1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëPoloni

Donald Tusk zgjidhet kryeministër i ri i Polonisë

13 Dhjetor 2023

Donald Tusk nuk ka kohë për të humbur. Një ditë pasi u zgjodh kryeministër i Polonisë, ai do të paraqesë planin e tij në parlament. Pas ceremonisë së betimit të mërkurën, do të shkojë direkt në samitin e BE-së.

Tusk sërish kryeministër i Polonisë
Tusk sërish kryeministër i PolonisëFotografi: Michal Dyjuk/AP/dpa/picture alliance

Donald Tusk po shton ritmin e punës. Lideri i koalicionit pro-evropian të qendrës së djathtë në Poloni po përpiqet të kompensojë kohën që humbi për shkak të taktikave vonuese të kampit të deritanishëm qeveritar nacional-konservator. Vetëm një ditë pas zgjedhjes së tij, ai bëri një deklaratë qeveritare të martën, 12.12.2023, në Dhomën e Përfaqësuesve (Sejm). Pas humbjes së shumicës absolute në zgjedhjet parlamentare të 15 tetorit, kryetari i partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) Jaroslaw Kaczynski luajti për një kohë të gjatë, për të vonuar sa më shumë transferimin e pushtetit. Gjatë kësaj kohe, poste të rëndësishme u plotësuan shpejt nga mbështetësit e PiS, ndërsa fondet buxhetore u shpërndanë institucioneve të tyre mike.

Mateusz Morawiecki, i cili kishte qeverisur Poloninë që nga viti 2017, u përpoq për javë të tëra të krijojë një qeveri pavarësisht se i mungonte shumica në parlament. Presidenti i Polonisë Andrzej Duda, i cili vjen nga i njëjti kamp politik, e ndihmoi atë në këtë manovër, ndonëse ishte e qartë se do të dështojë.

Morawiecki dështon, Tusk merr drejtimin e qeverisë

Por pas gati dy muajsh, taktikat e ngecjes së PiS më në fund morën fund në fillim të kësaj jave. Dhoma e Përfaqësuesve zgjodhi Tuskun si kryeministër të hënën në mbrëmje (11 dhjetor 2023). Ish-presidenti i Këshillit Evropian mori 248 vota, 23 më shumë se sa kërkohej. Kundër tij votuan 201 deputetë. Të nesërmen, kryeministri i sapozgjedhur bëri deklaratën e tij të parë qeveritare.

Koalicioni i tij përbëhet nga tre blloqe - Koalicioni i tij Qytetar (KO), Rruga e Tretë Kristian-Demokratike (TD) dhe e Majta e Re.

Tusk premtoi përmirësimin e pozitës së mediave publike, premtoi rikthimin në fondet e BE-së dhe rivendosjen e shtetit ligjor. Tre komisione hetimore do të hedhin fillimisht dritë mbi skandalet e mëparshme, tha ia. Më parë, Morawiecki kishte humbur bindshëm mocionin e mosbesimit në parlament. Vetëm 190 deputetë e kanë mbështetur ate, ndërsa 266 deputetë votuan kundër qëndrimit të tij në detyrë.

Tusku falënderon për mbështetjen në ParlamentFotografi: Michal Dyjuk/AP/dpa/picture alliance

Ai deri në fund u përpoq të merrte mbështetjen e kampit demokratik me premtime. Ai u paraqit si një pëllumb paqeje, bëri thirrje për dialog dhe i bëri thirrje Parlamentit që përballë sfidave të mos kërkojë atë që na ndan, por atë që na bashkon. Kreu i qeverisë në largim i prezantoi tetë vitet e fundit si një seri suksesesh dhe foli për zgjerimin e forcave të armatosura në 300.000 ushtarë, futjen e energjisë bërthamore dhe ndërtimin e një aeroporti të madh në Poloninë qendrore si detyra të ardhshme. Morawiecki theksoi se plani i tij "do të fitojë në çdo rast, nëse jo tani, atëherë në të ardhmen".

Shkëmbim goditjesh mes Tuskut dhe Kaczynskit

Zgjedhja e Tuskut ndodhi nën hijen e shkëmbimit të goditjeve mes tij dhe kundërshtarit të tij Kaczynski. Në një fjalim të shkurtër pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, Tusk foli për fushatën propagandistike të drejtuar kundër tij që është bërë prej vitesh nga politikanët e PiS dhe mediat shtetërore që ata kontrollojnë. Dhe pastaj Tusk iu drejtua drejtpërdrejt Kaczynskit: "Në atë kohë, vëllai juaj Lech më tha publikisht se ai kurrë nuk kishte parë një horr të tillë (si Kurski).

Mateusz Morawiecki u shkarkua nga posti i kryeministritFotografi: Michal Dyjuk/AP/picture alliance

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2005, Kurski akuzoi gjyshin e Tuskut se ishte vullnetar për Wehrmacht. Në realitet, Jozef Tusk u dërgua në Gdansk gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë dezertoi në një njësi polake. Kaczynski reagoi me hidhërim dhe ftohtësi: "Nuk e di kush ishin gjyshërit tuaj, por di një gjë: Ju jeni agjent gjerman", tha ai

Kaczynski flet për fundin e demokracisë polake

"Ky është fundi i demokracisë polake," shtoi kreu i PiS, pas zgjedhjes së Tuskut kryeministër. Më pas ai kritikoi Rusinë dhe Bashkimin Evropian. "Planet e miratuara nga Parlamenti Evropian dhe që po formohen më tej në BE janë një koncept për transformimin e shtetit polak në një zonë të banuar nga polakët, por në thelb të kontrolluar nga jashtë - nga Brukseli, Berlini”, tha Kaczynski. "Kaczynski nuk mund ta pranojë humbjen e tij," komentoi politologia Anna Siewierska Chmaj në TVN.

Duke pasur parasysh raportin në parlament, Tusk dhe qeveria e tij kanë mbështetjen atje. Kabineti do të betohet të mërkurën në orën 9 të mëngjesit. Kjo do të thotë se Tusk, si kreu i ri i qeverisë polake, mund të fluturojë më pas në Bruksel, në samitin BE-Ballkani Perëndimor dhe në takimin e Këshillit Evropian të mërkurën në mbrëmje. Në çështjet ndërkombëtare, ai do të jetë në gjendje të mbështetet te ministri i Jashtëm me përvojë, me famë botërore, Radoslaw Sikorski, i cili udhëhoqi diplomacinë polake në vitet 2007-2014.

Kushdo që beson se Tusk do të jetë një partner i lehtë negociues në BE, mund të përballet me surpriza të pakëndshme.

Jacek Lepiarz Gazetar i redaksisë polake të DW, me fokus të veçantë në çështjet polako-gjermane