1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erler: Shpresoj që të ketë shtrëngim duarsh në Shqipëri

19 Shtator 2011

Deputeti socialdemokrat gjerman Gernot Erler, pas vizitës në Shqipëri vlerëson në bisedë për Deutsche Welle-n situatën aktuale atje.

Gernot Erler, zëvendëskryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate në BundestagFotografi: Anila Shuka

Deputeti socialdemokrat Gernot Erler, zëvendëskryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate në Bundestagun gjerman, ishte për vizitë në Shqipëri me rastin e 20 vjetorit të Fondacionit Friedrich Ebert.

I pyetur nga Deutsche Welle, se si vlerëson situatën politike atje, Erler thekson: "Deri tani situata ka qenë shumë e tendosur, për shkak të bojkotit të socialistëve në parlament, të cilit ata i dhanë fund pak kohë më parë. Por në bisedat që unë zhvillova atje, kontstatova se do të duhet ende kohë deri sa të vendoset besimi reciprok. Unë përjetova një skenë interesante në aktivitetin e organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert me rastin e 20 vjetorit të fondacionit. Në të merrte pjesë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, dhe erdhi edhe kryeministri Sali Berisha. Të dy lëvduan punën e fondacionit. Por në televizionet në Shqipëri tërhoqi vëmendjen fakti që të dy politikanët nuk arritën t'i jepnin dorën njëri-tjetrit edhe pse ishin në një distancë prej 1 metër e gjysmë larg."

Erler: Nuk mund të ecet përpara, nëse vazhdon një bllokadë e tillë e politikës

I pyetur se si e parashikon të ardhmen në politikën e brendëshme në Shqipëri dhe nëse do të ketë atje shtrëngim duarsh Erler nënvizon: "Unë shpresoj që po. Situata megjithatë vazhdon të jetë e tendosur. Ka akuza për abuzim me pushtetin dhe fajësimet reciproke nuk marrin fund. Por unë shpresoj që duke pasur parasysh edhe perspektivën e integrimit evropian, të dyja palët ta kuptojnë se nuk mund të ecet përpara, nëse vazhdon një bllokadë e tillë e politikës."

Intervistoi: Marinela Liptcheva-Weiss

Redaktoi: Eliana Xhani