1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Emocionet, ritmi, intensiteti: dorëheqja e Bärbel Bas-it

14 Tetor 2026

Ministrja Federale e Punës, Bas, dha dorëheqjen nga postet, duke përmendur një vdekje në familje. Dhe trajtimin e ashpër që ka marrë nga qeveria. Pse janë debatet publike kaq të pamëshirshme këto ditë?

Deutschland Berlin 2025 | Bundesarbeitsministerin Bärbel Bas bei einer Pressekonferenz
Fotografi: Christophe Gateau/dpa/picture alliance

Për një çast të shkurtër, një valë tronditëse e heshtur përshkoi skenën politike zakonisht të pamëshirshme në Berlin: të hënën (12.10.2026) në mëngjes, Ministrja federale e Punës dhe bashkëkryetare e SPD-së, Bärbel Bas, njoftoi dorëheqjen e nga të gjitha postet, përfshirë kryesinë e SPD. Politikania 58-vjeçare përmendi një tragjedi personale si arsyen e vendimit të saj: "Pas vdekjes së vajzës sime (thjeshtrës), kam kuptuar se kam nevojë për kohë për t'u përballur me pikëllimin tim," shkroi Bas në një deklaratë.

Por politikania e SPD-së shpjegoi gjithashtu se kritikat e vazhdueshme ndaj saj nga konservatorët në CDU dhe CSU kishin kontribuar në vendimin e saj për t'u tërhequr. Bas shkroi, fjalë për fjalë, se duhej të "… pranoja se sulmet publike kundër meje – fatkeqësisht edhe nga radhët e partnerit tonë të koalicionit – janë intensifikuar edhe më tej në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë për mua personalisht".

Merz foli për Basin në një intervistë

Kohët e fundit, Bas ishte përgjegjëse për zbatimin e reformave komplekse të pensioneve publike,dhe disa politikanë konservatorë e kishin shtyrë mjaft fort që të mos e vononte më tej projektin. Po t'i besojmë një informacioni në "Süddeutsche Zeitung", duket se ishte një koment i bërë nga Kancelari Friedrich Merz (CDU) gjatë një bisede me dyer të mbyllura me gazetarë që e preokupoi shumë Basin.

Një politikane që, në jetën e saj private, ndihet kaq nën presion sa që do të preferonte të jepte dorëheqjen nga postet, në vend që të vazhdonte t'i ekspozohej presionit? Mirco Liefke, një studiues në Berlin, i specializuar në politikë dhe media, prej kohësh studion format e komunikimit publik. Ai i tha DW se padrejtësia dhe ashpërsia gjithmonë kanë ekzistuar në politikë, por: "Ajo që besoj se është e re është ky potencial për shkallëzim, shpejtësia që mediat sociale u kanë sjellë debateve. Dhe nxitja për aktorët e ndryshëm që të shprehen në një mënyrë gjithnjë e më radikale."

Politika dhe mediat: çfarë është publike dhe çfarë mbetet e fshehtë?

Emocioni dhe ritmi janë, prandaj, forcat lëvizëse, dhe mediat sociale e intensifikojnë këtë me algoritmet e tyre. Kjo gjithashtu do të thotë se tani pothuajse nuk ka më hapësira ku politikanët mund të ruajnë konfidencialitetin. Duket se Merz-i kishte folur negativisht për Bas në një bisedë me dyer të mbyllura. Sipas raporteve, ai kishte thënë se Basi pothuajse nuk ishte e pranishme dhe nuk kishte paraqitur asnjë propozim të saj. Kjo ndonëse ai ishte i vetëdijshëm për situatën personale të lideres së SPD-së.

Një zëdhënës i kancelarit refuzoi ta konfirmonte ose ta mohonte këtë. Por deklarata të tilla qarkullonin tashmë prej kohësh. Liefke: "Është bërë një model i vërtetë biznesi të publikosh përmbajtje që, në fakt, janë konfidenciale, për të tërhequr vëmendjen."

Lideri i Gjelbërve, Banaszak: "Pa mbështetjen e SPD-së"

Lideri i Partisë së Gjelbër, Felix Banaszak, ashtu si Bas, është nga Duisburgu në Renani Veriore-Vestfali dhe e njeh ish-lideren e SPD-së prej shumë vitesh. Ai i tha DW: "Ashpërsia dhe pamëshirshmëria nuk janë asgjë e re në politikë. Por fakti është se ne duhet të gjejmë një mënyrë tjetër veprimi nëse nuk duam të vazhdojmë t'i lodhim njerëzit."

Udhëheqësit e koalicionit në rrugë për në konferencën e shtypit pas mbledhjes së komisionit të koalicionit, 2 korrik 2026, Merz dhe Bas perparaFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Banaszak gjithashtu i bën përgjegjës kolegët e tij në SPD: "Fakti që Bärbel Bas ka marrë kaq pak mirëkuptim për situatën e saj personale nga radhët e partnerit të koalicionit, dhe që, duket, askush në SPD nuk ishte i gatshëm të ndërhynte në emër të saj në këtë situatë dhe ta hiqte nga vija e zjarrit, thjesht nuk është një shenjë e mirë." Ai shton: "Do të ishte naive të bënim sikur sulmet ndaj një burri do të ishin të ngjashme." Liefke e mbështet këtë mendim: "Gratë në politikë janë të ekspozuara, në një masë të tepruar, ndaj ngacmimeve misogjene dhe seksualizuese që zhvillohen me një dukshmëri publike të paprecedentë."

Megatrend tjetër: 'emocionalizimi'

Në ditët pas dorëheqjes së saj, debati mbi mënyrën se si të trajtohej Bärbel Bas dhe pikëllimi i saj mori karakteristika thelbësisht të ngjashme me ato të sulmeve të mëparshme kundër saj. Kryeministrja e Mecklenburg-Vorpommern, Manuela Schwesig (SPD), foli për sulme 'jo njerëzore' nga CDU, gjë që zemëroi shumë politikanë konservatorë. Kancelari Merz vetë shprehu trishtim  për dorëheqjen e ministres së tij të Punës dhe i uroi gjithë të mirat.

Për studiuesin e shkencave politike Liefke, ky është thjesht një tjetër dimension i 'emocionalizimit'. Kur një politikane përballet me pasojat, reagimi që ngjall është më i madh se më parë, nga të gjitha palët: 'Në thelb, është një fasadë zemërimi. Ka diçka rituali në këtë, diçka refleksive. Njerëzit reagojnë kështu sepse po ndjekin një megatrend tjetër: 'emocionalizimi'."

Rasti i Bas-it nuk është i izoluar: Kevin Kühnert është një shembull tjetër

Sigurisht, sulmet ndaj Bas-it janë vetëm një shembull i tonit gjithnjë e më të ashpër të debatit politik.

Thirrjet për rregull, për shembull në Bundestag, janë rritur ndjeshëm, veçanërisht që kur partia 'Alternativa për Gjermaninë' (AfD), me elementët e saj të ekstremit të djathtë, hyri në Parlamentin gjerman në vitin 2017. Dorëheqjet, si ajo e Kevin Kühnert (SPD), gjithashtu bënë bujë.

Kühnert, ish-sekretari i përgjithshëm i SPD-së, dha dorëheqjen në tetor 2024 duke përmendur arsye shëndetësore. Në prill 2025, ai i tha revistës javore "Zeit" se kishte ndjerë vazhdimisht kërcënimin nga fantazma e ekstremit të djathtë. Dhe se në debatet politike, 'ka një mungesë gjithnjë e në rritje të respektit për mendimet e atyre që mendojnë ndryshe'.

Helmut Schmidt: i hapur në publik, por i rezervuar në privatësi

Mirco Liefke gjithashtu kujton se si politikanët e dikurshëm arritën të mbajnë, për t'u shprehur kështu, dy mënyra të ndara komunikimi: një publike dhe një private: 'Nëse mendojmë për gjeneratat e mëparshme të politikanëve, ajo që karakterizonte njerëz si Helmut Schmidt-i, për shembull, ishte distancimi i tij dhe mungesa e intensitetit emocional; ai nuk lejoi që vështirësitë që i dilnin në rrugë ta mposhtnin. Të paktën, ai nuk e tregonte këtë në botën e jashtme.'

Schmidt (SPD) ishte Kancelar i Gjermanisë nga viti 1974 deri në 1982. Liefke vazhdon: 'Sot, politikanet si Bärbel Bas mbështeten në historitë e tyre personale kur thonë: "Unë vij nga një familje punëtore dhe kam punuar shumë për të arritur këtu."Kjo i vendos ata në qendër të vëmendjes, por, si njerëz, ata bëhen shumë më të dukshëm dhe të prekshëm."

Bas, e cila ishte Presidente e Bundestagut midis viteve 2021 dhe 2025, dëshiron ta ruajë mandatin në Bundestag. Megjithatë, situata që e rrethon atë ka të ngjarë të qetësohet disi: njerëz të tjerë do të vijnë në qendër të vëmendjes, si në jetën private ashtu edhe në atë publike.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW