Emigrantët - të harruarit e fushatës elektorale në Greqi
12 Shtator 2007
Mitingjet elektorale të dy partive më të mëdha do të kurorëzohen të Premten në Athinë, si ai i partisë në pushtet, ashtu edhe partia Demokracia e Re. Në këto kushte katastrofa e Peloponezit të ngjan si një ngjarje shumë e largët.
Dy forcat favorite për pushtetin, pozita e djathtë e Karamanlisit dhe opozita socialiste e Papandreut, edhe pse akuzojnë për populizëm të rrezikshëm njëri-tjetrin, tek e fundit kanë për të premtuar diçka për çdo kategori: punë për të papunët, për bujqit pensione më të mira, për pronarët heqje të taksës së trashëgimisë për pasardhësit e tyre. Që të dy premtojnë një të ardhme më të mirë dhe të sigurt, me një shtet pa kusuret dhe korrupsionin e deritanishëm dhe në shërbim të qytetarit.
Vetëm për emigrantët nuk dëgjohen premtime. Ata duket sikur janë të harruarit e kësaj fushate elektorale. Se janë pa votë dhe pa leje, siç tha kryetari i partisë së majtë Sinaspismos, Alekos Allavanos, i vetmi që zhvilloi një takim të posaçëm me emigrantë nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera. "Për ne emigrantët janë një pjesë e realitetit politik dhe ashtu siç kemi bërë deri më sot do të vazhdojmë përpjekjet për ligje të thjeshtëzuara që do të mund të garantojnë leje qëndrimi dhe pune pa burokracira. Do të hapim betejën për struktura të integrimit politik dhe social në fusha të tilla si arsimi, shendetësia dhe pagat e punës" deklaroi kreu i partisë së majtë për të shtuar se partia e tij do t'u mbetet konsekuente vlerave të barazisë sociale dhe nuk do të emigrojë kurrë në terrenin e racizmit dhe ksenofobisë.
Partia Alarmi Ortodoks Popullor, që debuton në këtë terren rreshqitës dhe siç thuhet do të hyjë në parlament, do të kujtohej edhe ajo për emigrantët por pa fshehur qëndrimet e saj lepeniste. "Duhet të vihet rregull... që të bëhet jeta e tyre por edhe e jona më e mirë" ishte motoja e kreut të saj Jorgos Karaxhaferis, që në praktikë do të thotë ekstradime dhe pranim vetëm të një kuote të caktuar emigrantësh në vend, qëndrime ksenofobe të servirura me një terminologji të sheqerosur siç bën edhe në programin e tij prej 96 faqesh ku kërkon akoma edhe ndalimin e sindikalizmit në emër të "harmonisë së klasave".
Partia nacionaliste mendon se kështu do të fitojë një pjesë të elektoratit, që e shikon emigrantin si shkakun e papunësisë dhe pasigurisë së tij, kur në mullirin e saj ka çuar ujë edhe "teoria e komplotit" në djegjen e Peloponezit edhe me emigrantët si zjarrvënës potencialë. Për të kundërten ndoshta, për të mos humbur vota, dy partitë e mëdha mbajten në surdinë politikat e tyre për emigracionin dhe u mjaftuan vetëm me ndonjë referim të vogël të krerëve të tyre. Kjo edhe pse për shembull në programin elektoral të socialistëve në opozitë, PASOK-ut, flitet për dhënien automatike të nënshtetësisë greke për fëmijët e emigrantëve që lindin në Greqi dhe për të gjithë nxënësit pas tre vjetesh mësimi në shkollat greke.