1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erdoğan i polarizon gjermanoturqit

Jeanette Seifert/ Auron Dodi20 Maj 2014

Politikanë gjermanë të të gjitha partive në Gjermani e kritikojnë shfaqjen e planifikuar të Erdoğanit në Këln. Edhe në radhët e turqve në Gjermani ai është i diskutueshëm - kujt kërkon t'i drejtohet kryeministri turk?

Erdogan ne Soma 14.05.2014
Fotografi: picture-alliance/dpa

Më shumë se 300 të vrarë në fatkeqësinë e minierës në Soma, disa dalje radhaz të pafata të kryeministrit Tayyip Erdoğan - dhe pak ditë më vonë ai ngjitet në avion për në Gjermani, për t'u shfaqur para mijëra mbështetësve, të cilët brohorasin dhe tundin flamujt? Për shumë politikanë gjermanë ky është një përfytyrim që e durojnë me vështirësi. Rrallë janë shprehur kaq shumë përfaqësues të partive të ndryshme për vizitën e një politikani të huaj - dhe rrallë kanë qenë ata të të njëjtit mendim. Erdoğani nuk duhet t'i zhvendosë fushatat e tij elektorale në Gjermani, kërkoi për shembull sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Andreas Scheuer në botimin në internet të revistës "Spiegel".

Sigurim votash në Gjermani

Partia e Erdoğanit, AKP nga ana tjetër, kundërshton dhe thotë se aktiviteti në Këln të shtunën e ardhshme (24.05.2014) nuk është shfaqje elektorale: Erdoğani do të kremtojë atje vetëm 10 vjetorin e Bashkimit të Demokratëve Turq (UETD). Por shkaku i vërtetë i manifestimit të Këlnit, në vendin kryesor të aktiviteteve me rreth 20.000 vende është mjaft i qartë: në gusht, në Turqi zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Edhe nëse Erdoğani nuk e ka shpallur ende hapur kandidaturën e tij, shumë besojnë se ai do të angazhohet.

Këtë herë për kryeministrin turk ia vlen veçanërisht të mundohet për turqit që jetojnë jashtë vendit: sepse për herë të parë kanë të drejtë të marrin pjesë edhe ata në zgjedhje, pa u dashur të shkojnë për këtë në atdhe. Pra kanë të drejtë të marrin pjesë edhe 1,5 milionë turqit që jetojnë në Gjermani: vota për të cilat Erdoğani ka nevojë të madhe, nëse do të bëhet president. Sepse për këtë atij i nevojiten rreth pesë përqind më shumë vota, se ç'mori partia e tij AKP në zgjedhjet komunale në mars.

Erdoğan në Köln, viti 2008Fotografi: imago/epd

Provokator me përvojë

Edhe në vizitën e vitit 2008, shfaqja e Erdoğanit në Këln u shoqërua që paraprakisht me zëra kritikë. Kur në fjalën e tij për integrimin ai tha se "asimilimi" i migrantëve është "krim kundër njerëzimit", shumë politikanë gjermanë u indinjuan. Por në Turqi, edhe nga shumë turq në Gjermani ai mori duartrokitje.

Ka kohë që qeveria e Ankarasë ka nisur t'i organizojë turqit në botën e jashtme. Për këtë u ngrit një Zyrë e posaçme, "Agjencia për turqit jashtë vendit" (YTB). Në një sërë konferencash, punonjësit u kualifikuan për ta përgatitur diasporën turke kundër "shtypjes" në botën e jashtme. Kjo tregon se sa të rëndësishëm janë për kryeministrin turqit në botën e jashtme.

Politikania socialdemokrate me origjinë turke, Lale Akgün beson se shfaqja e Erdoğanit ka para së gjithash shkaqe të politikës së brendshme: "Pamjet nuk janë të rëndësishme për Gjermaninë - këto pamje janë të rëndësishme për Turqinë", u shpreh Akgön në radion Westdeutsche Rundfunk.