1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EULEX-i shton praninë e policisë në Kosovë

9 Nëntor 2022

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se “në këto kohë të tensionuara në Kosovë, EULEX përmbush detyrën e tij për të garantuar stabilitet.

Kosovo Sicherheitskräfte
Fotografi: Erkin Keci/AA/picture alliance

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit EULEX, e ka shtuar praninë në Kosovë me njësi tjera të policisë, pas largimit të serbëve të veriut nga të gjitha institucionet, përfshirë edhe policinë. Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se një njësi karabinierësh italianë tashmë ka arritur ne Kosovë për të siguruar sundimin e ligjit për shkak të zhvillimeve veri të vendit.

"Në këto kohë të tensionuara në Kosovë, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX përmbush detyrën e tij për të garantuar stabilitet. Forca Evropiane e Xhandarmërisë, pjesa e karabinierëve zbarkoi që përkohësisht ta përforcojë Njësinë Policore të EULEX-it në Kosovë. EULEX do të vazhdojë që tëmbështesë një mjedis të sigurt”, shkroi Josep Borrell në Twitter.

Shtohen patrullimet në veri

Që nga dorëheqjet masive të serbëve të veriut nga të gjitha institucionet  publike dhe Policia e Kosovës, njësia e specializuar e EULEX-it, e përbërë prej 105 zyrtarëve policorë polakë, kanë shtuar patrullimet në veri. EULEX kumtoi se po vëzhgon nga afër të gjitha zhvillimet që mund të kenë ndikim mbi sigurinë e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve. Por e mohoi të ketë marrë përsipër përgjegjësi policore në veriun e Kosovës.

Fotografi: DW

Nga ana tjetër, pas dorëzimit të mandateve të 10 deputetëve të listës ‘Srpska', Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ tashmë ka marrë kërkesë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që të rekomandohen emrat të cilët do t'i zëvendësojnë deputetët e Listës Serbe. Deputetët e Listës Serbe, dhanë dorëheqje siç thanë "në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin për riregjistrimin e makinave me targa serbe”.

Zëvendësimi i deputetëve

"Duke u mbështetur në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin me emra brenda afatit ligjor prej pesë ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Deputetët e dorëhequr duhet të zëvendësohen me emrat e radhës në listën për deputetë të Listës Serbe. Nëse edhe ata refuzojnë, procedura përsëritet derisa te plotësohen vendet në Kuvend nga pakica serbe, thonë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) që vazhdimisht monitoron punën e kuvendit të Kosovës.

"Pas dorëheqjeve të deputetëve të Listës Serbe, duhet të iniciohen procedurat për zëvendësimin e tyre. Ata duhet të zëvendësohen nga kandidatët e tjerë për deputetë nga radhët e këtij subjekti politik, e që janë vetëm nëntë sosh të mbetur. Një deputet tjetër do të zëvendësohet nga radhët e partisë tjetër serbe - GI SPO, që ka numrin më të madh të votave pas Listës Serbe. Deputetët e ri duhet të japin betimin brenda tri seancave të rregullta. Mosdhënia e betimit përbën arsye për humbjen e mandatit”, shkroi Eugen Cakolli nga KDI. Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë dhe dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021 u fituan nga Lista Serbe, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Dorëheqjen e kryetarëve të komunave

Pos deputetëve serb, dorëheqje të parevokueshme dhanë edhe katër kryetarët e komunave nga veriu i Kosovës: Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut. Nga Instituti KDI thonë se "dorëheqjet e kryetarëve të komunave, pavarësisht mënyrës së ofrimit, janë akte definitive dhe të pakthyeshme, që për pasojë kanë zgjedhjet”.

Fotografi: Festim Beqiri/TV7News/dpa/picture alliance

"Institucionet qendrore nuk kanë ndonjë masë për të pranuar dorëheqjet, por vetëm mund t'i konfirmojnë ato formalisht. Prandaj MAPL-ja duhet t'i përmbyllë sa më parë procedurat, për t'i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme nga Presidentja. Zgjedhjet duhet të mbahen brenda një periudhe prej 30 deri në 45 ditësh nga shpallja. Çfarëdo vonese në këtë drejtim ua cenon qytetarëve të drejtën kushtetuese të zgjedhjeve të institucioneve lokale”, shkroi Cakolli nga KDI. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tashmë është takuar me kreun e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, për të biseduar për shpalljen dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës: Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut. Për të gjithë këtë situatë të krijuar në veri të Kosovës, Beogradi akuzon Prishtinën për mospërmbushje të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Ndërsa Qeveria e Kosovës e akuzon Beogradin se po përdorë serbët lokalë për të ikur nga një plan franko-gjerman, që parasheh marrëveshje finale për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.