1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EULEX- i i rezervuar për vrasjen e dëshmitarit Agim Zogaj

30 Shtator 2011

Zyrtarë të misionit EULEX, nuk pranojnë të flasin lidhur me rastin e dëshmitarit X, i cili u gjet i vetëvrarë në qytetin Duisburg të Gjermanisë. Agim Zogaj, ishte dëshmitari kryesor i akuzës kundër Fatmir Limajt.

Logoja e EULEX-it
Logoja e EULEX-it

"Rrethanat e vdekjes së tij janë duke u hetuar nga autoritetet gjermane. Siç jeni në dijeni gjithashtu, individi ishte dëshmitar në një rast në Kosovë. Duke pasur parasysh këto dy fakte në këtë fazë nuk mund të bëjmë komente të mëtejshme”. Kështu u përgjigj misioni EULEX për DW, në një deklaratë të shkruar, para se policia gjermane e qytetit të Duisburgut të deklarojë se dëshmitari X është vetëvrarë. Mediat në Kosovë, njoftojnë se  Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, ka shprehur shqetësimin për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë, pas vdekjes së Agim Zogajt, dëshmitarit X në rastin Kleçka.

Reagon edhe Komisioneri për të Drejtat e Njeriut të OKB-së

Logoja e OKB-sëFotografi: AP

“Përderisa arsyet e sakta të vetëvrasjes së tij të dyshuar është vështirë të konstatohen, ky rast i shton shqetësimet tona në lidhje me mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë”, citohet të ketë thënë Rupert Kollvill, zëdhënës i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Kollvill ka bërë thirrje për krijimin e një sistemi efektiv dhe të pavarur për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave në Kosovë. „Vetëm një i tillë do të sillte drejtësi për viktimat dhe do t'i jepte fund mosndëshkimit të dhunës”, ka thënë Rupert Kollvill.

Parlamenti i Kosovës tre muaj më parë ka miratuar në parim  ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, mirëpo, ai hyn në fuqi një vit pas publikimit të gazetan zyrtare të parlamentit. Misioni  EULEX, më herët kishte deklaruar se ka një program për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe për këtë ka edhe njësi policore të posaçme. Në muajin Prill të këtij viti, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, i tha Deutsche Welles se ky mision megjithë kritikat, ka besim në programin e vet për mbrojtjen e  dëshmitarëve. “Ne kemi besim të plotë në programin tonë për mbrojtjen e dëshmitarëve nga EULEX-i ka një njësi shumë profesionale për mbrojtjen e dëshmitarëve  e që bashkëpunon me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Përvoja e deritashme ka treguar që EULEX-i është në gjendje të merret me rastet delikate të nivelit të lartë ku përfshihen dëshmitarët e mbrojtur”, thotë  Blerim Krasniqi. Ai thotë se varësisht  prej nevojës dhe shkallës së kompleksitetit të rasteve, kjo njësi edhe mund të zgjerohet.

Programi i mbrojtjes së dëshmitarëve i paplotë

Në foto, Feride RushitiFotografi: DW

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuave të Torturës, në një analizë të saj thotë se programet për mbrojtjen e dëshmitarëve janë shumë të nevojshme. Feride Rushiti, udhëheqëse e kësaj organizate ka deklaruar më parë për DW-në, se programi për mbrojten e dëshmitarëve duhet të përfshijë, strehimin, mirëqenien fizike, shëndetësore e mentale, ndërrimin e identitetit e deri te largimi nga shteti nëse është e nevojshme në rast se paraqitet ndonjë rrezikshmëri e lartë”.

Dëshmitarët në Kosovë të pambrojtur

Shqetësime për mungesën e efikasitetit të mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë, u paraqitën në nëntor të vitit të shkuar në raportin e raportuesit në Këshillin e Evropës Dik Marti. Ai tha se dëshmitarët në Kosovë nuk janë të sigurt që të japin dëshmitë e tyre dhe për këtë ai bëri fajtore organet kosovare të drejtësisë përfshirë këtu edhe misionin evropian EULEX. Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, nëpërmjet një reagimi me shkrim  tha të premten se, ”misioni EULEX-it ishte përgjegjës për jetën e dëshmitarit X, Agim Zogaj i cili ka pasur statusin e dëshmitarit të mbrojtur në një proces që fillon në fund të muajit tetor. “KMDLNj në Kosovë, shpreh dyshime nëse vërtet bëhet fjalë për vetëvrasje aq më parë që ky dëshmitar, ndonëse i mbrojtur ka mundur lirisht të lëvizë, pa përcjellje dhe pa mbikëqyrje. Pas kësaj “vetëvrasjeje” nuk mund të flitet më për një proces të drejtë dhe të paanshëm kurse administrimi i provave do të vihet nën dyshim”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së në Kosovë.

Sidoqoftë,  përmbyllja e debateve të ndezura varet nga shpjegimi i misionit EULEX, i cii vazhdon të hezitojë të sqarojë nëse “dëshmitari X-Agim Zogaj”, kishte statusin e dëshmitarit të mbrojtur apo jo.

 

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi

 

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë