Erneuerbare Energien Klima Polen
8 Dhjetor 2009Marek Bielik telefonon me një klient biznesi. Një furnizues energjie nga Franca telefonon dhe thotë se dëshiron të vendosë turbina ere në Poloni. Për këtë, sipërmarrjes franceze i nevojitet fillimisht bashkëpunimi me firmën e projektimit të Bielikut: "Ne përgatisim dokumentat për parqe me turbina ere. Kërkojmë vendin, studiojmë erën që fryn në atë vend, pra shohim nëse mund të vendosen atje turbina ere. Ne përgatisim gjithçka, duke përfshirë edhe lejen e ndërtimit. Ne zotërojmë të drejtat për këtë ndërtim. Vetëm atëherë neve na drejtohet një investues, i cili na thotë, OK, kjo më intereson dhe dua të vendos atje turbinat e erës."
Kjo do të thotë, se pa firmën projektuese të Bielikut, furnizuesi francez i energjisë, EDF ose koncernet energjitike suedeze ose gjermane, Vattenfall dhe RWE nuk do të ishin në gjendje të vendosnin asnjë turbinë ere në Poloni. Investuesit bëhen tërheqës me kapitalin që sjellin. Kërkesa është e pandërprerë, gëzohet inxhinjeri 50- vjeçar i ndërtimit në Stettin: "Këtë ide unë e pata para pesë vjetësh, kur Polonia u bë anëtare e BE. Për Poloninë u tha se duhet ta rrisë pjesën e energjisë që fiton nga energjitë e ripërtëritshme, atëherë ne thuajse nuk zotëronim turbina ere."
Me dy punonjësit e tij, Bieliku fillimisht mund të punonte që nga shtëpia. Por numri i kërkesave dhe porosive u rrit pa ndërprerje. Atij i duhej më shumë vend dhe më shumë njerëz. Ndërkohë, Bieliku ka tri zyra në Poloni dhe punëson mbi 20 punonjës - ekspertë të erës, inxhinjerë ndërtimi, njerëz nga industria energjitike: "Zgjerimi i përdorimit të energjisë së erës tani po ecën me shpejtësi në Poloni. Shkaku i kësaj nuk është bumi i ekonomisë polake dhe rritja e kërkesës për energji, por edhe detyrimi i sipërmarrjeve energjitike për të blerë një pjesë të energjisë së ripërtëritshme. Pra ka shumë punë. Potenciali dhe nevojat në Poloni janë të mëdha."
Numri i turbinave të erës në Poloni dyfishohet thuajse çdo vit. Ekspertët vlerësojnë se kjo tendencë do të vazhdojë edhe vitet e ardhshme. Dhe kjo përkthehet jo vetëm në porosi të reja dhe në shtimin e xhiros, por edhe në vende të reja pune, mendon gazetarja për problemet e ambjentit, Magdalena Kozmana: "Edhe firma të tjera të vogla lindin çdo ditë. Të tilla për shembull, që prodhojnë impiante solarësh ose elementë efikasë energjitikë, si dritare të izoluara. Edhe këto degë zhvillohen shumë shpejt, edhe atje krijohen gjithnjë e më shumë vende pune."
Ne sektorin e energjive të ripërtëritshme dhe të efikasitetit energjitik aktualisht megjithatë janë punësuar më pak se pesë përqind e polakëve. Por numri i të punësuarve në të ardhmen me siguri do të rritet edhe më tej, për këtë gazetarja Kozmana është e sigurtë. Ajo thekson: nuk duhet të përqendrohemi vetëm te numri i vendeve të punës, të cilat lindin drejtpërdrejt në një sektor të caktuar, por duhet parë më gjerë: "Për shembull, komunat janë të interesuara të kenë parqe me turbina ere, sepse në këtë mënyrë ato nxjerrin taksa për pasuri të patundshme, pra të ardhura shtesë. Në këtë mënyrë ato sigurojnë jo vetëm shumë vende pune, por krijojnë edhe vende të reja pune. Edhe sektori financiar pret fitime të majme me dhënien e kredive për investimet në energjitë e ripërtëritshme."
Autor : Justyna Bronska / Auron Dodi
Redaktoi : Aida Cama