1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekstremistja e majtë Lina E. në bankën e të akuzuarve

1 Qershor 2023

Ekstremistja e majtë Lina E. akuzohet nga drejtësia gjermane për kryesimin e një serie aktesh të dhunshme kundër neonazistëve. Procesi ka nxitur diskutime dhe frikë nga ekstremizmi i frymëzuar prej ideologjisë së majtë.

Ekstremistja e majtë Lina E. në bankën e të akuzuarve
Ekstremistja e majtë Lina E. në bankën e të akuzuarve Fotografi: Jens Schlueter/AFP

Në Drezden përfundoi procesi gjyqësor i stërzgjatur ndaj një studenteje 28-vjeçare gjermane akuzuar për krjimin e një organizate kriminele dhe kryerjen e gjashtë sulmeve serioze ndaj neonazistëve, një rast ky i pazakontë dhune ekstremizmi të majtë në Gjermani.

Prokurori tha se Lina E. dhe tre të akuzuarit e tjerë, — Lennart A., Philipp M., dhe Jannis R. — kanë kryer nga viti 2018 deri në vitin 2020 një seri sulmesh ndaj neonazistëve në landet e Gjermanisë lindore Turingji dhe Saksoni, përfshirë dy sulme ndaj Leon R., një ekstremisti famëkeq të djathtë, arrestuar po ashtu nën akuzën e krijimit të një organizate ekstremiste jo të majtë, por të djathtë.

Demonstratë e përkrahësve të të majtëve në LajpcigFotografi: Jan Woitas/dpa/picture alliance

Grupi rreth Lina E. mendohet së ka sulmuar në fund të vitit 2019 një bar të njohur neonazistësh në qytetin Eizenah dhe ka goditur Leon R. me çekiçë dhe shkopinj. Pasi sulmi i parë nuk pati sukses, grupi e sulmoi atë sërish disa javë më vonë kur ishte duke dalë nga makina. Neonazistët e tjerë pësuan nga sulmi thyerje kockash dhe lëndime të tjera. 

Prokurorët kërkojnë tetë vjet heqje lirie për Lina E., e cila ka kaluar tashmë më shumë se dy vjet pas hekurave, për shkak të kohëzgjatjes së procesit të komplikuar gjyqësor, dhe nga 3 deri 9 muaj burgim për të akuzuarit e tjerë. Mbrojtja ka kërkuar që Lina E. të dënohet vetëm për akuza më të lehta, të vjedhjes dhe tentativës për lëndim trupor. 

Proces i zgjatur gjyqësor, dëshmi kontradiktore

Akuza bazohet kryesisht në dëshminë e një anëtari të grupit, që është kthyer në dëshmitar për prokurorinë: 30-vjeçari Johannes D., i cili ka thënë se ka marrë pjesë në planifikimin e disa sulmeve. Dëshmia e tij u vu shumë në dyshim marsin e kaluar, në një kohë kur të dy palët ishin duke përgatitur deklaratat përfundimtare, sepse ai i hodhi poshtë disa nga dëshmitë e tijt, kur iu zhvillua një proces i veçantë gjyqësor.

Ai tha para Gjykatës së Lartë rajonale të Drezdenit se katër të akuzuarit kanë bërë trajnime specifike për të sulmuar ekstremistët e djathtë. Por në gjykatën e Meiningenit në muajin shkurt ai kishte thënë se trajnimi kishte më shumë të bënte me arte marciale për ushtrime fizike. Johannes D. u dënua vetëm me 18 muaj me kusht, duke ndezur më shumë spekulimet se për të lehtësuar dënimin ai kishte dhënë dëshmi që mund të përdoreshin kundër Lina E.

Pamje nga protestat "Free Lina", Leipzig-ConnewitzFotografi: Sebastian Willnow/dpa/picture-alliance

Akuza e prokurorisë ka kryesisht të bëjë me nivelin deri ku janë zhvilluar planet për sulme, sepse akuza sipas së cilës Lina E. ka qenë drejtuese e një organizate kriminele bazohet në argumentin që për sulmin janë kryer trajnime specifike. Tani pritet të thirren dëshmitarë të tjerë që të mbështesin dëshminë e Johannes D., duke e shtyrë procesin me disa javë më shumë.  

Rast me ngarkesë politike

Rasti ka shkaktuar tensione të mëdha politike, ku mbrojtja dhe skena politike shumë e majtë në Lajpcig, qytetin e Lina E., thonë se ajo akuzohet si terroriste e majtë duke u kthyer në kokë turku si për mediat edhe për autoritetet. Shumë ankohen se sistemi i drejtësisë është i butë me neonazistët. 

Parrulla "Free Lina" dhe kuti për të mbledhur ndihma për mbrojtjen e saj janë shpërndarë në lagjen Connewitz të Lajpcigut, një qendër përkrahësish të së majtës, ku Lina E. ka jetuar edhe vetë.

Por Hendrik Hansen, specialist për çështjet e terrorizmit dhe profesor në Universitetin e Shkencave Administrative, thotë se e vetmja gjë që ka bërë media është zbutja e rrezikut të ekstremizmit të majtë. "Procesi gjyqësor është një sukses i dukshëm," thotë Hansen për Deutsche Wellen. "Në zonat rreth Lajpcigut ne jemi duke hasur rritjen e strukturave klandestine, të lidhura shumë mirë me skenën ekstremiste të krahut të majtë, të cilët janë duke përdorur metoda që nuk janë përdorur më parë."

Hansen thotë se grupi i Lina E. mund të klasifikohet qartë si organizatë kriminale dhe mund të cilësohet shumë mirë, si grup terrorist: "I gjithë grupi ka qenë një grup me njerëz që kanë bërë plane për të sulmuar aq saktësisht, saqë kanë përdorur teknologjinë e duhur për këtë gjë, si për shembull telefonë celularë me një përdorim. Ata janë trajnuar mirë për të punuar si grup. Ata kanë pasur informatorë që kanë bërë spiunime për viktimat. Detyrat mes grupit kanë qenë të ndara shumë mirë.”

Në landet lindore të Gjermanisë ka mjaft përkrahës të së majtës Fotografi: Robert Michael/picture alliance/dpa

Hansen thotë se dëshmitë tregojnë se grupi nuk bërë plane për të përdorur metodat e luftës në rrugë, por për të zhvilluar sulme të qëllimshme që synonin plagosjen ose madje vrasjen e viktimave. "Terrorizmi përcaktohet si dhunë me motive politike që synon të përhapë frikë dhe tmerr tek popullsia në përgjithësi ose brenda një grupi të caktuar njerëzish në veçanti,” thotë ai.

Kush është Lina E.?

Përveç një fjale të shkurtër mbajtur gjatë procesit gjyqësor zhvilluar javën e kaluar, ku ajo falenderoi shokët dhe njerëzit e familjes, Lina E., ka folur vetëm një herë në gjyq, tetorin e kaluar, kur tregoi për jetën e saj: E lindur në Kasel, në Gjermaninë qendrore, ajo ka punuar si punonjëse sociale me të rinj pa avantazhe dhe gjatë kohës së studimeve ka shkruar për çështjen se si mund të luftohet radikalizimi i djathtë tek të rinjtë.

Kaseli ndodhet në landin e Hesenit, një land me një skenë të madhe të krahut të djathtë dhe në vitin 2006 ka qenë qyteti ku është kryer një nga dhjetë vrasjet e bëra nga grupi i djathtë terrorist, Ilegaliteti Nacionalsocialist (NSU)

Lina E. thuhet se është politizuar gjatë kohës që u zbulua grupi NSU, në vitin 2011, zbulim që shkaktoi diskutime të mëdha dhe hetime që u zhvilluan në gjithë Gjermaninë për gabimet e bëra nga forcat e rendit dhe forcat e sigurimit.

Që prej arrestimit të saj, ajo ka kaluar dy vjet e gjysmë në të njëjtin burg në Kemnic (Chemnitz), ku po kryen dënimin edhe Beate Zschäpe, i vetmi person që ka mbetur gjallë nga anëtarët e grupit NSU.

Prokurori tha se Lina E. është ende shumë e rrezikshme. Kryeprokurorja, Alexandra Geilhorn, tha se e akuzuara nuk ka treguar pendesë dhe nuk është distancuar nga ideologjia e krahut të majtë. Prokurorja po ashtu tha se ajo që ajo e quan "dhunë të rëndë” prej sulmeve, është kryer me "përqëndrim të lartë energjish kriminele”, shoqëruar nga një "sasi e caktuar e mungese ndjenjash”.

Ajo po ashtu paralajmëroi për rrezikun që Lina E. mund të hidhet shumë kollaj në ilegalitet, gjë që e ka bërë tashmë partneri i saj Johann G., një ekstremist tjetër i krahut të majtë. 

Pamje nga procesi kundër Lina E dhe të akuzuarve të tjerëFotografi: Jens Schlueter/AFP

Mbrojtja i hodhi poshtë të gjitha këto akuza duke theksuar se Lina E. ka thënë se ambicja e vetme e saj është të përfundojë studimet universitare dhe të bëhet punonjëse sociale.

Mbrojtja po ashtu akuzoi prokurorinë se ka ngritur hipoteza seksiste lidhur me fajësinë e Lina E. Akuza e ka lidhur atë me një nga skenat e krimit, sepse atje janë gjetur gjurma ADN-je të partnerit të saj Johann G. Kjo, thotë mbrojtja, është po aq spekulative sa "logjika e Bonie e Klajd”. Nuk ka dëshmi direkte ADN-je që ta lidhin Lina E. me skenën e sulmeve kundër neonazistëve.

 

 

*Shënim i redaksisë: Deutsche Welle respekton Kodin Gjerman të Shtypit, i cili kërkon mbrojtjen e privatësisë së kriminelëve dhe viktimave të dyshuara dhe na detyron të mos japim emrat e plotë të tyre.