1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Art

Ekspozita e tregon regjisorin Federico Fellini si vizatues

21 Nëntor 2021

Federico Fellini është një nga mjeshtrit e mëdhenj të historisë së filmit. Një ekspozitë në Essen tregon se si idetë e tij për realizimet kinematografike ai i hidhte në letër me vizatime.

Italien l Filmemacher Federico Fellini
Fotografi: Imago Images/ZUMA Press

Me filmat si "La Dolce Vita", "La Strada" dhe "Amarcord" regjisori italian Federico Fellini (1920-1993) u bë i pavdekshëm.  Falë fuqisë, dëshirës për jetën dhe imagjinatës që rrezatojnë, filmat e fituesit të shumëfishtë të çmimit Oskar kanë edhe sot efekt mbresëlënës. Por pak adhurues të kinemasë e dinë, se Fellini nuk ka qenë vetëm regjisor shumë i talentuar, por ai ka shkruar edhe skenarë për regjisorë të tjerë dhe libra.

Nga filmi "La Strada" (1954) me Giulietta Masina dhe Anthony QuinnFotografi: picture-alliance/United Archives/IFTN

Por sot vështirë që dikush ta dijë, se Fellini ka qenë edhe një vizatues jashtëzakonisht i talentuar.

Për Fellinin vizatimet ishin një mjet i pazëvendësueshëm në rrugën nga ideja në realizimin e filmit. Qoftë si skica apo si vendngjarje me shumë detaje dekorative, vizatimet e Fellinit janë shprehja e fantazive të tij, që e ndihmuan t'i kalonte ato në personazhe, kostume dhe skena, dhe në fund t'i realizonte.

Fillimet si vizatues portretesh

Skenë nga filmi Satyricon Fotografi: picture-alliance/United Archives

Në rininë e tij Fellini hapi një studio të vogël portretesh për pushuesit në plazhin e Riminit në 1936. Në fund të viteve tridhjetë ai publikoi vizatime humoristike dhe tregime të shkurtra në gazeta dhe revista. Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, menjëherë pasi amerikanët morën Romën, Fellini me miqtë e tij hapi një dyqan, ku ushtarët amerikanë mund të dëgjonin muzikë dhe pozonin që t‘u vizatoheshin portretet.

Në profesionin e tij të mëvonshëm si kineast Fellini përfiton nga përvoja e tij shumëvjeçare me laps dhe letër. Me skica dhe vizatime ai vizualizon idetë e tij. „Ashtu siç përbën skenari fazën verbale para prodhimit të filmit, shpesh ndodh, që unë gjatë kohës së përgatitjes të vizatoj bocete dhe figura, sepse dua ta fiksoj një skenë, një rol, kostumin e një personazhi të caktuar, apo gjendjen e tij shpirtërore dhe ta qartësoj nga ana vizuale.

Skica nga ekspozita, Folkwang Museum EssenFotografi: VG Bild-Kunst, Bonn 2021

Vizatime dhe klipe filmash

Tani për herë të parë prej tri dekadash punimet e Fellinit në letër mund të vizitohen në një ekspozitë të madhe. Punimet e shfaqura në ekspozitën në Muzeun Folkwang në Essen përfshijnë punën e Fellinit nga fillimi i viteve 1950 deri në fillim të viteve 1980. Fokusi i ekspozitës me titull "Federico Fellini. Nga vizatimi në film" është vendosur në vizatimet e tij për filmat "Amarcord", "Casanova", "Qyteti i grave" dhe "Anija e ëndrrave të Fellinit".

Anita Eckberg dhe Marcello Mastroianni, skenë nga filmi "La Dolce Vita" Fotografi: picture-alliance/dpa

Rreth 200 vizatime të regjisorit mund të shihen dhe të krahasohen me skenat e realizuara filmike, me fragmente skenari dhe regjistrime. Kjo e bën të qartë procesin krijues të Fellinit, nga ideja e parë deri te puna e përfunduar.

Ekspozita "Federico Fellini. Nga vizatimi në film" mund të vizitohet nga data 12 nëntor 2021 deri më 20 shkurt 2022 në Muzeun Folkwang në Essen. Ajo realizohet në bashkëpunim me Kunsthaus Zürich dhe financohet nga Istituto Italiano di Cultura Colonia në Këln.