1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Esenca e komunikimit shqiptaro-serb

21 Maj 2011

Komiteti i Helsnikit për të drejtat e njeriut në Serbi së bashku me partnerët në Kosovë ka filluar dialogun civil mes përfaqësuesve të grupeve të ndryshme shoqërore. Një prej takimeve të tilla u organizua në Beograd.

Sonja Biserko në Kosovë
Sonja Biserko në KosovëFotografi: Refki Alija

Komiteti i Helsnikit për të drejtat e njeriut në Serbi në bashkëpunim me partnerët e tij në Kosovë ka filluar dialogun civil në mes të përfaqësuesve të grupeve të ndryshme shoqërore. Një prej takimeve të tilla u organizua të dielën e fundit në Beograd. Ivica Petroviq informon nga Beogradi.

Artistët, gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile, shumë herë deri më tani janë takuar në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për të ringjallur në këtë mënyrë komunikimin mes përfaqësuesve të popullit serb dhe shqiptar të Kosovës. Ky dialog është në një mënyrë alternativ apo thënë ndryshe aktivitet mbështetës i negociatave politike midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

Relaksim i shoqërisë serbe dhe shqiptare

Dialogu civil në mes të serbëve dhe shqiptarëve duhet të intensifikohet dhe do të duhej të ishte proces i vazhdueshëm, thotë për Deutsche Wellen Sonja Biserko, kryetare e Komietit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi. "Kjo është mënyra e vetme që seriozisht të relaksohen të dy shoqëritë dhe që në bazë të krijohet ndjenja se komunikimi mes serbëve dhe shqiptarëve është normal dhe se do të duhej të normalizohej deri në fund. Për shkak se kjo pjesa zyrtare mund të fillojë disa gjëra dhe të krijojë një kuadër ligjor dhe politik por ajo që në të vërtetë vërehet tek të dy shoqëritë është rëndësia e komunikimit në shumë fusha të jetës dhe në çështje të tjera. Këtu unë mendoj kryesisht për bashkëpunimin shumë domethënës në fushën e kulturës e cila në thelb është mënyra më e mirë dhe efikase për njohjen mes dy palëve", tha Sonja Biserko.

Fotografi: picture alliance/dpa

Kultura në hijen e politikës

Imer Mushkolaj, aktor dhe drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, tashmë veç ka punuar në Beograd në shfaqjen "Klanica 5" (Therrtorja 5), e cila së fundi ishte mysafire në gjithë rajonin dhe në disa vende evropiane. Mushkolaj vlerëson për Deutsche Wellen se dialogu kulturor dhe shkëmbimi kulturor është mënyrë e mirë për përparimin e komunikimit mes dy popujve. Shoqëria tek ne është politizuar shumë dhe kjo mund të thuhet edhe për shoqërinë në Serbi, thotë Mushkolaj. Në këtë mënyrë sipas tij kulturës i mbetet pak hapësirë për paraqitje, para së gjithash për paraqitje në mënyrën e duhur.

"Ne jemi ata që do të duhej të punonim ndryshe, të lëvizim disa gjëra dhe që në të vërtetë të fillojë dialogu në mes të shqiptarëve nga Kosova dhe serbëve në Serbi. Unë mendoj se është një fillim i mirë, tani të shohim se si do të vazhdojë", tha Mushkolaj.

Zgjidhja tek serbët dhe shqiptarët

Përparimi i dialogut civil dhe kulturor i ka anët e tij pozitive, por gjithmonë mbetet dilema se sa mundet kultura të rregullojë krejt atë që e ka shkatërruar politika. Nenad Prokiq, si njeri i teatrit dhe deputet i Partisë Liberale-Demokratike (LDP) në Kuvendin e Serbisë vlerëson se kur politika nuk mund të gjejë zgjidhje atëherë i mbetet kulturës që të udhëheq dialogun. "Në fund të fundit , asgjë nuk do të zgjidhet për sa kohë serbët dhe shqiptarët nuk i shtrijnë dorën njëri-tjetrit. Nuk ekziston as Uashingtoni, as Brukseli e as ndonjë adresë tjetër në botë, e cila do të zgjidh këtë problem. Kjo duhet të zgjidhet mes shqiptarëve dhe serbëve dhe sigurisht që në këtë drejtim ndihmon çdo lloj dialogu. Ne sot megjithatë nuk do të zgjidhim asgjë sepse nuk është zgjidhur asgjë në 100 vitet e fundit e nuk do të zgjidhet as sot, por megjithatë disa njohje të reja, disa ide mund të zbusin situatën e cila është e keqe qe një kohë shumë të gjatë", vlerëson Prokiq.

Fotografi: picture-alliance/ dpa

Politikanët nuk e dëgjojnë askend

Paralelisht me shoqërinë civile po zhvillohet edhe dialogu politik mes Prishtinës dhe Beogradit. Imer Mushkolaj mendon se dalogu civil nuk do të ketë shumë ndikim në rezultatet e dialogut politik. "Natyrisht që do të ndikojnë por jo aq shumë pasi që ne e dimë si janë politikanët tanë. Ata nuk e dëgjojnë askënd. Ata dijnë të dëgjojnë vetëm urdhërat që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare. Kështu që ata ne nuk na marrin shumë seriozisht dhe thonë: në rregull është, mirë, shkoni, ju jeni disa aktorë, shkrimtarë, njerëz të kulturës por, këtë e bëni ndaras prej nesh. Por kjo nuk mund të bëhet ndaras. Unë mendoj se kjo duhet të bëhet paralelisht. Pra të kemi dialog kulturor dhe politik. Bile mendoj që dialogu lulturor është më i rëndësishëm për vendosjen e kontakteve me kolegët tanë në Serbi", thotë Mushkolaj.

Kriminelët shetisin pa u penguar

Në disa analiza për rajonin theksohet fakti se vetëm kriminaliteti i organizuar dhe kriminelët kanë komunikim dhe bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë. Përse është kaq e lehtë, që kriminelët të bashkëpunojnë e për të gjithë të tjerët aq e vështirë, sqaron për Deutsche Wellen Behlul Beqaj, kryetar i Lëvizjes Evropiane në Kosovë. "Shkaku kryesor me siguri qëndron tek autoritetet politike. Ne si një grup i njerëzve të pangarkesë, të gatshëm dhe në gjendje për dialog dhe për të krijuar një klimë të tolerancës, u nisëm nga Kosova për në Serbi. Dhe çfarë ndodhi? Ne gati një orë kemi pritur përfundimin e formaliteteve, që të futemi në Serbi për të vazhduar dialogun e nisur. Unë besoj se ata që janë kriminelë, dhe ata që janë azilkërkues të rremë, nuk do të prisnin kaq gjatë për të hyrë në këtë shtet dhe unë supozoj se e njëjta gjë ndodh edhe për udhëtimet në drejtim të kundërt. Për sa kohë që kjo gjendje do të jetë e tillë, unë mendoj se ne nuk kemi tregues të qartë se klima do të ndryshojë", thotë Beqaj.

Autor: Ivica Petroviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW