Embargo kundër Iranit
23 Janar 2012Embargo për naftën dhe bllokim kapitali. Këto janë vendimet e BE-së kundër Iranit. Por masat që parashikon BE do të japin efektin e tyre vetëm nga 1. Korriku i këtij viti. Banka Qendrore Iraniane gjithashtu do të përballet me sanksione. Irani eksporton gati 2,5 milionë fuçi naftë në ditë. Më shumë se tre çereku i të ardhurave në devizë vijnë nga shitja e naftës dhe gazit. Profesori për çështjet politike nga Universiteti i Teheranit Zibakaram mendon se po qe se luftohet me çdo mënyrë për t'ia prerë Iranit këto të ardhura, atëherë praktikisht i ke shpallur luftë këtij shteti. Me këtë shkatërrohet edhe ekzistenca e regjimit islamist.
Sanksionet e Bashkimit Europian
Rreth 75 miliardë dollarë ka përfituar Irani vetëm gjatë vitit të kaluar nga shitja e naftës dhe gazit. Se sa nga këto të ardhura janë përdorur për zhvillimin e një programi nuklear, kjo është e paqartë. Ajo që dihet është se vendet perëndimore janë të bindura se Teherani po i përdor të ardhurat e naftës për të zhvilluar armë bërthamore.
Ministri i Jashtëm britanik William Hague e bëri të qartë qëndrimin britanik: "Ne duam të ndalojmë përhapjen e armëve bërthamore në Lindjen e Mesme. Sepse kjo do të ndizte një garë armatimi në rajon dhe do të vinte në rrezik marrëveshjen për mospërhapjen e armëve bërthamore."
Edhe Franca po ashtu bën të qartë se do të ndikojë që të mos ndërhyhet ushtarakisht në këtë vend. Për këtë ka një zgjidhje, sipas presidentit, Nicolas Sarkozy: "Ne kemi nevojë për sanksione të rrepta, të vendosura që do të pengojnë shitjen e naftës iraniane dhe do të çojnë në ngrirjen e kapitalit të Bankës Qendrore Iraniane."
Azia tregu më i rëndësishëm për Iranin
Rreth 20% e naftës iraniane shkon drejt BE-së. Shumicën e marrin vende si Spanja, Italia dhe Greqia, Për grekët, është gati e pamundur të heqin dorë nga nafta iraniane. Athina nuk paguan për naftën iraniane, Teherani duron borxhet e Athinës. Kush do të furnizojë grekët e rënduar nga borxhet me naftë?
Por Irani mund ta përballojë humbjen e tregut europian. Më dramatike për të do të ishte embargoja në vendet e aziatike. Sepse 60% e naftës iraniane shkon në Kinë, Japoni, Indi dhe Korenë e Jugut. SHBA ka luftuar shumë këto kohë për një embargo të përgjithshme kundër Iranit. India nga ana e saj ndjehet e detyruar vetëm ndaj sanksioneve të OKB-së, prandaj ky vend dë të vazhdojë të blejë naftë iraniane. Këtë deklaratë e bëri ministri i Jashtëm indian, Rajan Mathai.
Autor: Reinhard Baumgarten/Lindita Arapi
Redaktoi: Bahri Cani