1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekspozita "Shqipëria voton!" në Tiranë

26 Qershor 2009

Mbresa dhe këndvështrime origjinale të një qytetari gjerman për atë, që ndodh në Shqipëri.

Kulla e sahatit, TiranëFotografi: Mimoza Dhima

Ekspozita megjithëse është vendosur në mjediset komode dhe të qeta të Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet, të ngacmon dhe përzien me ndjesitë e fushatës elektorale. Shkrepjet e aparatit fotografik të sjellin para syve copëza të realitetit shqiptar. Duke nxjerrë në pah anë positive, por dhe mangësi e vështirësi nga jeta e përditshme. Fokus nga qëndrat e qyteteve, por dhe nga atmosfera rurale e periferike. Dhe diku poshtë një diciturë e menduar dhe e peshuar për të lëshuar një mesazh. Kjo të detyron që në ekspozitë të mos ecësh në një rend linear nga fotoja e parë tek e fundit. Por dhe të kthehesh e rikthehesh tek pamje dhe detaje, që të kanë mbetur në mendje.

Autori i ekspozitës, dr Alfred Diebold, shpjegon një nga fotot e tij më të preferuara. "Është një fans i sportit i mbështjelle me një flamur kombëtar. Motoja e kësaj foto është "ji krenar për vendin tënd. Ndaj dhe duhet shkuar në votimet parlamentare të 28 qershorit", thotë ai për DW. Ai ka gjetur një mjedis në qëndër të Tiranës, që me fotografitë e tij të bëjë një apel.

"Për të treguar bukuritë, por dhe problemet. Për t'i nxitur njerëzit se kanë një rast të mirë të përdorin të drejtën demokratike të votës së tyre më 28 qershor. Qytetarët e këtij vendi duhet të vendosin se cilës parti e alternativë do t'ia japin votën. Cilës parti duhet t'i besojnë për një arsimim më të mirë, për instalimin e një sistemi taksash të drejtë, ose për përmirësimin e infrastrukturës. Çdo të bëhet më tej me mbrojtjen e mjedisit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, për një kujdes shëndetësor të mirë dhe ligjshmëri të besueshme në Shqipëri etj., etj."

Dr. Diebold është prej një viti drejtor i zyrës së Fondacionit "Friedrich Ebert" në Shqipëri. Ekspozita duket një formë e veçantë e mënyrës se si lëshon mesazhe një fondacion politik, me aktivitet prej 85 vitesh, jo vetëm në Gjermani, por në më shumë se 100 vende të botës. Me seminare, konferenca, promovime, tryeza debati, kualifikime, botime etj. Por dhe me një ekspozitë fotografike, e fokusuar mbi një temë tejet të rëndësishme, siç janë zgjedhjet.

"Nuk janë foto për sot e për nesër. Janë bërë në një hark kohor prej rreth një viti. Ideja dhe organizimi për hapjen e një ekspozite të tillë ka dashur 2 muaj", thotë Diebold.

Sipas tij Shqipëria ende nuk është e njohur sa duhet në Gjermani. "Do të kisha për zemër që këto foto të tregoheshin dhe atje në vendin tim. Për të shpjeguar, se si jetohet këtu. Si është zhvilluar dhe si po zhvillohet për një të ardhme më të mirë, si pjesë e familjes europiane.

Kjo e bën të qartë planin e autorit që në të ardhmen e afërt fondi i tij i përzgjedhur i fotove artistike ti prezantohet dhe publikut gjermnan. Si dëshmi e realitetit për një Shqipëri, që është tashmë anëtare e NATO-s, por dhe që aspiron për ta marrë këtë status dhe në BE.


Autor: Arben Muka

Rredaktoi: Angjelina Verbica