozitive aktualisht dhe që tregojnë se ato janë mjaft solide dhe kanë një “shëndet të mirë” financiar. Këto banka do të përballen me probleme kur ato do të detyrohen të dërgojnë paratë tek bankat amë nga shtetet prej nga vijnë, si përshembull Greqia, Italia. Atëhere ndikimi i krizës financiare mendoj se do të jetë më i ndjeshëm në tregun fiananciar, qoftë në Shqipëri apo diku tjetër në rajon.
DW: Greqia është aktualisht vendi me probleme shumë të mëdha financiare. Këtë krizë e ndiejnë në kurriz në radhë të parë qytetarët grekë, që do të thotë edhe mijëra migrantë shqiptarë atje. Shqipëria është vendi që do ta ndiejë më së shumti këtë apo jo zoti Dobruna?
Dobruna: Sigurisht që po. Kriza në Greqi mund të ketë ndikim më të drejpërdrejtë edhe në formën e remitancave. Për shembull nëse Greqia detyrohet të heqë dorë nga euroja, të aplikojë duke kthyer përsëri në qarkullim dhrahminë, sigurisht që ajo do të devalvojë dukshëm dhe si rrjedhojë e futjes së saj do të dëmtohen gjithë ata shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe në këtë mënyrë do të bien në një farë mënyre vlera e remitancave, pra të dërgesave financiare që i dërgojnë familjeve të tyre, të cilat janë një shtyllë e fuqishme e ekonomisë shqiptare, sepse ato financojnë konsumin. E njëjta është edhe me Kosovën, por këtu ka më pak ndikim ky fenomen, pasi diaspora e saj është e shtrirë më shumë në rajonet gjermanofolëse.
DW: Kosova ka monedhë zyrtare euron. Nëse ajo dobësohet, cili sektor preket më së shumti?
Dobruna: Nëse thellohet kriza në eurozonë apo dobësohet euroja, këto do të ndihen veçanërisht në fushën e tregtisë në Kosovë, por ajo ka efektin pozitiv sepse eksportet kosovare mund të lirohen, por në të njëjtën kohë edhe importet që nuk janë në euro, si derivatet e naftës, gjithashtu produktet ushqimore mund të shtrenjtohen, gjë që mund të ketë rrjedhimisht një efekt negativ dhe mund të shkaktojë rritje të inflacionit.
DW: Në një kohë kur kriza financiare po shqetëson mbarë botën, Shqipëria dhe Kosova deklarohen se kanë rritje të ekonomisë dhe monedhë stabile në vend. A është e mundur kjo?
Dobruna: Edhe Shqipëria edhe Kosova është fakt që kanë një rritje të vazhdueshme, të qëndrueshme ekonomike në Kosovë. Ajo sillet mesatarisht 5 për qind në vit. Janë këto të dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe përparësia e dy shteteve është se nuk kanë borxhe të larta shtetërore. Si Shqipëria edhe Kosova kanë borxhe të pakta që në një farë mënyre garantojnë qendrueshmërinë financiare. Megjithatë qeveria e Kosovës në veçanti duhet të ketë kujdes në likuiditetin, me buxhetin ku pritet sivjet që deficiti të jetë rreth 3,7 për qind e produktit kombëtar bruto, që nuk është një shifër shumë e lartë, por duhet mbajtur në kontroll dhe duhet pasur kujdes të veçantë ndaj saj.
DW: Por në këto vende me këto të dhëna, ka një papunësi të lartë dhe lulëzon korrupsioni. Investitorët e huaj ankohen për mungesë legjislacioni në këto vende që do t'u garantonte sigurinë këtyre investimeve dhe do ta kishin më lehtë për të depërtuar në të ardhmen. Nuk ndikojnë këto në zhvillimin e ekonomisë së vendit?
Dobruna: Këto probleme kanë të bëjnë më shumë me sundimin e ligjit. Ky është një proces afatgjatë që kërkon kohë dhe para së gjithash kërkon përkushtim politik. Në Kosovë përgjegjësia është e ndarë mes autoriteteve lokale dhe atyre ndërkombëtare për shkak se praktikisht fuqitë juridike janë të ndara, respektivisht edhe EULEX dhe KFOR kanë edhe përgjegjësi ekzekutive. Kështu që në një farë mënyre, sa ka faj qeveria e Kosovës për mosluftimin e korrupsionit, aq ka faj edhe EULEX. Në Shqipëri kemi tjetër situatë. Sigurisht që edhe këtu qeveria duhet të punojë më shumë në drejtim të luftimit të korupsionit. Ky është një kusht kryesor i një shteti, që kërkon të thithë investitorët nga jashtë. Dhe mbi të gjitha ky është një faktor kryesor për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
DW: Po në aspektin e legjislacionit si qendron puna? Ju vetë tashmë keni përvojë si drejtues i "Nismës së investimeve për Kosovën" nga Vjena.
Dobruna: Po ti referohemi raportit të fundit të Bankës Botërore; Shqipëria në fakt radhitet shumë më mirë se Kosova. Shqipëria kohët e fundit ka bërë hapa më të qëndrueshëm në krijimin e legjislacionit, ndërsa Kosova, sipas këtij raporti është zhvendosur shumë më poshtë në listën e Bankës Botërore, që nënkupton se klima e investimeve ka pësuar ndryshime negative. Tani qeveria ka nisur një iniciativë të re për ndryshimin e legjislacionit, ku bëhet fjalë për 12 ligje të reja që janë në procedurë e sipër dhe që presin miratimin nga Kuvendi i Kosovës. Kjo besoj se do të ndikojë në përmirësimin e renditjes në listë të Kosovës në të ardhmen.
Është shumë e rëndësishme edhe që qeveria e Kosovës ka marrë një iniciativë që deri në 2014 të radhitet në top-40 tëshen e vendeve të botës për investime dhe që të marrë statusin e top-reformuesit. Mendoj se kjo është një nismë shumë e mirë dhe pavarësisht vështirësive, besoj se është i realizueshëm.
Intervistoi: Mimoza Cika-Kelmendi
Redaktoi: Auron Dodi