1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eksportet, krenaria kombëtare spanjolle

Ralf Bosen / Elona Elezi24 Gusht 2012

Financat e saj janë katastrofë, politikat kaos dhe populli luhatet mes zemëratës dhe dëshpërimit. Por ende, Spanja mund të krenohet me sukseset e eksportit të kompanive më të mëdha të saj siç janë Telefonica dhe Zara.

Fotografi: Fotolia/Nikolai Sorokin

Zara, Telefonica dhe Santander janë fijet pas të cilave u kap ekonomia spanjolle në momentin që po fundosej. Duke qenë se Spanja është zhytur më thellë në vorbullën e krizës financiare, në prag të hovit të flluskës së pasurive të patundshme, këto firma dhe ekipi kombëtar i futbollit të paktën ofrojnë ca lajme të mira në Gadishullin Iberik. Përveç dështimit të euros, Zara, Telefonica dhe Santander gjenerojnë eksporte me bilance pozitive. 

Telefonica është mes firmave më të rëndësishme botërore të komunikimit dhe Santander një nga kompanitë bankare më të vlerësuara të eurozonës. Inditex, një grup madhor tekstilesh, është mjaft i suksesshëm. Dyqane që u përkasin filialeve të Zara dhe Massimo Dutti mbushin rrugët tregtare në të gjithë botën. Inditex është i përfaqësuar në 82 shtete, me më shumë se 5500 dyqane dhe 110 mijë punonjës.

Fotografi: Getty Images/AFP

Nga Nju-Jorku në Mekë

Kompanitë e cituara më lart nuk janë në asnjë mënyrë raste të izoluara.
"Nëse përmendni dyqanin e veshjeve Zara, duhet të shtoni gjithashtu edhe: Mango, Desigual, Imaginarium," i tha DW Walther von Plettenberg, menaxheri i përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë Gjermane, për Spanjën. "Të gjitha këto janë marka që po bëhen gjithnjë e më shumë të famshme."

Ai shtoi se nëse përmendni emra ofruesish si për shembull Santander dhe Telefonica dikush mund "të përmendë me të njëjtin zell të gjitha firmat e ndërtimit që punojnë ndërkombëtarisht. Mendoni metronë e Londrës, të Nju-Jorkut, të Moskës, trenin e shpejtësisë së lartë mes Mekës dhe Medinës. Spanjollët po konkurojnë kudo."

Ekonomisti Guntram Wolff i qendrës studimore Bruegel në Bruksel thotë se kompanitë spanjolle nuk po lëvizin thjesht nëpër botë, por po gjenerojnë thyerje rekordesh edhe në nivel evropian.

"Në tri ose katër vitet e fundit, kompanitë spanjolle kanë treguar një ndër nivelet më të larta të eksportit në rritje në eurozonë," thotë Wolff. "Spanja shfaqi shenja të theksuara rritjeje me shumë se çdo vend tjetër në eurozonë, përveç Estonisë."

Pak lehtësim për tregun e punës

Gjithsesi, asnjë nga këto nuk po e lejon Spanjën të marrë frymë lirshëm. Kjo sepse rritja jashtë kufijve nuk mjafton për të luftuar në mënyrë të efektshme mjerimin në shtëpi. Në fund të fundit, kompanitë eksportuese përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të tregut spanjoll të punës. Disa biznese hapin kryesisht vende të reja pune jashtë vendit. Në këtë mënyrë, afërsisht 5.5 milionë spanjollë të papunë përfitojnë pak nga bizneset fitimprurëse të orientuara jashtë kufinjve.

Sukseset e eksportit spanjoll janë ndoshta më të rëndësishme për të shërbyer si një balsam për vetëbesimin e vendit që lëngon. Në sytë e spanjollëve, kompanitë e eksporteve i tregojnë botës se Spanja përfaqëson ende diçka – se vendi nuk ka falimentuar dhe se nuk i mungojnë fuqitë sipërmarrëse. Duke e shfaqur haptazi ose jo, spanjollët e njohur të biznesit dhe të politikës përpiqen që tregtinë e jashtme të vendit ta distancojnë nga Greqia, një tjetër shtet anëtar problematik i eurozonës.

Gjithsesi eksportet janë kthyer në një çmim ngushëllimi për Spanjën, vendi i katërt më i madh me ekonomi të dëmtuar në Evropë. Von Plettenberg thotë se këtë mund ta lexoni çdo ditë në gazeta.

"Sa herë që Spanja ndërmerr një projekt madhor jashtë kufinjve, kjo njoftohet në shtyp," shpjegon ai. "Spanjollët e dinë se kjo është e rëndësishme për ta. Ata janë të përmendur në të gjithë botën."

Të frymëzuar nga suksesi gjerman

Tendenca duket se do të vazhdojë. Sipas Dhomës së Tregtisë Gjermane për Spanjën, eksportet u rritën në tremujorin e parë të këtij viti fiskal me 3.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga viti 2000 e deri në 2011, eksportet spanjolle drejt Gjermanisë janë rritur me 50% dhe drejt tregjeve të tjera ndërkombëtare me 72%. 

Këto suksese nuk janë rastësore. Në kërkim të mundësive të reja për rritje – dhe për të mbrojtur industrinë nga i njëjti "fat" që pati industria spanjolle e ndërtimit  – Madridi kërkoi ta bënte tregtinë e jashtme një prioritet kombëtar. Qeveria spanjolle e arriti këtë duke mësuar nga gjigandi i eksporteve, Gjermania.

Wolff-i është i bindur se sukseset e eksporteve spanjolle janë së pari falë kompanive të tyre të zgjuara. "Ajo çka vërejmë është më pak si rezultat i politikës ekonomike spanjolle," thotë ai, "se sa një reflektim i fuqive të kompanive të caktuara." Wolffi veçoi disa kompani të mëdha që janë sidomos të fuqishme në Amerikën e Jugut dhe Afrikë dhe mund të festojnë suksesin e tyre atje.

Fotografi: picture-alliance/ZB

Kriza e kredive ngadalëson zgjerimin

Kompanitë me flamuj spanjollë janë të vetmet, që shndërrisin në tregjet ndërkombëtare. Bizneset e vogla dhe të mesme janë pak të pranishme në tregun e eksporteve. Pengesa më madhore për ta është investimi financiar. Për momentin, kompanitë spanjolle po përballen me probleme të mëdha që të marrin financime nga tregu i kapitalit. Kompanitë e mëdha dhe të mesme  janë ende të varura nga injektimet e kredive për të hedhur hapa jashtë tregut vendas. Pas qëndrojnë pengesa të tjera. "Ata thjesht kanë mungesa në kapacitetet për eksport," thotë von Plettenberg, "ata kanë mungesa në njohuritë e gjuhës, kanë mungesa në traditën e eksporteve."

Ai shton se Spanja ende duhet të vazhdojë të nxisë zhvillimin e këtyre aftësive në nivelin e bizneseve të vogla dhe të mesme."Por kur shikon gjërat pozitive," vijon von Plettenberg, "Spanja ka shumë potencial përpara, nëse biznesi i mesëm do të angazhohej në eksport."

Ende, janë kompanitë më të mëdha spanjolle që kujdesën për bilancet pozitive të eksporteve. Zara, për shembull, do të zgjerojë përfaqësinë e saj në tregun spanjoll. Në fund të muajit shtator, kompania njoftoi se do të hapë një filial të ri në Mynih. Ai do të jetë dyqani i gjashtë i Zara-s në qytet.